Pse ra vonë komunizmi në Shqipëri, historiani amerikan: Po të ishte gjallë në ‘91, Enveri do …

  • 26 February 2019 - 10:27
Pse ra vonë komunizmi në Shqipëri, historiani amerikan: Po të ishte gjallë në ‘91, Enveri do …

 “Enver Hoxha nuk do ta kishte lënë pushtetin pa gjak”. Kështu u shpreh historiani Bernd J. Fisher, i cili ndodhej në Tiranë për të folur mbi rënien e regjimit komunist në Shqipëri, në një ditë të shënuar, siç ishte ajo e rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha.

Në fjalën e tij, mbajtur në ditën e parë të hapjes së Ditëve të Kujtesës, konsideruar edhe si momenti kryesor në një aktivitet maratonë fjalimesh e pyetje-përgjigjesh nga të pranishmit, Fisher do të numëronte arsyet se përse ra komunizmi në Europën Lindore, duke u ndalur në specifikat e secilit vend të përfshirë në këtë proces.

Po ashtu, do të ndalej edhe te Shqipëria dhe arsyet pse ajo qe “kështjella” e fundit e komunizmit. Në një intervistë, ai shtjellon më tej, jo vetëm këtë çështje, por edhe aktualitetin politik në Shqipëri. Si i sheh lëvizjet më të fundit të opozitës shqiptare dhe të qeverisë.

Pas 28 vjetësh, si do ta konsideronit 20 shkurtin e vitit 1991?

Mendoj se domethënia e kësaj dite, e rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës, do të jetojë në historinë e Shqipërisë përgjithmonë. Sigurisht që nuk e shkatërroi komunizmin dhe nuk e solli demokracinë, por ishte një hap në rrugën për arritjen e këtyre qëllimeve. Qëllimi i parë, ai i shkatërrimit të komunizmit, mendoj se është qartësisht i plotësuar, pavarësisht se mbeten disa mbeturina, të lidhura më së shumti me mentalitetin, që krijojnë pengesa për të arritur të tjera qëllime në demokratizimin e vendit, fuqizimin e ekonomisë së tregut, etj.. Në aspektin e demokracisë, Shqipëria ka bërë shumë punë të mira dhe mendoj se po ecën në drejtimin e duhur, por procesi nuk mund të quhet i përmbushur ende. Atë e pamë edhe të shtunën e shkuar. Ka shumë zhgënjim mes njerëzve, shumë syresh edhe të nxitur nga partitë politike. Partitë politike, gjithnjë në marrëveshje me njëra-tjetrën në bazën e një lufte të niveli të ulët, nuk e ndihmojnë Shqipërinë në sytë e komunitetit ndërkombëtar dhe nuk e ndihmon lëvizjen e Shqipërisë në drejtim të Bashkimit Europian. Këto janë çështje me të vërtetë të vështira. Njerëzit që mbështesin Partinë Demokratike kanë të drejtën legjitime të protestojnë kundër qeverisë, por ka metoda që e përjashtojnë dhunën dhe braktisjen e Parlamentit.

Nëse do të kthehemi pas në kohë, më 20 shkurt 1991, cila është arsyeja që regjimi komunist ra më vonë se në të gjitha vendet e tjera të Lindjes?

Ka shumë arsye pse komunizmi në Shqipëri ra kaq vonë dhe një prej tyre, ndoshta më i rëndësishmi është natyra e regjimit të Hoxhës. Mendoj se regjimi i Enver Hoxhës ka qenë më i ashpri në Europën Lindore, që krijoi një vend të izoluar jo vetëm nga pjesa tjetër e botës, por edhe mes vetë Europës Lindore. Izolimi u thye për shkak të erës teknologjike, njerëzit filluan të shohin se çfarë ndodhte përreth, në vendet e Lindjes apo në pjesën tjetër të Europës dhe ky ishte fillimi i rënies. Por gjithsesi ishte vonë. Natyra e regjimit ka qenë faktori më i rëndësishëm. Më lejoni të kujtoj, se gjatë viteve ’80 m’u dha rasti të udhëtoj shumë nëpër vendet e Europës Lindore dhe, edhe pse jo në mënyrë shkencore, mund të matja nivelin e ashpërsisë së regjimit përmes komunikimit me njerëzit. Unë nuk prezantohesha që isha historian apo studiues, apo zyrtar, por ishte e kuptueshme që isha i huaj. Kudo që shkova, gjeta njerëz që kishin dëshirë të flisnin me mua, pavarësisht se nuk shanin regjimin. Në Shqipëri nuk gjeta askënd që dëshironte të fliste me mua. Për mua, ky ishte një tregues i qartë i frikës që ekzistonte këtu. Madje, edhe në vitin 1989 kur unë isha këtu. Vetëkuptohet pse regjimi ra më vonë në Shqipëri, se në vendet e tjera.

Nëse mund t’ju bëja një pyetje naive: Po të kishte qenë gjallë Enver Hoxha, a do të qëndronte më gjatë komunizmi në këmbë?

Jo, nuk e mendoj këtë. Teknologjia po përparonte dhe pavarësisht represionit, njerëzit dëgjonin “Zërin e Amerikës”, “Radio Vatikanin”, stacionet italiane. Kur isha këtu, qëndroja në një hotel ngjitur me zonën e rezervuar për bllokmenët dhe kishte televizorë ngado dhe njerëz që shihnin programe të huaja, telenovela… lidhja me televizionin ishte gjithandej dhe kjo nuk ndodhte vetëm në qytetet e mëdha. Pavarësisht se Hoxha mund ta ndalonte këtë, nuk mendoj se do të mund ta pengonte dot rënien.

Dhe fundi do të kishte qenë po ai?

Fundi do të kishte qenë pa dyshim ndryshe. Enver Hoxha do të kishte përdorur shumë më shumë forcat e sigurisë se Ramiz Alia dhe do të ishte derdhur gjak. Nëse Enver Hoxha do të kishte qenë në pushtet, do të ishte derdhur gjak. Alia ishte komunist i bindur. Unë e kam takuar atë dhe kemi biseduar me orë të tëra, kam zhvilluar edhe intervista për librat e mi të ardhshëm. Pavarësisht se ai thoshte se Enveri bëri ca gjëra të gabuara (e pyeta, përse nuk e ngrite zërin atëherë), ai ishte komunist i bindur dhe ishte i interesuar të mbante sistemin në këmbë, por nuk e kishte vullnetin që të përdorte të gjitha armët që kishte në dispozicion për ta mbajtur atë. Ai mund të kishte përdorur Ushtrinë, edhe pse unë nuk mendoj se ai besonte se Ushtria do të qëllonte mbi njerëzit; por nuk pati vullnetin as të përdorte Sigurimin, që me siguri do t’i kishte përdorur armët kundër popullit. Mendoj se Enver Hoxha do të kishte përdorur çdo mjet që kishte në dorë. Pra, fundi do të kishte ardhur ndryshe, por ama fundi ishte i paevitueshëm.

Vijon

(Kosova Sot)