Historia që tronditi kryeqytetin, si u hodh kosovari nga kati i 14-të i hotel Tiranës. Rrëfimi i ish-hetuesit

  • 16 February 2019 - 08:56
Historia që tronditi kryeqytetin, si u hodh kosovari nga kati i 14-të i hotel Tiranës. Rrëfimi i ish-hetuesit

Në verën e vitit 1984 në qendër të Tiranë ndodhi një ngjarje e rëndë që pushteti i kohës e mbajti pothuajse të fshehtë. Nga kati i 14-të i Hotel Tiranës u hodh një person, i cili vdiq në vend.

I sapo ardhur nga Kosova ai ndodhej nën presionin e oficerëve të Sigurimit të Shtetit për tu bërë bashkëpunëtor por nuk e pranoi këtë dhe u hodh  nga dritarja e hotelit. Pas 35 vjetësh kjo histori vjen nga hetuesi i kësaj çështje Ferdinand Doja.

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” ai rrëfeu historinë që për rastësi ishte edhe dëshmitari që e pa të gjithë skenë, por edhe e hetoi atë.

Ja rrefimi i ish-hetuesit:

“Ishte pasdite rreth orës 18:00 dhe për koincidencë unë isha në sheshin “Skënderbej” duke ecur me biçikletë. Në atë kohë unë isha hetues në Hetuesinë e Tiranës dhe atë ditë isha i gatshëm. Papritur shikoj që nga kati i 14-të u hodh një person dhe u rrëzua në verandën e hotelit, pra në katin e dytë. Natyrisht që ai vdiq në vend. Pas pak çastesh më marrin në radio nga hetuesia. Përveçse isha dëshmitar isha edhe hetues i çështjes, një rastësi që ndodh shumë rrallë kjo.

Shkova në vendin e ngjarjes dhe bashkë me ekspertët nisëm hetimet. Personi që u hodh nga dritarja ishte i moshës 55 vjeç dhe ishte nga Kosova dhe jetonte në zonën e Mamurrasit. Ishte i martuar dhe kishte dy djem. Ishte nga ata kosovarë që erdhën në Shqipëri pas protestave të vitit 1981. Ngjarja lidhej me shtrëngimin që shefi i Degës së Brendshme të Krujës po i bënte kosovarit ta bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Kosovarit i kërkonin të bëhej bashkëpunëtor për të spiunuar kosovarët që erdhën në Shqipëri.

Ai ishte marrë fshehtas nga oficerët e Sigurimit dhe për 4 ditë familja nuk dinte asgjë. Djemtë kishin bërë denoncim në policia por askush nuk u jepte përgjigje. Kosovari në fjalë nuk e pranoi kërkesën dhe nën presion e sipër preferoi vetëvrasjen.

Ai mbahej në hotel Tirana sepse Sigurimi i Shtetit kishte dy katet e fundit atje si qendër pune. Ishte një hetim delikat dhe ne akuzam direkt kryetarin e degës për shpërdorim detyre. Kryetari u shkarkua nga ajo detyrë dhe u vu nën akuzë por me urdhër nga lart ne e pushuam çështjen”.

(Kosova Sot)