Rrëfimi i Zhani Ziçishtit: Arratisja në Greqi me djalin, meraku pas pritjes në ambasadë dhe doganë. Më shkallmuan…

  • 31 January 2019 - 08:57
Rrëfimi i Zhani Ziçishtit: Arratisja në Greqi me djalin, meraku pas pritjes në ambasadë dhe doganë. Më shkallmuan…

ALMA MILE/ Zhani Ziçishti ka qenë një nga aktorët më të veçantë të brezit të tij, ndoshta për faktin se rolet që ai interpretonte ishin përtej stereotipave të heronjve pozitivë.

Ai kishte zgjedhur të bënte “djalin e keq”. Asokohe shihej herë shtrembër e herë me adhurim. Përtej duartrokitjeve dhe admirimit që nuk i mungonte asnjëherë një aktori flokëzi dhe me sybojëqielli, Zhani Ziçishti ka kaluar edhe periudha shumë të vështira. Kohë që i kanë lënë shenjë në jetë. Bëhet fjalë kur u dënuan dy kushërinjtë e tij të parë: Llambi Ziçishti, ish-ministër Shëndetësie u dënua me vdekje, ndërsa Mihallaq Ziçishti, ish-numri dy i Ministrisë së Brendshme, me 25 vjet burgim. Pas kësaj ngjarjeje, aktori do të lihej për 4 vjet pa asnjë rol. Nuk ishte vetëm largimi nga skena dhe ekrani, por edhe frika për më të keqen, për veten dhe për familjen. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ziçishti tregon pikërisht këtë periudhë të vështirë të jetës së tij, kur priste nga çasti në çast ta arrestonin, siç kishte ndodhur edhe me të tjerë para tij. Në këto rrethana të vështira, falë origjinës greke ai largohet nga Shqipëria për në shtetin fqinj, ku do të jetonte disa vjet.

[Zhani zIçISHTI]

A ka ndonjë rol që keni dashur ta luani, por nuk keni e keni realizuar?

Një rol që më ka mbetur peng ishte në një dramë të Sotir Andonit, që e ndaloi Sekretari i Parë. Pas pushkatimit të Llambit dhe burgosjes së Mihallaq Ziçishtit, që ishin kushërinjtë e mi të parë, për katër vjet unë nuk kam luajtur as në teatër, as në kinema. Më thoshte drejtori: “Ulu atje në fund dhe mos e hap gojën”. Unë prisja të më arrestonin nga dita në ditë, sepse shumë nga fisi i morën brenda. Deri sa vdiq Enveri, unë nuk luajta më asnjë film. Një muaj pas vdekjes së tij më thirrën prapë në Kinostudio, por me kusht që të ndërroja mbiemër.

Si të ndërronit mbiemër?

Babain e kisha me origjinë greke. E ka pasur mbiemrin Petropulos, po ne të regjistruar e kemi pasur Petra. Kur erdhi partia, Mihallaqi i thotë babait: ‘Hiqe këtë mbiemër se do na marrësh më qafë’ dhe ai e hoqi. Por babai e mbante Ziçishti dhe unë në filma e kam mbajtur ashtu. Gjatë kohës së Luftës, kur Llambi dhe Mihallaqi u angazhuan në Frontin Nacionalçlirimtar, që të mos merrnin më qafë fisin e vet vunë mbiemrin Ziçishti, si për të thënë që ne nuk kemi punë me këta. Në kohën e Partisë, ne e bëmë Petra. Kurse kur shkova në Greqi, e ktheva si e ka pasur babai qëmoti. Kam pasur edhe certifikatat përkatëse.

Kur vëllezërit Ziçishti ishin me pushtet, sa ju favorizonte lidhja me ta?

S’kisha asnjë lloj favori. Unë i kisha kushërinj të parë, baballarët vëllezër, por nuk kisha asnjë përkrahje nga ata. Kur Mihallaqi ishte zv.ministër, në teatër donin të më bënin anëtar partie. I them Mihallaqit që organizata bazë e partisë do që të hyjë në Parti dhe ai më tha: “S’ke punë ti të bëhesh anëtar partie. Mos u ngatërro me partira. Dhe nëse të kërkojnë që unë të ndihmoj ndonjë shokun tënd, flije mendjen. Mos bëj asnjë premtim dhe s’ke për të pasur asnjë përkrahje”. Kështu që, unë jam marrë vetëm me punën time. Ai më ndiqte, i kishte parë edhe rolet e mia dhe njëherë më thotë: “Ç’i ke këto role bre, i tëri negativ, je bërë me ballistët, na turpërove fisin”.

Bënte humor. Njëherë ka ndodhur që më ka ndihmuar. Kur isha i ri bëja pjesë në një grup të vogël me instrumentistë dhe i binim në një lokal. Të gjitha këngët e festivaleve ne i regjistronim në një magnetofon, që një shokut tonë i kishte ardhur nga Italia dhe të nesërmen i luanim. Njëherë na erdhi policia, më mori kitarën, ma thyen dhe na mbajtën gjithë natën. Po na lanë se isha kushëri i Mihallaq Ziçishtit. Prindërit u merakosën shumë dhe njoftuan edhe Mihallaqin. Shpëtuam vetëm falë Mihallaqit, ndryshe do na kishin futur brenda.

