HISTORIA/ Si u krijua i pari radio-rrjet ndërmjet shtabeve partizane

  • 08 June 2018 - 08:56
HISTORIA/ Si u krijua i pari radio-rrjet ndërmjet shtabeve partizane

Një radio-rrjet, i cili përbëhej prej tre radiostacioneve dhe siguronte lidhjen mes shtabeve partizane në kohën e luftës. Kjo është një tjetër dëshmi interesante që ish-partizani 96-vjeçar Myfit Poçari, tregon gjatë rrëfimit të tij të posaçëm për “Albanian Free Press”. Shoqëruar edhe me detajet sesi u krijua “armata” e radio-telegrafistëve të parë në vend.

“Partizanët radio-telegrafistë stërviteshin për të njohur  aparatet dhe centralet telefonike, por edhe ndërtimin e linjave të përhershme në rajonet e çliruara, si edhe të riparonin defektet në aparatura, apo në linjat e përhershme”, shton ai…

Drejt bazës partizane të Bakullit

“Çeta ishte kthyer nga aksioni dhe në një lëndinë të malit Moravë u bë mbledhja, ku si zakonisht, partizanët nëpërmjet kritikës dhe autokritikës bënë bilancin e luftimeve të tyre. Në përfundim të saj, komisari mbasi bëri konkluzionet, dha detyrat dhe para se të mbaronte, tha: “Shokun Myfit Poçari e kërkon Shtabi i Qarkut për ta ngarkuar me një detyrë të rëndësishme. Me këtë rast, i urojmë atij rrugë të mbarë dhe suksese në detyrat e reja që i ngarkon Partia”.

Ishte tetor i vitit 1943, kur unë së bashku me korrierët që shkonin në shtabin e Qarkut, u nisëm dhe mbas dy ditësh e netësh udhëtimi mbërritëm në mes të një pylli të lartë dhe të dendur, ku qetësinë e ecjes sonë e tronditi një komandë e fortë dhe e prerë “Ndal, Parullën!”. Kjo na bëri të përqendrojmë mendimet dhe menjëherë të zëmë pozicionet. Njëri nga shokët e mi bashkudhëtarë, shkëmbeu me rojën parullën e kundërparullën dhe atëherë ne u radhitëm si edhe më parë, njëri pas tjetrit, drejt rrugës që gjarpëronte nëpër pyll për në shtabin e Qarkut. Nuk kaloi shumë kohë dhe para nesh dolën barakat e Bakullit, të njohura si baza të rëndësishme të prapavijës së partizanëve.

Me të mbërritur, mua më priti partizani i caktuar. Ai më komunikoi detyrën dhe mbasi mbaruam bisedën, më shoqëroi në barakën fqinje, ku u njoha me kolegët e specialitetit të ardhshëm, shokët Servet Xama dhe Todo Bojdani. Ata më pritën me përzemërsi dhe me ambientin e ngrohtë që më krijuan, mundën të zhduknin dëshpërimin tim  për ndarjen nga jeta e çetës. Baraka në të cilën unë u bëra efektiv, ishte me përmasa 2-3 metra. Në dyja qoshet e para ishin dy tavolina të thjeshta dhe mbi ato ishin vendosur dy aparate, që unë i shikoja për herë të parë. Kolegët më sqaruan se ishin radiostacione të kapura nga armiku dhe pasi të riparohen, do të përdoren nga ne për të siguruar ndërlidhjen e reparteve partizane me shtabin.

Në mes të barakës ishte gjithashtu një aparat tjetër i madh, i cili kishte qenë Radiostacioni i Korçës dhe deri pak kohë më parë ishte në shërbim të propagandës fashiste. Por nga një aksion i guximshëm i njësitit guerril të Korçës, ishte rrëmbyer dhe tani përgatitej për t’u vënë në shërbim të propagandës të luftës sonë. Në anën tjetër të barakës, ishin dy tavolina mbi të cilat qenë montuar tastet, që do të shërbenin për transmetim.  Kundrejt tyre, në një tavolinë tjetër ishte vendosur një borie makine, e cila shërbente si oshilofon për përgatitjen në marrje me vesh.

