Ja përplasjet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë

  • 02 February 2019 - 09:00
Ja përplasjet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë

Beogradi anuloi gjyqet publike të 25 jugosllavëve pro-sovjetikë

Nëntëdhjetë për qind e popullsisë raportohet e gatshme të mbështesë çdo tentativë serioze për përmbysjen e qeverisë aktuale. Por, çështja kryesore në mendjen e rezistencës janë garancitë që Jugosllavia të mos përfitojë territore në kurriz të Shqipërisë

Amerikanët kanë treguar të tjera detaje mbi zhvillimet në Shqipërinë komuniste. Përmes një dokumenti të deklasifikuar për vitin 1959, ku jepen detaje për përplasjet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Po ashtu, tregohet e si shumë shqiptarë nuk e pranonin regjimin e Enver Hoxhës. 

Marrëdhëniet e Jugosllavisë me bllokun Veprimet e fundit të Beogradit tregojnë se në kontrast me qasjet e mëparshme, ai tashmë është i gatshëm të reagojë kundër bllokut sovjetik deh sulmeve anti-jugosllave. Marrëdhëniet e zakonshme armiqësore me Shqipërinë kohët e fundit janë përkeqësuar edhe më shumë me shkëmbime protestash dhe akuzash. Kohët e fundit Beogradi ka vendosur papritur të publikojë gjyqet e shqiptarëve të akuzuar për spiunazh ndaj Jugosllavisë. Ky është një ndryshim i konsiderueshëm që prej janarit të shkuar kur Beogradi anuloi gjyqet publike të 25 jugosllavëve pro-sovjetikë, pasi i trembej pasojave në marrëdhëniet me bllokun. Në fjalimin e Titos në Shkup më 6 mars ai quajti liderin shqiptar Enver Hoxha "luftënxitës... Goebel-i i ri i Ballkanit", ndërsa një ditë më parë kërcënoi se do të denonconte sulmet "irredentiste" të Shqipërisë dhe Bullgarisë para Kombeve të Bashkuara. Tito ka shprehur gjithashtu vendosmërinë e tij për t'iu kundërpërgjigjur të gjithë akuzave të bllokut në të ardhmen, duke bërë të qartë se nuk do të ketë marrëveshje me Bllokun për sa kohë që Moska lejonte veprime të tilla. Më 14 mars Beogradi njoftoi thirrjen e ambasadorit të tij në Shqipëri dhe kalimin e tij në detyra të tjera. Edhe Shqipëria pritet të bëjë reagimet e saj të ngjashme por asnjë nga vendet nuk pritet të nisë një ndërprerje të plotë të marrëdhënieve. Edhe një ngrirje e ngjashme në lidhjet me Kinën, nuk rezultoi në prishjen e plotë të marrëdhënieve. Veprimet e Beogradit parashikojnë një përkeqësim të mëtejshëm të lidhjeve me bllokun sovjetik, veçanërisht me Shqipërinë dhe Bullgarinë. Krisjet ideologjike të Jugosllavisë me bllokun sovjetik nuk duket se kanë perspektivë zbutjeje. Jugosllavët dolën nga kampi komunist në 1958 por ngulin ende këmbë se marksizëm-leninizmi po interpretohet korrektësisht në Jugosllavi. Shkakun e prishjes Beogradi nuk e konsideron si ideologjik, por si rezultat i refuzimit të dominimit sovjetik prej tij, dhe thotë se edhe vende të tjera të bllokut po ndjekin shembullin e Jugosllavisë për praktikat e brendshme. Tito tha më 7 mars se debati nuk është teorik, por rezultat i "ndryshimeve të opinionit në disa çështje që janë ngritur nga praktika e zhvillimit socialist, si në bllok ashtu dhe në Jugosllavi". Me gjithë pretendimet sovjetike të shtypjes së revizionizmit, në kongresin e 21-të të partisë, Moska duket se është e shqetësuar për influencën ndarëse të Jugosllavisë në bllok, pas simpatisë që ka marrë nga vende të Afrikës dhe Azisë. Me qëllim të diskreditojë teorinë jugosllave në bllok, sovjetikët refuzojnë arritjet e brendshme të Jugosllavisë. Tito ka vizituar kohët e fundit vende si Indonezia, Burma, Cejloni e Sudani për të akumuluar mbështetje, por Kremlini i ka quajtur jugosllavët "agjentë imperialistë". Kjo binte në kundërshtim me deklaratën e Hrushov në fjalimin e hapjes në Kongres, ku tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me jugosllavët në përpjekjet kundër imperialistëve, aty ku përputhen interesat e dy vendeve.

