Ja si CIA ngriti kampe stërvitjeje në disa vende të BE-së për agjentët që do të infiltroheshin në Shqipëri

  • 05 January 2019 - 08:29
Ja si CIA ngriti kampe stërvitjeje në disa vende të BE-së për agjentët që do të infiltroheshin në Shqipëri

250 persona u trajnuan në Gjermani 

Shërbimi Inteligjent Amerikan (CIA) ka hedhur dritë në një nga dokumentet e saj të deklasifikuara së fundmi mbi operacionin shqiptar të CIA, me emrin e koduar BGFIEND? Ky ishte operacioni i parë para-ushtarak që ndërmerrnin amerikanët për përmbysjen e një regjimi në një vend sovran. Kjo histori vazhdoi jo pak, por për më shumë se pesë vjet. Por dështuan.

E vërteta mbi "radiolojën" dhe arsyet e dështimit të këtij operacioni, sipas dokumenteve të CIA-s janë shumë komplekse, por që nuk kanë të bëjnë aspak me ato që janë treguar deri më tani. Ja çfarë thuhet në një raport të 9 janarit 1951 të CIA-s mbi këtë operacion. Raport i statusit të operacionit BGFIEND Projekti BGFIEND, i aprovuar më 22 qershor 1949, autorizon një seri programesh politike, psikologjike e ekonomike, për ta bërë Shqipërinë të pavlefshme për Bashkimin Sovjetik si bazë operacionesh. Në mbështetje të këtij programi janë krijuar disa struktura qëndrimi apo stërvitjeje në disa vende të Evropës Lindore.

Përdorimi i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë si mbulim për aktivitetet e fshehta, është bërë nga OPC dhe arritjet e deritanishme janë si më poshtë: OPC ka mbledhur një personel prej 250 shqiptarësh në Gjermani, nga të cilët do të zgjidhen grupe për stërvitje në luftë guerile dhe infiltrim. Më 11 nëntor 1950, pas një periudhe trajnimi në shkollën e fshehtë në Gjermani, grupi i parë prej nëntë shqiptarësh u lëshua nga një avion pa simbole, i drejtuar nga ekuipazh polak, në dy zona të Shqipërisë, siç tregohet në hartë. Misioni i tyre ishte krijimi i një bërthame grupesh rezistence, krijimi i vendeve të sigurta dhe përgatitja e strukturave për lëshimet e mëtejshme të materialeve. Në fushën e luftës psikologjike, në nën-komitetin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, ka punuar nën mbikëqyrjen e personelit të OPC prej disa muajsh për përgatitjen e materialeve të propagandës. Mbi Shqipëri janë lëshuar materiale propagande prej 500 000 fletësh për çdo lëshim, në qendra kryesore urbane, në datat 16 tetor 1950, 7 nëntor, 27 nëntor dhe 1 janar 1951. Në tre raste fletët u lëshuan nga avioni i fshehtë i OPC, kurse në lëshimin e 1 janarit u përdor një avion i inteligjencës britanike. Si mjete të tjera shtesë të luftës psikologjike janë përdorur transmetime radio në valë të shkurtra e valë të mesme nga transmetues të instaluar në një mjet detar të OPC, nën një flamur të huaj në Mesdhe. Mbulimi për këto aktivitete është një ekspeditë shkencore për biologjinë detare të zonës.