Në zjarrin e luftës

Stërvitja e radio-telegrafistëve partizanë fillonte qysh në orët e para të mëngjesit dhe vazhdonte deri natën vonë. Partizanët radio-telegrafistë stërviteshin me këmbëngulje për t’u përgatitur sa më shpejt. Qëllimi ishte që ata të mësonin jo vetëm ato gjëra që u përkisnin radio-telegrafistëve, por edhe më gjerë. Me ta bëheshin edhe mësime të tjera si për shembull: Njohja e aparateve dhe centraleve telefonike, përgatitja për punë dhe shërbim pranë tyre, mënyra e ndërtimit të linjave të përhershme në rajonet e çliruara, mënyrat e gjetjes dhe riparimit të defekteve si në aparaturë ashtu edhe në linjat e përhershme.

Përveç instruktorit Servet Xama, jepte mësim edhe radio mjeshtri inxhinieri Todo Bojdani. Ata tregoheshin këmbëngulës që radio-telegrafistët të mësonin të gjitha defektet, që mund të ndodhnin në radiostacione dhe mënyrën si t’i rregullonin vetë ato. Puna në stacion kryhej në kondita reale. Bile kishte raste, që puna në radiostacion të bëhej duke i dërguar radiostacionet së bashku me radistët në vendet ku zhvilloheshin luftimet, siç ishte rasti i dërgimit të një radiostacioni në repartet partizane, që zhvillonin luftime në Lezhan dhe në Gurin e Kamjes.

Është për t’u vënë në dukje kujdesi që tregonin radistët kundrejt teknikës së ndërlidhjes. Ata e ruanin radiostacionin si gjënë më të çmueshme. Kursi i radio-telegrafistëve mbaroi më 10 dhjetor 1943 dhe radistët që dhanë rezultate më të mira, u shpërndanë pranë njësive te Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ndërsa pjesa tjetër vazhdoi përgatitjen deri në fillimin e operacionit të dimrit në këtë zonë.

Kjo përgatitje bëri të mundur krijimin e të parit radio-rrjet ndërmjet shtabeve dhe reparteve partizane. Ky radio-rrjet përbëhej prej tre radiostacioneve. Radiostacioni kryesor i shtabit të Qarkut të Korçës në pyllin e Bakullit, ku ndodhej edhe një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm, me radist Servet Xama. Radiostacioni i dytë ishte ai që u nis në Vlorë, ndërsa radiostacioni i tretë  u dërgua pranë Batalionit Fuat Babani, që vepronte në zonën e Devollit. Ai do të merrte lidhje edhe me shtabin e partizanëve jugosllave, që vepronin në afërsi të asaj zone.

Më 16 dhjetor 1943,u vendos ndërlidhja me radio ndërmjet radiostacionit kryesor të shtabit dhe atij të dërguar në batalionin e Devollit. U dhanë rregullisht dhe u morën radiograme të shifruara edhe informacione me tekste të hapura me karakter josekret. Puna kryhej në telegrafi, dëgjueshmëria ishte e mjaftueshme, forca e dëgjimit të radiostacionit kryesor ishte 4, ndërsa korrespondenti i dëgjonte në forcën 3. Radio-stacionet ishin të tipit italian (të marra në repartet e SIMI-t).

Arkat e radiostacioneve ishin të shkatërruara, ndaj ato ishin zëvendësuar me arka druri nga radio mjeshtri partizan. Radiostacionet ishin mbartëse në shpinë, pesha e tyre ishte afërsisht 20-25 kilogram. Ato punonin vetëm në telegrafi me antenë filli 24 metra të gjatë, ushqimi jepej nga dy akumulator plumbi me tension nga 6 volt.

Si e vumë në punë radiostacionin tonë

Në kuadrin e bashkërendimit të veprimtarisë dhe të ndihmës me koalicionin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan , pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NaÇl Shqiptare, qëndronte edhe një mision anglez. Jemi në Panarit, dhjetor 1943… .Gjermanët, për disa nga njësitë e tyre larg qendrave, por edhe anglezët, për misionet e tyre në Greqi e në Shqipëri, herë pas here hidhnin parashuta me materiale. Jo rrallë ndodhte që parashuta nuk binte në vendin e destinuar.

