Sara Blloshmi: Si i skandalizonte burrat në vitet ’20 mbesa e Ismail Qemalit

  • 15 January 2019 - 09:14
Sara Blloshmi: Si i skandalizonte burrat në vitet ’20 mbesa e Ismail Qemalit

Ajo që dihet për jetën e mbesës së patriarkut të shtetit shqiptar është fare pak. Aq sa edhe ajo që dihet, e shtrembëruar nga regjimi dhe e distancuar prej një shekulli në kohë bëhet vështirë e besueshme.

Ama në një pikë të gjithë bien dakord. Sara ishte një grua e bukur. Ka nga ata që guxuan ta quajnë edhe gruaja më e bukur e Shqipërisë për kohën. Mbase kjo ishte e vërteta… Në natën e ndërrimit të viteve, në festën e organizuar në selinë e ambasadës amerikane, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një grua myslimane do të vallëzonte në publik. E veshur me fustan të shkurtër fokstrot, do të vallëzonte palodhur deri ndaj të gdhiri, duke pritur kështu ato që kishte rezervuar moti 1926, në Tiranën e cila kishte vetëm katërmbëdhjetë vjet që shijonte frymëmarrjen si shtet i pavarur.

Kish qenë pikërisht gjyshi i saj, Ismail Qemali, burri që do të ngrinte flamurin në Vlorë, duke shpallur kështu mëvetësinë e kësaj krahine në skajet më perëndimore të Perandorisë Osmane, atëherë kur identitetet kishin nxjerrë krye duke sjellë lindjen e shtet-kombeve. Në Tiranën e qeverisur prej presidentit Ahmet Zogu (i cili dy vjet më pas do të shpallte Monarkinë) , ku gratë i shihje ende rëndom të mbuluara me ferexhe, vallëzimi për këto të fundit ishte një veprim, i cili dënohej me ligj. Kjo skenë, kaq e zakonshme për sallonet europiane, të cilët kishin sjellë atmosferë perëndimore edhe në Shqipërinë e fillimshekullit XX, do bënte çudi jo vetëm për vendasit ende fanatikë në shfaqjen e grave në publik, por edhe diplomatëve të huaj. Ishte pikërisht ajo shkundje e shpenguar e gjymtyrëve nën ritmet e muzikës swing, që pavetëdijshëm do të jepte shenjat e para të një epoke të re.

[Sarah Blloshmi]

Ndaj ambasadori gjerman me detyrë në Shqipëri asokohe, Kardoff, nuk do të mbetej pa i shkruar Berlinit mbi këtë ngjarje, shënjuar si Dosja R72437. Ai, ndër të tjera, shkruan se edhe ambasadori amerikan e ka njoftuar me gjasë Shtëpinë e Bardhë, se ai vend periferik ku jeta dukej se rridhte e qetë e pa ndonjë ngjarje të rëndësishme kishte përqafuar tashmë stilin e ngutshëm të një jete të dalldisur, me futboll e poker, me kapela dhe dansim… Kapelat cloche, një prej aksesorëve kult të viteve ’20 – ’30, do të vinin shoqëruar edhe me histori njerëzore në duart e Donika Bardhës, koleksioniste e aksesorëve të kësaj epoke. Histori që lidheshin fort me emrin e Sara Blloshmit, gruas që do të sillte Parisin e Coco Chanel, në Shqipërinë e mbuluar ende me vel oriental.