Transmetuesi pritet të nisë propagandën negative kundër regjimit të Hoxhës në fund të shkurtit dhe mbështetet nga staf shqiptar në bord dhe nga toka. Agjentët shqiptarë; Dibër: Adem Curraj, lider legalist, Zethan Daçi, legalist, Sali Dalini legalist. Kosovë: Miftar Planeja lider, Balli Kombëtar, Halil Norguti legalist, Ramadan Canaj legalist, Rexhit Berisha, Partia Agrare. Kruja: Ilir Toptani lider legalist, Selim Daci Partia Agrare. Biseda me Departamentin e Shtetit mbi operacionin BGFIEND Që prej bisedës së fundit mbi operacionin BGFIEND, më 25 tetor, janë marrë informacionet e mëposhtme: Një transmetim i Radio Tiranës më 24 nëntor 1951, që u monitorua nga FBIS, njoftonte për eliminimin e 13 spiunëve të lëshuar me parashutë në territorin e Shqipërisë, nga spiunazhi i Shteteve të Bashkuara. Të shtatë njerëzit e përmendur në lajm ishin anëtarë të grupit të OPC. Ka gjasa që edhe gjashtë të tjerët që nuk u emëruan të jenë anëtarë të grupit të OPC. Më 25 tetor 1952, Radio Tirana lajmëroi për eliminimin e shtatë spiunëve të infiltruar në Shqipëri nga shërbimet sekrete britanike. Shtetet e Bashkuara nuk u përmendën si pjesëmarrëse në infiltrim, por dihet se tre prej njerëzve ishin anëtarë të grupit të OPC nga CIA. Radio Tirana raportoi më 27 tetor se 33 spiunë jugosllavë u kapën ose u vranë nga forcat shtetërore të sigurisë. Asnjë prej tyre nuk ishte agjent i OPC. Këto tre lajmërime tregojnë për suksesin e forcave qeveritare në ndalimin e infiltrimeve nga jashtë. Aktualisht, vetëm dy grupe të OPC janë operativë në Shqipëri, por meqenëse ende nuk është vendosur kontakti radio, statusi i operacioneve nuk njihet. Politikat Është marrë informacioni i mëposhtëm mbi politikat britanike në lidhje me Shqipërinë: Ministria e Jashtme britanike favorizon një Shqipëri të lirë e të pavarur, dhe këshillon kështu edhe Departamentin e Shtetit. Ambasadori i ri britanik në Jugosllavi është instruktuar të informojë Titon për qëllimet britanike në Shqipëri, për dëshirën për të ditur më shumë mbi Lidhjen e Prizrenit, dhe nëse bashkëpunimi mes vendeve është i mundshëm kur objektivat janë të përbashkëta. Britanikët mendojnë se prezantimi i pikëpamjeve angloamerikane duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar, dhe besojnë se NCFA duhet të ndalojë propagandën që pengon mundësitë e bashkëpunimit me Lidhjen e Prizrenit. Britanikët kanë informuar italianët mbi zhvillimet dhe u gëzuan kur ata shprehën lehtësim se nuk parashikohet një ndarje e Shqipërisë dhe se çështja do të trajtohet nga anglezët e amerikanët.

Diskutimet për misionin çuan në konkluzionin se nëse duhet të kryhet një operacion i shkallës së gjerë, ai të mbështetet në tre pika kryesore: Në pozitën miqësore neutrale të Jugosllavisë ose bashkëpunimin e saj aktiv; Në pikëpamjet e krerëve ushtarakë anglezë e amerikanë; Dhe në vlerësimin mbi pozitën jugosllave si miqësore apo neutrale. Roli i Harri Fultz në Shqipëri Dokumentet e 1094 të CIA-s flasin dhe për aktivitetin e Harri Fultz në Shqipëri. Një dokument i CIA thotë se është marrë informacion nga një burimi mirë-vendosur, se këshilltari kryesor i Komitetit Shqiptar për Shqipërinë e Lirë (NCFA) gjatë një vizite të kohëve të fundit në Washington ka qenë Harri Fultz, i njohur për intelektualët shqiptarë pasi ka drejtuar për shumë vjet një shkollë të Kryqit të Kuq në Tiranë (Fultz u detyrua të largohej nga Shqipëria në vitin 1932 kur mbreti Zog mbylli të gjitha institucionet mësimore të huaja, pasi sipas opinionit të ministrit të tij të arsimit, Kol Ivanaj, ishin burime politike të huaja për agjitacion dhe spiunazh. Më vonë, ai u bë këshilltar i Departamentit të Shtetit për çështjet e Ballkanit). Në bisedimet me shqiptarët, Fultz raportohet t'u ketë thënë se do t'i pëlqente ta shite vendin ku kishte kaluar shumë vjet, të çliruar nga komunizmi, dhe u ka premtuar mbështetjen personale dhe të organizatës në të cilën ishte drejtor. Në fund të takimit raportohet se ai u dha çdo anëtari të komitetit një dhuratë prej 5000 dollarësh (Një tjetër raportim mbi çështjen tregon se çdo anëtar i komiteti NCFA ka marrë një dhuratë prej 5000 dollarë nga Departamenti i Shtetit).