Atë e merrte era dhe ajo humbiste diku larg. Kështu kishte ndodhur edhe me një parashutë në qarkun e Korçës, të cilën së bashku me materialet, fshatarët  e kishin dorëzuar tek Shtabi Partizan i Qarkut të Korçës, në Panarit. Midis të tjerave, aty kishte qenë edhe një radio-stacion tip valixhe, prodhim anglez. Tani shtrohej detyra që ky radiostacion të vihej në shërbim të luftës sonë. Ishte vënë re se edhe radiostacioni që përdorte misioni anglez, ishte i përafërt me të. Ndaj, në një nga takimet e radhës, që Enver Hoxha dhe Behar Shtylla bënin me përfaqësuesit e misionit anglez, më morën edhe mua.

Ishte ora 15:00, kur u afruam tek çadra e tyre. Mua më bëri përshtypje respekti që manifestonin ata ndaj hierarkisë ushtarake, e cila u duk në mënyrën sesi ata e pritën Enver Hoxhën. Jemi para Kongresit të Përmetit dhe tek ne akoma nuk ishin vendosur gradat. Të gjithë u futëm në çadër. Filloi biseda, përkthimin e bënte Behar Shtylla, i cili e fliste shumë mirë gjuhën angleze. Por nuk kaloi shumë kohë dhe njëri nga të pranishmit u shkëput dhe vajti në fund të çadrës. Ai tërhoqi pranë vetes një valixhe dhe e hapi atë, ishte radio-stacioni i tyre.

Kishte ardhur koha që ata të hynin në lidhje me Shtabin Aleat të Mesdheut, i cili në këtë kohë ndodhej në Kajro të Egjiptit. Tani vëmendja ime ishte përqendruar aty ,tek manovrimi i aparaturës. Po shikoja sesi radisti anglez lidhi akumulatorët, sesi po bënte rakordimin në valën e duhur. Më pas filloi thirrja, mjaftuan tre të tilla dhe doli korrespondenti i tij nga Kajro. Kaq mjaftoi dhe pas dy ditësh, edhe ne arritëm ta vëmë në punë radiostacionin tonë, i cili punoi mirë deri në çlirimin e atdheut.

Nga burgi i Tiranës, në atë të Prishtinës

Pas arrestimit tim, në shkresën e policisë të Tiranës, të datës 8.07.1944, shkruhej lënda: “Rreth orës 10 të datës së djeshme, agjentët e kësaj zyre proceduan në ndalimin e të quajturit Myfit Poçari, i biri i Mustafait dhe i Resmies, lindur në Korçë më 1922, atje banues, mbasi ky dyshohet si element i rrezikshëm dhe pjesëtar i organizatave komuniste. Vazhdojnë hetimet për skalimin e së vërtetës dhe rezervohemi me ju njoftue përfundimin”. Këtu nisën hetimet dhe torturat për të mësuar përse kisha ardhur nga Korça në Tiranë, por nuk arritën të nxirrnin gjë për aktivitetin tim ilegal.

Megjithatë, unë mbeta në burgun e Tiranës dhe prej këndej në gusht të vitit 1944, mua dhe shumë shokë të tjerë të burgosur politikë, gjermanët na morën me vete dhe na internuan në kampin famëkeq të Prishtinës. Por puna për vendosjen e radio-ndërlidhjes midis Qarkorit të Tiranës dhe Shtabit të Përgjithshëm nuk u ndërpre. Punën e filluar nga Myfiti e vazhdoi kolegu i tij, Xhevat Nafiz Avdia. Më 12 Shtator 1944, Xhevati realizoi për herë të parë radio-ndërlidhjen midis Qarkorit të Tiranës me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.

Nëpërmjet kësaj radio-ndërlidhje, Qarkori i Tiranës përgatiste për Shtabin e Përgjithshëm informacione të rëndësishme mbi gjendjen në kryeqytet. Të dhëna për forcat e armikut dhe lëvizjet e tij, mbi armatimet dhe vend dislokimet e armikut. Këto dhe shumë të dhëna të tjera të koduara, Xhevati ia transmetonte nëpërmjet radios Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.