Ishte pikërisht rrëfimi i Donikës që do ia ngacmonte kureshtjen gazetarit Alfred Peza, i cili do të kërkonte gjatë për këtë personazh thuajse enigmatik të një shekulli të shkuar e do ta shndërronte më pas në protagonisten e romanit të tij “Sarah”- një roman për gra të lira dhe burra të vërtetë, në një Shqipëri mes dy luftërave botërore. Megjithëse ky roman që vjen nën logon e “Mapo Editions” i ka kushtuar autorit pesë vite punë kërkimore në arkiva e dosje, preferoi të vinte si shkrimtar i letërsisë artistike dhe jo me një libër historik, duke i dhënë liri vetes për ta zhvilluar këtë personazh interesant të Shqipërisë para diktaturës komuniste, ku bisedat e tavolinave të kafeneve dhe zilepsja epshore e burrave do ta vishte me petkat e një miti. As sa e quajtën kurtizane, agjente të mbretit Zog e jo vetëm. Një grua që zgjodhi të bënte një martesë interesi e të largohej në emigrim drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Regjimi i ri, i cili erdhi me pretendimin e madh kinse të barazisë gjinore dhe emancipimit të gruas në shoqërinë komuniste, të parën feministe mbase të historisë moderne shqiptare, jo vetëm që nuk e konsideroi, por përdori mjetet e propagandës për ta përbaltur. Ajo që dihet për jetën e mbesës së patriarkut të shtetit shqiptar është fare pak. Aq sa edhe ajo që dihet, e shtrembëruar nga regjimi dhe e distancuar prej një shekulli në kohë bëhet vështirë e besueshme. Ama në një pikë të gjithë bien dakord. Sara ishte një grua e bukur. Ka nga ata që guxuan ta quajnë edhe gruaja më e bukur e Shqipërisë për kohën. Mbase kjo ishte e vërteta. Mbase vetëm ajo kishte guxuar t’i shfaqte pa drojë e në dritë të diellit hiret e saj, stolisur me veshje të modës, parfume parisiane dhe e zhytur në një jetë luksi…Pak foto të saj janë sot në qarkullim, por edhe aq pak mjafton për të vërtetuar bukurinë e njëmendtë në tiparet e saj. Do të kishte qenë një nga protagonistet e sagave historike për romane e serialë të famshëm, po t’i kishte përkitur ndonjë familje të rëndësishme politike apo të fisnikërisë perëndimore. Edhe ajo i përkiste një prej familjeve më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Sara u lind në Stamboll më 1904-ën, kohë kur Perandoria Osmane ishte në rrënim e sipër dhe ishin ato shenja dobësie që funksionarë të lartë shqiptarë të Portës Supreme, si gjyshi i saj Ismail Qemali, i ndjenë dhe nisën përpjekjet për shpalljen e pavarësisë.

Në kohën kur Shqipëria do të shpallej shtet e kur fuqitë e mëdha në Konferencën e Londrës do të cungonin territoret etnike, Sara ishte vetëm 8 vjeç. Do të vendosej bashkë me familjen në Tiranë, të ëmën Myvedet Vlora, e parëlindura e Ismail Qemalit dhe të atin, kapitenin Vehap Bej, deri atëkohë adjutant i Sulltanit, pas një kohe të kaluar në Francë. Jo vetëm familja e së ëmës ishin pjesë e elitës politike, si në Turqi edhe në Shqipëri, por edhe familja e të atit, ku i gjyshi Abdyl Kerim Pasha, me origjinë nga Bagdadi kish qenë komandant i përgjithshëm i trupave osmane në luftën ruso-turke të vitit 1877-1878. Ishte ende pa i bërë të njëzetat kur u martua me ushtarakun Seladedin Blloshmi ( me mbiemrin e të cilit do të njihej, edhe pas martesës me ushtarakun anglez), që ishte shkolluar në Akademinë Ushtarake franceze të Seint Sirit.

Ishte nëntëmbëdhjetë vjeçare më 1923 –shin kur u bë mama e një vajze, Verës. Për shkak të detyrës së të shoqit si Ambasadori i Shqipërisë në Rumani, Sara do të jetonte disa vite të jetës së saj në Bukuresht. Jeta në Paris dhe Bukuresht, dy kryeqytete të rëndësishme të Perëndimit dhe Lindjes, do e bënin të shpenguar gruan e re, mama e një vajze 3 –vjeçare asokohe, e cila do të vallëzonte e argëtohej ndaj të gdhiri, me të motrën, në shoqërinë e diplomatëve të huaj e vendas atë ndërrim vitesh, teksa trokiste 1926 –a. “Nga fotot që kanë mbetur, nga tregimet familjare e kujtime të ndryshme, Sara ka qenë një grua shumë e bukur dhe mjaft inteligjente. Sa herë diskutohet për Sarën, unë imagjinoj një ikonë të bukurisë dhe e krahasoj me ato femra që, falë inteligjencës dhe përgatitjes së tyre, këtë dhuratë të natyrës jo që nuk e shpërdoruan, por ditën ta vlerësojnë” –kështu do e përshkruante kushërirën e tij, Darling Vlora, një nga pasardhëset e Ismail Qemalit. Një grua e bukur, e rritur në mjediset e aristokracisë së lartë të Stambollit e Parisit, nuk mund t’i shpëtonte edhe çmimit që duhej të paguante.