Gjetja e zëvendësimit të Mithat Frashërit si kryetar i Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, nuk ka qenë e lehtë. Për momentin është vendosur të zgjidhet Presidenti i Ballit Kombëtar, duke e lënë të lirë vendin e kreut të Komitetit. Pas diskutimeve të zgjatura, Balli Kombëtar zgjodhi Hasan Dostin. Dosti është një ish-gjyqtar e ministër drejtësie gjatë pushtimit italian të Shqipërisë, por edhe pse është shpallur kriminel lufte nga qeveria aktuale e Shqipërisë, nuk konsiderohet si një nga kolaboracionistët më të këqij. Ai është një njeri i zakonshëm, rreth 50 vjeç, që jeton në Via Kalabria nr. 32 në Romë. Ka shumë miq italianë, duke përfshirë dhe ata me influencë. Ai ka punuar vazhdimisht gjatë viteve në emigracion për të luftuar kundër ndjenjës tradicionale anti-italiane të Ballit Kombëtar dhe ka fituar mbështetjen e autoriteteve. Për momentin, Dosti besohet se është ende në Nju Jork, ku ka ardhur në fillim të vitit si përfaqësues i Ballit Kombëtar, me detyrën e vështirë, sipas burimeve, të konvertojë refugjatët pro-komunistë në Shtetet e Bashkuara. Burimet thonë se Dosti nuk vendosur ende nëse do të qëndrojë në SHBA, ku është dhe selia qendrore e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, apo do të kthehet në Romë për të shërbyer me përpjekjet e veprimeve praktike për çlirimin e Shqipërisë. Zgjedhja e Dostit u kundërshtua me forcë nga Abaz Kupi, lideri monarkist shqiptar, dhe kundërshtar politik e personal i Ballit Kombëtar dhe vetë Dostit. Zgjedhja e tij u kundërshtua edhe nga grupi ballist që kishte dashur të zgjidhte në krye Nuredin Vlorën, pinjoll i një prej familjeve më të mëdha shqiptare dhe ish-ministër i Turqisë për Shqipërinë gjatë sundimit të Abdul Hamidit. Burimet thonë se Vlora është një figurë disi piktoreske dhe anakronike që megjithëse është 60 vjeç, jeton në komfort në ishullin italian të Kaprit. Ai është martuar me mbesën e Wodrow Wilson, ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, por raportohet të jetë ndarë prej saj.

Lidhjet e tij me rrethet kosmopolitane amerikane do të ishin në favor të tij, por u kundërshtua sepse edhe pse është anëtar i spikatur i Ballit, i kishte neglizhuar prej disa kohësh punët e partisë për të jetuar jetën luksoze në Kapri. Arsyeja kryesore për moszgjedhjen e tij ishte se shumë anëtarë të Ballit mendonin se Dosti mund të kontrollohej lehtësisht. Antikomunizmi në veri Është marrë përkthimi i parë i një letre të shkruar me bojë nga grupi Pine tree. Letra është shkruar më 5 gusht dhe ishte e dyta nga ky grup, por e para që mundi të arrijë në Athinë. Në letër flitet për lëshimin e furnizimeve të korrikut (i pari nga tre lëshime të suksesshme për këtë grup) dhe raporton se grupi është aktiv dhe i paprekur. Në të përmendet ndjenja e gjerë antikomuniste në Veri të vendit si dhe një organizatë e njohur si Liria e Shqipërisë dhe Përmbysja e Komunizmit. Nuk jepeshin më shumë detaje përveçse lëvizja përbëhej nga ushtarakë dhe civilë. Letra mbyllej me shprehjen se populli i Shqipërisë së Veriut dëshiron një zonë izolimi të ndarë nga pjesa tjetër. Kreu i projektit beson se kjo letër është një arritje e konsiderueshme në zhvillimin e rrjetit të agjentëve në operacionin BGFIEND. Stabilizimi i këtij grupi i jep operacionit një korridor për kalimin e furnizimeve dhe njerëzve të tjerë në Veri të Shqipërisë. Së shpejti pritet të lëshohet një agjent operator radio me grupin, mundësisht nga mesi i tetorit. Është inkurajues fakti që grupi ka ndjekur të gjitha direktivat e tij dhe vendos besnikërinë ndaj vendit të tyre para asaj të partisë. Është marrë një raport i gjerë mbi grupin Cypress, të cilët dolën nga infiltrimi në Shqipëri në 15 gusht, i cili po studiohet me imtësi. Në raport ka observime të rëndësishme nga agjentët. Ata komentojnë se anëtarët e grupit nuk kishin besim te komiteti NCFA, pasi oficerët e NCFA nuk shoqëronin grupet. Anëtarët e grupit theksonin se megjithëse ishin pritur mirë nga shqiptarët që kontaktuan, ata nuk ishin në pozitë për të kryer detyrat e tyre pa një zyrtar të arsimuar e të respektuar të NCFA. Përveç kësaj, ata ndjenin se "junta" e NCFA kishte thyer marrëveshjen me agjentët e operacionit BGFIEND për caktimin e njerëzve në operacion, dhe se qasja e tyre bazohej mbi anësinë politike dhe jo në besnikërinë ndaj operacionit.