Diferencat Që prej nisjes së konfliktit, diferencat partiake kanë dhënë rezultate dhe në marrëdhëniet shtetërore, siç ilustrohet aktualisht nga tensionet shqiptaro-jugosllave. Marrëdhëniet me Pekinin janë thuajse pezulluar që prej verës së shkuar dhe i vetmi vend me të cilin Beogradi ka lidhje është Polonia, me të cilën vazhdojnë këmbimet ekonomike, kulturore dhe shkencore. Megjithëse kreditë ekonomike të BRSS për Jugosllavinë janë ndërprerë, Moska dhe satelitët e saj i tremben një bllokade të gjerë ekonomike ndaj Jugosllavisë, pasi herën e fundit rezultoi e paefektshme dhe mund të zgjojë simpatinë e vendeve afrikane dhe aziatike. Të gjithë vendet komuniste përveç Kinës dhe Rumanisë, kishin bërë marrëveshje tregtare me Jugosllavinë në 1959. Nëse këto marrëveshje zbatohen pozita tregtare e Jugosllavisë me bllokun lindor nuk dëmtohet shumë, por për këtë Jugosllavia nuk ka siguri. Gjithsesi nga frika e kërcënimit për humbjen e tregjeve të bllokut lindor, jugosllavët kanë nisur kërkimin e alternativave të tjera. Ndërkohë ndihma e Shteteve të Bashkuara për Jugosllavinë vazhdonte në nivel të lartë për vitin 1959: 22.5 milionë dollarë për impiantin e fertilizuesve në Pançevë, 5 milionë dollarë për motorët e benzinës, 14.2 milionë dollarë për shëndetësinë, arsimin e bujqësinë, 62,2 milionë dollarë për zhvillim të përgjithshëm ekonomik. Britania ka dhënë 3 milionë paund për bujqësinë dhe pajisje të tjera dhe Franca gjithashtu ka treguar interes për asistencë. Ndërkohë Beogradi po punon zhvillimin dhe arritjen e tregjeve të tjera të materialeve bazë në Azi e Afrikë. Gjatë turneut diplomatik të Titos në Indonezi, Burma, Cejlon, Indi, Etiopi e Sudan, vendet pranuan në parim përmirësimin e lidhjeve ekonomike, dhe premtimet mund të jenë mjaft të frytshme për jugosllavët, në një kohë kompeticioni nga vendet e bllokut. Por me gjithë tensionet me vendet e bllokut lindor, Beogradi po tregohet i vendosur të mos ndërthuret shumë me vendet e Perëndimit, duke dashur të ruajë politikën e tij të paanësisë. Pas kthimit të Titos në Jugosllavi, ai dënoi fuqimisht akuzat e bllokut se po përpiqej të krijonte një "bllok të tretë" apo të ringjallte paktin e Ballkanit me Greqinë, që sipas Hrushovit, e afronte Jugosllavinë me NATO. Pakti i Ballkanit thuajse nuk u prek fare gjatë bisedimeve me Karamanlis. Një zëdhënës jugosllav sulmoi gjithashtu më 13 mars shtypin e Turqisë për "shtrembërime" mbi Jugosllavinë, me shumë gjasa për të theksuar faktin se Jugosllavia nuk kërkonte rihapje të Paktit të Ballkanit. Gusht 1952 