Me adhurimin, do të vinte edhe përfolja e emrit të saj, jo gjithmonë për mirë. Por Sara dukej se nuk e vriste mendjen për thashethemet që ndizeshin rreth saj. Dukej se vazhdonte jetën e patrazuar. Pas vdekjes së të shoqit, Selahedin Blloshmi, Sara u njoh me ushtarakun britanik Vandeleur Robinson, e me të cilin lidhi kurorë në shtator të vitit 1945, në Londër, vit kur në Shqipëri do të niste sundimi i gjatë e i egër i diktaturës komuniste. Nëse do të ekzistonin tabloidet apo shtypi rozë, do të mbushej plot me lajme të pakonfirmuara e shpesh të stisura mbi jetën e socialite-s, Sara Blloshmi. Por në vend të tyre ishin thashethemet e kafeneve, ku martesa e saj nuk shpëtoi pa rënë në sy e u komentua se kish qenë interes i pastër. Sara e pa si një mundësi për t’u larguar nga Shqipëria. “Nuk është aspak e vërtetë, pasi Sara mund të largohej kur të donte gjatë luftës, edhe pa qenë e martuar me Robinsonin. Ajo ishte e re, e bukur dhe e pasur. Asgjë nuk i mungonte dhe asgjë nuk e pengonte, përveç dëshirës për të jetuar në Shqipëri. Nga ana tjetër, nëse kjo martesë do kishte qenë thjesht për qëllimin e largimit, Sara nuk do kishte jetuar me Robinsonin deri në fund të jetës e, aq më tepër, pas vdekjes së Sarës për Robinsonin vazhdoi të kujdesej Vera” –ka zbuluar kushëriri, Darling Vlora. Duket se përtej miteve dhe mjegullës së thashethemnajës që veshën figurën e Sara Blloshmit, të vetmet dëshmi që hedhin dritë mbi jetën reale të saj, janë ato të së bijës Vera dhe të kushëririt. “Nëna ishte martuar në Shqipëri me majorin Vendleur Robinson.

Ai ishte në misionin anglez në Shqipëri, por pastaj Enver Hoxha nuk i deshi më as amerikanët, as anglezët, as francezët. Të gjithë të huajt u detyruan të largoheshin. Nëna nuk donte të largohej nga Shqipëria pa më marrë edhe mua. Pushteti i atëhershëm, duke më llogaritur si produkt të Shqipërisë, nuk jepte leje. Unë duhej të bëja art për Shqipërinë dhe të mbetesha këtu. Më kujtohet, një herë më thanë të bëja një portret të Leninit. Mirëpo, u thashë se nuk bëja dot portrete nga fotografia. Ma sollën një partizane me pushkë e me kapelë me yll, që ishte e moshës sime, dhe bëra një pikturë të cilën e mori shteti” – ka rrëfyer Vera në një intervistë dhënë në Londër në vitin 1996. Më 1945 –ën, një avion që vinte nga Sofja, ndaloi në aeroportin e Rinasit.

Midis pasagjerëve, përveç Sarës dhe Robinsonit, ishte edhe Vera. Thuhet se Vera hipi në avion për t’u përshëndetur me nënën dhe, sapo u ndodh brenda, dyert u mbyllën dhe piloti u urdhërua të nisej. “Pastaj, së bashku me nënën dhe burrin e saj shkuam në Romë, ku unë vazhdova akademinë.” – ka rrëfyer Vera Blloshmi, e cila ia dedikoi jetën pikturës. Në nëntor të 1945 -ës, Sara u kthye në Shqipëri, si shtetase angleze. Lëvizjet e saj, takimet – qoftë edhe me nënën dhe të motrën – do të monitoroheshin nga aparati i Sigurimit të Shtetit që sapo ishte ngritur. Sipas raporteve ( Edhe gazetari Alfred Peza thotë se ka gjetur materiale të pasura në Arkivat e Ministrisë së Brendshme, ku gjeti dosjen e Sara Blloshmit, mbi ndjekjen që Sigurimi i Shtetit i ka bërë në vitet 1944- 1946, para se të largohej në Britani dhe pasi u rikthye edhe njëherë, për t’u larguar përfundimisht) Sara dhe Vandeleur Robinson takoheshin me miq të veçantë, “të gjithë bejlerë dhe personalitete në kohën e Zogut… simpatizantë të imperializmit anglez”, të cilëve “u ipnin revista dhe gazeta politike të së djathtës”. Midis emrave të përmendur në disa raporte që datojnë fundvitin 1945 dhe vitin 1946, ndeshim Qamil Vlorën dhe djalin e tij Ismail Qemalin, Xhemal Frashërin, Isuf Vrionin, Myqerem Janinën, Skënder Konicën, etj («Materiale agjenturalo-operativo mbi agjenten angleze Sara Blloshmi» / AMB Dosja 102).