“Si u arrit që të vendosej radio-ndërlidhja me Tiranën e pushtuar”

“…Isha në Vithkuq të Korçës dhe më 22 mars 1944, më thërrasin në shtab dhe më prezantojnë me një partizan duke më thënë: Nga ky do të marrësh udhëzimet, sesi do të veprosh për t’u lidhur me qarkorin e Tiranës. Partizanit nuk ia mësova as emrin dhe as pseudonimin, por dukej që ishte i shkathët, syçik e fytyrëmprehtë. Duke u drejtuar nga unë, ai më tha:

“Ti do të shkosh në Tiranë për vendosjen e radio-ndërlidhjes ndërmjet qarkorit të Tiranës me Shtabin e Përgjithshëm!”. Unë: “A ta mbush synë?”.

“Nuk ka mbetur puna të të gjykoj unë, ma mbush apo s’ma mbush synë. E kanë gjykuar të tjerët, që janë bindur dhe të kanë caktuar ty për ta kryer këtë detyrë. Merri këto florinjka e do t’ia japësh Gogo Nushit, ndërsa këto i ke për shpenzimet e tua. Tani do të them disa gjëra, që duhet t’i shkruash në kokë e nuk duhet t’i marrë vesh asnjeri, sido që të ndodhë. Do të shkosh tek Hani në Korçë.

Aty do të gjesh një autobus me xhamin e djathtë të kabinës të krisur dhe me një fener qorr të thyer. Mos u nis me makinë tjetër edhe sikur të presësh dy-tre ditë. Gjejë mënyrën dhe binde shoferin të të marrë në Tiranë.  Në Tiranë, tek Pazari i Ri pranë Postë-Telegrafit, do të afrohet një vajzë, kjo do të ishte Vanda Çorati. Ajo do afrohet me parullën: “Ç’thotë pranvera?”. Kundërparulla do të jetë: “Pranvera sapo ka filluar”.

I veshur fshatarçe, sipas porosisë, mbërrita në Tiranë. Kontakti me “të fejuarën”, Vanda Çorati u realizua me sukses. Ajo më çoi në bazën, ku ndodhej Gogo Nushi. Një vilë dykatëshe buzë rrugës,që sot mban emrin “Hoxha Tahsim”.

Këtu mora të gjitha porositë, njerëzit me ndihmën e të cilëve do të sigurohej radiostacioni në Pezë të Tiranës, porositë për udhëtimin në Shën-Vlash të Durrësit, ku do të merrja akumulatorët dhe pajisjet për karikimin e tyre. Vendi ku do të vendosej radiostacioni, që do të ishte nën çatinë e një shtëpie të thjeshtë tiranase, prapa ish-Kishës Ortodokse, aty ku sot është hoteli 15-katësh “Tirana Internacional”.

Vendi i fjetjes do të ishte tek Kodra e Kuqe, i ndryshëm nga vendi i instalimit të radiostacionit. Gogo Nushi më foli për rrugët më të sigurta të lëvizjes, për oraret e ndalim qarkullimit. Ai më ndaloi madje edhe që të qarkulloja i armatosur. Në fillim, puna më vajti mbarë. Radiostacioni u sigurua, po ashtu edhe akumulatorët që e ushqenin atë. Më pas, u instalua edhe antena. Por të nesërmen, kur do të fillonim punën për t’u lidhur me Shtabin e Përgjithshëm, në mbrëmje tek haja darkë në restorantin “Invalidi” pranë ish-Kinema “17 Nëntori”, shoh një person që e njihja dhe më njihte.

Ishte nga ata ish-aktivistë të lëvizjes, që kishte dezertuar. Kjo përbënte shqetësim, të cilin ia tregova edhe shoqëruesit tim nga njësiti gueril i Tiranës. Me të ramë dakord që të mos haja bukë në atë restorant dhe nja 2-3ditë të mos bëja gjë e të mos dilja nga shtëpia ku banoja. Ai më qetësoi duke më thënë se do të hetonte mirë, para se të fillonim punë. E ashtu siç e lamë, pas dy ditësh, unë dola të ha mëngjes, por tashmë në një mëngjesore tjetër, tek është sot Muzeu Historik.

Nuk kaloi shumë kohë nga momenti kur nisa të ha dhe brenda në mëngjesore u futën dy xhandarë, të cilët më hodhën hekurat. Përjashta po bëhej zhurmë, dukej që kishin bërë bastisje. Më futën në një makinë të mbyllur, ku ishin edhe 4-5 veta të tjerë. Së bashku me ata, i arrestuar, përfundova në burgun politik të Tiranës.