Pakënaqësia me regjimin Hoxha Thuajse në çdo fshat dhe qytet në Shqipëri ka grupe të vogla shqiptarësh që punojnë kundër regjimit të Hoxhës. Ata kryejnë aktivitete të ndryshme propagande dhe presin ditën për nisjen e lëvizjes çlirimtare, por nuk kanë lidhje me grupe të tjera anti-komunistësh jashtë Shqipërisë. Nëntëdhjetë për qind e popullsisë raportohet e gatshme të mbështesë çdo tentativë serioze për përmbysjen e qeverisë aktuale. Por çështja kryesore në mendjen e rezistencës janë garancitë që Jugosllavia të mos përfitojë territore në kurriz të Shqipërisë. Në zonën e Martaneshit, liderët lokalë mund të mbledhin rreth 250 njerëz të gatshëm në rast të caktimit të një kohe për nisjen e kryengritjes ndaj regjimit. Gjithashtu shumica e komunistëve janë të gatshëm të bashkëpunojnë me organizatat që kërkojnë përmbysjen e qeverisë pasi janë të zhgënjyer nga regjimi, dhe janë të sigurt se Bashkimi Sovjetik nuk do të rrezikojë të futet në luftë për të shpëtuar Shqipërinë. Ata janë të opinionit se rrjedhimisht pushteti i Hoxhës do të bjerë, dhe se më pas do të duhet të justifikojnë veprimet e tyre me qeverinë pasardhëse. Prandaj ata do të bashkëpunojnë me ata që i garantojnë se në të ardhmen aktivitetet e tyre do të harrohen. Edhe policia që më parë ishte organi i besuar i qeverisë Hoxha tashmë nuk shihet si një element i besueshëm nga autoritetet. Llogaritet se vetëm çereku i njësive të policisë janë besnike ndaj regjimit komunist. Kjo situatë ka ardhur si rezultat i politikave të shërbimit të detyrueshëm në polici, përveç shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Kur dikush mbaron shërbimin ushtarak, ai duhet të kryejë dhe një periudhë rekrutimi me policinë, politikë kjo që është pritur me zemërim dhe ka krijuar një mendësi dashakeqe ndaj regjimit të Hoxhës. Prej marsit 1952, njerëzit në disa komunitete të Dibrës, Elbasanit e Korçës po pajisen me armë. Në fshatrat e vogla njerëzve u janë dhënë 10-15 pushkë, ndërsa në qytetet prej 400 banorësh ose më shumë janë shpërndarë deri në 100 pushkë

Funksionet e patrullave Çdo fshat ose qytezë është ngarkuar me ruajtjen e rrethinave të saj. Patrulla të rregullta të anëtarëve të partisë mbikëqyrin zonat e tyre të caktuara me detyra si ruajtjen nga infiltrimet ajrore, ndalimin e broshurave të hedhura nga ajri apo ndjekjen dhe kapjen e individëve apo grupeve të diversantëve. Liderët lokalë të partisë organizojnë zonat e patrullimit dhe mbajnë fjalime propagande për fshatarët pas punës, të cilat nganjëherë zgjasin deri në mesnatë. Kjo sepse partia komuniste beson se popullatës nuk duhet t'i lejohet fare kohë e lirë të cilën mund të shfrytëzojnë për konspiracion ndaj qeverisë. Aktiviteti anti-komunist në Shqipëri Mars 1949 Më 3 dhjetor 1948, policia shqiptare shtypi dy tentativa për revoltë në Gjirokastër e Fier. Dy tentativat revolucionare u kryen nga mbështetës të Koçi Xoxe, i cili tetorin e shkuar raportohet të ishte shkarkuar si ministër i brendshëm, pasi u bë palë me mareshal Titon në debatin e këtij të fundit me vendet komuniste të Kominform. Revolta planifikohet t'i jepte një pretekst forcave të armatosura të Titos për pushtimin e Shqipërisë. Gjatë shtypjes së revoltës, policia arrestoi një numër të madh por gjithsesi të paspecifikuar njerëzish, duke përfshirë dhe tre zyrtarë të lartë të shtetit, mundësisht ministra të qeverisë. Këta të fundit u akuzuan për pjesëmarrje në komplot dhe për kontakte me ministrinë e brendshme të Jugosllavisë, me anë të minoritetit shqiptar në Kosovë. Tentativa e revolucionit ishte një simptomë e qartë e përçarjeve të brendshme që aktualisht ekzistojnë brenda partisë komuniste të Shqipërisë. Më i rëndësishmi prej tyre besohet të jetë anësimi zyrtar i Shqipërisë me vendet satelite sovjetike të Kominform, në debatin me Jugosllavinë, dhe lufta me fraksionet pro-Tito. Njihen disa grupe disidente brenda partisë por informacionet për to janë të pakta. Por raportohet se ekzistojnë grupe si "Zjarri", me qendër në Tiranë dhe i përbërë nga të moderuar, të cilët megjithëse janë komunistë kundërshtojnë dhunën dhe territorin e regjimeve të deritanishme. Raportohet një grupin e quajtur Të Rinjtë, si një organizatë e vogël rinore komuniste, që nuk besohet të jetë me shumë rëndësi. Grupi Puna, është një organizatë komuniste punëtorësh, dhe gjithashtu lëvizje disidente e majtë që nuk beson se regjimi aktual është i sinqertë në realizimin e objektivave të vërteta të komunizmit. Grupe të tjera më të vogla raportohen anti-Komunistët e Shkodrës, anti-komunistët e ushtrisë, anti-komunistët e Vlorës dhe jugosllavët pro-Tito.(sot news)

(Kosova Sot)