Edhe pas largimit të Sarës nga Shqipëria, Sigurimi vazhdoi të kontrollonte korrespondencën e saj me Shqipërinë, me nënën dhe motrën që vazhduan të jetojnë në Tiranë. Pas një qëndrimi të shkurtër të Romë, Sara dhe i shoqi u vendosën përfundimisht në Londër. Ndërsa edhe e bija, Vera u martua me një ushtarak anglez James Avery Mellet, e iu bashkua të ëmës më vonë në Angli. Në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, ndër të tjera, gjenden edhe disa foto dhe një letër e Sarës dërguar nënës së saj, e cila vazhdonte të jetonte në Tiranë, foto dhe letra që nuk shkuan në destinacion, por mbetën në duar të Sigurimit. Për jetën e Sarës në kryeqytetin britanik dihet pak, edhe ato të rrëfyera vite pas vdekjes së saj nga e bija Vera, ndërsa në Tiranën e izoluar nën regjimin e hekurt Sara Blloshmi ishte përzgjedhur si simboli për të goditur jo vetëm elitën e një regjimi të mëparshëm, atë të Mbretit Zog, por një epokë e tërë. Herë duke përdorur pseudonime, e herë më emrin e saj, historia e Sarës u përfshi në libra të kohës.

Ismail Kadare e ka përmendur në mënyrë periferike si një grua që merrte pjesë në ballot e Mbretit, në librin “Nëntori i një kryeqyteti”, ndërsa Dhimitër Karaguni në librin “Agjenti 333”, botuar nga shtëpia “Naim Frashëri” më 1970 –ën, e ka vendosur historinë e Sara Blloshmit nën pseudonimin Sava. Për qëllimet e propagandës, një grua duhej veshur me tipare thuajse mitike – edhe pse mbartnin të gjithë të këqijat të cilat i luftonte sistemi i ri politik. Si një Mata Hari, Blloshmi do të ishte nën penën e propagandës poli-agjente, grua shtrati për shumë qeveritarë të kohës e diplomatë (pa pasur kurrë fakte u tha se ishte e dashura e mbretit Zog. Ky fill i ka shërbyer autorit Alfred Peza për të ndërtuar romanin e tij “Sarah”) “Për të bërë sa duhet dhe si duhet propagandën e tyre, këta libra shtypeshin në tirazhe të larta, që sot do t’i kishte zili çdo shkrimtar. Fatkeqësisht kritikat më të egra i bëhen së bukurës dhe së mirës, aty keqdashja ndien kënaqësi.

Dhe Sara, me bukurinë dhe inteligjencën e saj, e tërhoqi pas vetes këtë keqdashje. Mua më pëlqen ta kujtoj pikërisht të tillë; një ikonë të bukur të femrës aristokrate të shoqërisë shqiptare gjatë dy dekadave të paraluftës e më pas në diasporë” – u është përgjigjur Darling Vlora të gjithë ortekut të thashethemnajës që zien në Tiranë për thuajse një shekull. Ndërkohë që në Shqipërinë e izoluar komuniste ajo ishte bërë simboli i kurtizanes dhe agjentes (deri aty do të shkonte propaganda sa do i vishte edhe faje të paqena e të pakonfirmura ndonjëherë se kish pasur gisht në vdekjen e të shoqit) Sara vazhdonte jetën e qetë në shtetin ishullor, aty ku aristokracia jetonte natyrshëm nën regjimin monarkik të Mbretëreshës. Pak vite më vonë do i vinte dhe e bija, Vera, e cila e gëzoi me një vajzë, Sonjën e ndërsa Sonja i kërkoi t’i pagëzonte të bijën me emrin Sara. Do ta linte këtë jetë më 1975-ën, pasi kish vuajtur disa vite nga sëmundja e leucemisë, siç ka rrëfyer e bija, Vera.

I vetmi gëzim nga Shqipëria, pak para se të ndërronte jetë, ishte vizita e së motrës, Belkisit, që ishte edhe mamaja e Nermin Vlora-Falaschi. Në Tiranë, gjurmët e Sara Blloshmit ndiqeshin ende (letrat drejtuar familjes nuk shkonin kurrë në destinacion, porse në duart e shërbimit sekret). Edhe pse larg, e bija Vera ka treguar se ato informoheshin me ç’ndodhte në Shqipëri. Merrnin letra nga miq, po ashtu edhe libra dhe e dinin se Shqipëria ishte kthyer shumë mbrapa në kohë e nuk i ngjante më asaj nate të hareshme kur trokiste 1 janari i vitit 1926, kur Sara Blloshmi me fustanin e saj të shkurtër plot shkëlqim do të vallëzonte për të shënuar një epokë…Shqipëria nuk u bë ajo e sallave të dansit, e grave me kapela që vallëzojnë Charleston e tymosin me çibukët e tyre të gjatë, ndërsa burrat luajnë poker e rrëkëllejnë pije të kushtueshme alkoolike, por Sara u ngulit thellë jo vetëm në kujtesën e brezit që e njohu, por hyri në histori si gruaja e Shqipërisë mes dy botëve…

Nga Suadela Balliu*

*Marrë nga Madame Mapo “Miti pas një gruaje”

(Kosova Sot)