Ju erdhi i çuditshëm dënimi i Mihallaqit dhe Llambit?

Enveri i bëri të gjithë armiq. Intelektualët, njerëzit me shkollë i bëri armiq… Mihallaqi dhe Llambi kishin bërë Liceun francez. Llambi studioi në Francë.

A kishin ata njohje të hershme me Enver Hoxhën?

Po sigurisht, që në kohërat e luftës. Pastaj, Enveri ka ardhur në shtëpinë e Mihallaqit kur ai ishte sekretar në Korçë. Madje, ka ardhur për darkë kur kishte ditëlindjen dhe masat e sigurisë ishin aq të forta, saqë as unë me gruan nuk u lejuam nga policët të hynim. As dhuratën nuk ia dhamë dot me rastin e 65-vjetorit. U thashë që jemi kushërinj, por as bëhej fjalë. Nuk të linin. Edhe ushqimet ishin të kontrolluara. Vetë ata i kontrollonin.. Pra, kishin miqësi, por kur erdhi puna e futi brenda.

Sa vjet burg bëri Mihallaqi?

Mihallaqi bëri 8 vjet burg dhe u lirua me ardhjen e demokracisë. Por e helmuan në Durrës, pasi bashkë me Todi Lubonjën foli shumë keq për Ballin Kombëtar te “BBC”. Në një lokal i hodhën helmin dhe kur erdhi në shtëpi mbaroi.

Si e keni përjetuar periudhën e dënimit të tyre?

Ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Kemi rrojtur me frikë. Edhe një telefon që kishim e hoqa fare, se kisha frikë se na përgjonin. Të gjithë në shtëpi ishim në tension. Flisnim me zë të ulët, edhe muret dëgjonin. Llambin e vranë. A vritej Llambi? Ai ishte njeri që fliste vetëm për teatër e për opera. Ishte njeri i jashtëzakonshëm. Mjek i shkëlqyer… Një tjetër nga fisi e futën brenda. As u mor vesh se çfarë kleçke i gjetën. Spiunët ishin sheshit.

Cili qe fati i familjarëve të Mihallaqit dhe Llambit?

Familjarët e tyre i internuan, i çuan nga zona e plazhit në Durrës. Familja e tyre u shkatërrua. Të gjithë pësuan drama.

Çfarë bëtë ato katër vjet që nuk u angazhuat me role?

Edhe ato shfaqje repertori ku luaja unë nuk u shfaqën më, i lanë si mënjanë. Aktiviteti ra ndjeshëm në teatër, se kishte edhe të tjerë si puna ime. Ishte periudhë shumë e vështirë. Unë prisja të më burgosnin, madje njëherë, kur luaja rolin e një agronomi me motor, më kanë marrë ata të Degës. Më thirrën në hotel, më thanë kemi një punë me ty. Unë u preva, thashë, më morën. Kishin bërë gati një kartë për të firmosur, as e lexova se ç’thoshte. Më kanë mbajtur gjithë natën, deri në mëngjes. Më sollën një kafe dhe më thanë: “Partia mendon për ty! Ti duhet të bashkëpunosh me ne dhe të na raportosh çdo gjë që bëjnë artistët, kudo që të vesh”. Donin të më bënin spiun. Kishin caktuar edhe vendin se ku do takoheshim dhe të tregoja. Unë s’dija ç’t’u thosha, vetëm të gënjeja, s’ndodhte asgjë.

U shqetësova shumë e ndoshta që atëherë më filluan problemet me zemrën. I kisha flokët pis të zeza dhe m’u thinjën brenda natës nga sikleti. Mendova më të keqen. Mendova që do më vrasin. Mendoja për fatin e fëmijëve. Djalin e kisha në Institut për violinë, vajzën në vitin e parë gjimnaz. Mendoja që duhet të bëja diçka.

Çfarë mund të bënit?

Me të dalë që aty, nisa të mendoj vetëm se si t’i shpëtoja ata. Një miku im kishte ikur në Greqi dhe komunikova me të. Të paktën të shpëtoja djalin. Shkova në ambasadë për të nxjerrë një vizë për vete dhe për djalin. Një nga ata më njihte, panë edhe mbiemrin dhe thanë: “Ti qenke i yni, grek i pastër”. Më dhanë vizë dhe në mënyrë tepër të fshehtë, mora djalin dhe me një makinë shkuam në doganë. Ajo ishte e mbyllur me tela me gjemba. Kisha marrë edhe një rekomandim nga Ibrahim Madhi. I thashë të më jepte një letër, se mos e çoja djalin jashtë, të ma dëgjonin njëherë në violinë. Nuk i thashë të vërtetën. Ma dha. Dhe kur shkova në doganë, e tregova. Më kontrolluan dhe më shkallmuan gjithçka që kisha me vete. Kur shkova andej më pritën shumë mirë.