Gjithashtu, mungesa e sigurisë dukej qartë nga fakti se familjet e njerëzve që merrnin pjesë në aksion ishin marrë në pyetje nga Sigurimi përpara arritjes së tyre në zonë, si dhe nga fakti se zona e lëshimit ishte e ditur nga autoritetet shqiptare. Grupi i shpëtoi eliminimit të sigurt duke u lëshuar disa milje larg zonës së planifikuar të lëshimit. Më 13 shtator, NCFA në Nju Jork transmetoi një kabllogram për regjimin e Enver Hoxhës ku ofronte ndihma ushqimore për popullin shqiptar, të cilat të mbikëqyreshin nga një grup i paanshëm. Meqenëse asnjë përgjigje nuk është marrë deri më sot, mesazhi po përsëritet në radio dhe në shtyp, duke përmendur edhe mungesën e bashkëpunimit të regjimit të Hoxhës. Kabllogrami do të jetë edhe pika kryesore e broshurës së ardhshme për lëshim, si dhe hapi i parë për programin e lëshimit të të mirave materiale në Shqipëri. Memorandum për zotin Wisner Operacionet shqiptare të degës së OPC po kryhen në baza të përbashkëta me agjencinë përkatëse të qeverisë britanike. Vendimi për të hyrë në këtë marrëveshje të përbashkët u nxit nga shqyrtimi i politikave dhe nga rrethanat aktuale që u zhvilluan gjatë hyrjes së OPC në fazën aktive të operacioneve. Sa i përket politikave, ishte konkluzioni i planifikuesve të operacioneve shqiptare se instrumentet në dorë të SHBA për ekzekutimin e politikës së saj ndaj Shqipërisë nuk mjaftonin në vetvete, prandaj duhej kërkuar dhe marrë mbështetja e plotë e qeverisë britanike. Konkluzioni u mbështet edhe nga Departamenti i Shtetit, që ka thënë se dokumentet e politikave se "qeveria britanike duhet fillimisht informuar mbi zhvillimet, me qëllim kuptimin e mendësisë së britanikëve për problemin shqiptar dhe arritjen e një marrëveshjeje të plotë për programin dhe politikat". Përveç kësaj, diskutimet paraprake me zyrtarë të stabilimentit ushtarak sollën shqetësimin se Britania po përdor situatën aktuale në Shqipëri për zmadhimin e influencës së tyre në Ballkan, në Itali dhe në Mesdheun lindor, në kurriz të interesave të SHBA dhe gjithashtu në dëm të ndalimit të zgjerimit të influencës sovjetike. Duke marrë në konsideratë këto politika, OPC zbuloi se jo vetëm britanikët ishin përfshirë në përpjekje aktive për rifitimin e prestigjit të tyre në Greqi, por edhe se ishin në fazat e para të një operacioni në Shqipëri, i cili dyshohet se ka si qëllim forcimin e pozitës së tyre në Greqi. Prandaj, për këto arsye, OPC ftoi britanikët të nisnin operacione të përbashkëta në Shqipëri. Ishte e qartë se britanikët po përgatiteshin të vazhdonin me operacionet e tyre sido që të ndodhte, me apo pa pranimin tonë.

Operacionet e veçanta amerikane dhe britanike do të krijonin konfuzion të madh në Shqipëri me pasoja negative sigurie, dhe rrjedhimisht do të sillnin konkurrencën mes dy agjencive për të fituar mbështetjen e elementëve shqiptarë dhe zonave gjeografike, çka do të vinte në rrezik të gjithë operacionin, pasi Shqipëria nuk është aq e madhe sa të përballojë përpjekjet e dy fuqive për kontroll të popullsisë dhe territorit. Rrjedhimisht u zbulua se Britania nuk e fshihte identitetin në sponsorizimin e operacioneve të saj, duke treguar se kishte vërtet qëllime të zgjerimit të hapur të influencës në rajon. Përveç kësaj, ishte e qartë se britanikët ishin më të avancuar në operacionet e tyre sesa OPC, prandaj u mendua se duke hyrë në operacione të përbashkëta do të eliminoheshin aspektet e influencës britanike, dhe ata nuk do të mund të merrnin avantazhe të pamerituara nga operacioni. Parashikohet gjithashtu se me gjithë marrëveshjet e bashkëpunimit mes nesh, do të ketë njëfarë konkurrence për pozita mes amerikanëve dhe britanikëve dhe ndoshta pasoja pas çlirimit të mundshëm të vendit. OPC mendon se edhe nëse ka konflikte të tilla, do të jetë shumë më mirë nëse ato kufizoheshin në zona ku të mos dallohen nga shqiptarët apo krerët sovjetikë të Shqipërisë, duke mos komplikuar qëllimet e aktiviteteve. Ishte e qartë prej fillimit se vetëm marrëveshjet e ndërlidhjes nuk do të mjaftonin për arritjen e qëllimeve dhe vendosjen graduale të dominimit tonë në operacion .ishte e qartë se duke parë mungesën e zonave të dominuara nga amerikanët në Mesdhe, ne duhet të mbështeteshim në plane alternative, sipas komplikacioneve politike mes grekëve dhe italianëve për Shqipërinë.

(Kosova Sot)