Qëndruat në Greqi?

Djali mori pjesë vërtet në një audicion. E dëgjoi një dirigjent dhe tha që do ta mbante, por meraku im ishte në Shqipëri, se kisha frikë se ç’do t’i ndodhte gruas dhe vajzës. Bëmë ç’ishte e mundur që të rregullonim një dokument sikur ato do të vinin të shihnin djalin për një koncert. Dhe kështu i mora. Ndenjëm për pak kohë, por na duhej të ktheheshim se kishim edhe nënën në Shqipëri. Unë ndenja katër vjet e gjysmë, kohë gjatë së cilës punova te “Siemens”-i, ndërsa djalin e lashë andej, të vazhdonte rrugën.

Pra, ju ikët nga Shqipëria përpara “hapjes” së kufijve?

Po, po, akoma nuk ishin hapur kufijtë. Ishte me tela me gjemba. Në doganë më morën në pyetje: ku do shkosh, çfarë do bësh. U thashë që do vemë për konkurs dhe kthehemi prapë, se unë kisha familjen, gruan, vajzën, nënën, punën. Kur u ndërruan sistemet erdhi edhe gruaja dhe gjithçka u rregullua.

Kur u kthyet në Korçë, provuat sërish në teatër?

U ktheva sërish në teatër, por gjërat kishin ndryshuar. Në fillim nuk donin të më pranonin dhe u mora me biznes, me antenat elektronike, të cilat i solla për herë të parë në Shqipëri. Më pas vazhdova në teatër. Por shumë aktorë e regjisorë s’ishin më. Vetëm një Dhimitër Orgocka kishte mbetur.

Kush ishte Mihallaq Ziçishti?

Mihallaq Ziçishti: Kam bashkëpunuar me Mehmetin për sabotimin e punës së Partisë

Mihallaq Ziçishti (1921 – 1994) ka qenë një nga funksionarët më të rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme dhe në ish-Sigurimin e Shtetit gjatë viteve të diktaturës komuniste. Mihallaq Ziçishti mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj kreu Akademinë Ushtarake në Moskë. Ka qenë shef seksioni i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege në rrethe të ndryshme, zëvendësministër i Brendshëm me gradën “Gjeneral Leitnant”, drejtor i Sigurimit të Shtetit, anëtar i KQ të PPSH dhe Sekretar i Parë i Partisë në Korçë dhe më pas në Durrës.

Bashkë me të vëllanë, Llambi Ziçishtin, u dënuan me grupin e Mehmet Shehut, por nëse i vëllai, ish-ministër Shëndetësie do të dënohej nga trupi gjykues, me në krye Aranit Çelën, me vdekje, Mihallaq Ziçishti do të dënohej me një çerek shekulli burg, prej të cilave kreu vetëm 8 vite dhe doli nga qelia me ndërrimin e sistemeve. Mihallaq Ziçishti u dënua me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me 25 vjet të heqjes së lirisë, me të njëjtin grup ku bënin pjesë edhe Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu. Krahas viteve të burgut, Gjykata vendosi që ai dhe të dënuarit e tjerë të dëmshpërblejnë buxhetin e shtetit me shumën 1.219.764 lekë.

Gjatë seancave gjyqësore ai pranoi bashkëpunimin “armiqësor” me Mehmet Shehun, për sabotime të “punës së Partisë”, për sabotime në ekonomi, mbrojtje, madje edhe në lëmë të artit dhe kulturës. Në deponimet e tij në seancën e 24 të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, një nga anëtarët drejtues të këtij grupi, Mihallaq Ziçishti, deponon aktivitetin e tij armiqësor gjatë kohës që ishte Sekretar i Parë i Partisë në Rrethin e Korçës, krahas të tjerave, edhe në fushën e artit e të kulturës. “Emërimi im në detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë në rrethin e Korçës, u bë me ndërhyrjen e Mehmet Shehut, në mënyrë që të shtrihej në një spektër sa më të gjerë veprimtaria e ‘grupit tonë agjenturor në shërbim të zbulimeve të huaja’.

Detyrat e mia përfshinin dobësimin e punës dhe rolit të Partisë, sabotimet në ekonomi, sabotimet në fushën e mbrojtjes, sabotimet në fushën e kulturës dhe aspekte të tjera. Në atë kohë, pas dënimit nga Enver Hoxha të dramës ‘Njollat e murrme’, vënë në skenë në Tiranë, në Korçë erdhën autorët e kësaj drame. Kështu, me porosi të Mehmet Shehut që ishte kryetari i grupit tonë, unë i mbajta afër dhe i ndihmova Fadil Paçramin, Todi Lubonjën e Minush Jeron. Qëllimi ishte t’u krijoja mundësi të vazhdonin më tej aktivitetin e tyre në këtë fushë, që ndihmonte dukshëm dhe objektivat që kishte grupi jonë i drejtuar nga Mehmet Shehu…”, deponoi mes të tjerave në këtë seancë Mihallaq Ziçishti…

VIJON

(Kosova Sot)