Rrëfimi i Sali Rexhepit: Biseda me Arbnorin para se të hyja në Parlament. Deputetët e rinj sot? E kanë hallall mandatin po të…

  • 19 March 2019 - 09:42
Rrëfimi i Sali Rexhepit: Biseda me Arbnorin para se të hyja në Parlament. Deputetët e rinj sot? E kanë hallall mandatin po të…

Ish- deputeti socialist, mjeku pediatër Sali Rexhepi, tregon se përse vendosi të marrë mandatin e deputetit pas zgjedhjeve të kontestuara nga Partia Socialiste, më 26 maj 1996. Si fitues në zonën e Përrenjasit, përballë ish- zv. ministrit të Industrisë dhe Minierave të PD, Rushan Koçibelli, me vota të numëruara nga komisionerët demokratë, Rexhepi shprehet se përfaqësoi në Kuvend besimin e votuesve të tij dhe u soll si deputet i pavarur.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, 23 vjet pas mandatimit të tij si deputet, në një situatë aspak të ngjashme me zhvillimet e sotme në politikën shqiptare, Rexhepi shprehet se fitorja e tij në një sistem maxhoritar është e drejtpërdrejtë dhe aspak si fitore e siglës së partisë. Sipas tij, deputetët që kanë pranuar të marrin mandatin sot në Parlament, e meritojnë nëse mendojnë se kanë vota personale në zonën e tyre dhe se në këtë rast nuk ka pse të rrinë në rresht dhe të zbatojnë urdhra partie. Por mjeku Rexhepi e sheh ngërçin në të tilla raste në aspektin moral.

“Të rrish në radhë është ndryshe se sa të rrish në rresht. Pra, po e them me fjalë pak. Nëse Myslym Murrizi në Lushnje apo Ylli Shehu në Kamzë kanë marrë vota që janë të bindur që kanë marrë votat që e plotësojnë si deputetë, hallall u qoftë, le të shkojnë në Parlament. Por nuk mund të jetë i tillë Ligoraq Karamelo në Korçë, se e di që nuk ka marrë vota. Këtu fillon problemi moral. Ata në Parlament do të mbajnë qëndrimin e votuesve që i kanë votuar, apo do votojnë ato gjëra që nuk i autorizon PD. Pra, kjo është diferenca sot. Në fund të fundit, çdo njeri paguan qiranë e mendjes së vet”, shprehet për “Panorama” ish- deputeti socialist i Parlamentit të 1996- s.

[Servet Pëllumbi gjatë fushatës në 1996/ Sali Rexhepi]
Servet Pëllumbi gjatë fushatës në 1996/ Sali Rexhepi

Si u bë e mundur përfshirja juaj në listat e PS-së për kandidat për deputet në zgjedhjet e 26 majit 1996?

Ishte një dëshirë e socialistëve të Librazhdit, duke më konsideruar si një njeri të ndershëm dhe me mbështetje në zonë. Edhe bindjet e mia ishin të majta. Ju ishit mjek pediatër, prej sa vitesh? Deri në atë vit shërbeja si mjek pediatër prej 20 vitesh, pothuajse i vetëm në të gjithë rrethin e Librazhdit, duke mbuluar një popullsi prej 80 mijë banorësh. Njëkohësisht, unë isha i zgjedhur po nga PS anëtar i Këshillit Bashkiak në Librazhd.

Në atë kohë kishim një sistem maxhoritar zgjedhor, kë kishit përballë si kundërshtar nga PD?

Përballë kisha një personalitet sa në shkencë por dhe si njeri, zv.ministër i Industrisë dhe Minierave, i cili kishte qenë prej 20 vitesh drejtori i Minierës së Përrenjasit, zonë ku unë konkurroja, Rushan Koçibelli, me të cilin unë nuk pata asnjë fërkim apo përplasje, si gjatë fushatës dhe pas saj.

[mitingu-pellumbi]
Servet Pëllumbi gjatë fushatës në 1996

Si u zhvilluan zgjedhjet në zonën tuaj?

Unë e deklarova dhe në fjalën e parë të mbajtur në Kuvend se zgjedhjet në të gjithë Shqipërinë kishin shumë probleme, edhe në Librazhd po ashtu, por në zonën time nuk kishte asnjë problem. Unë kam pasur gjatë fushatës vetëm një prezantim në hapje të fushatës, ku të pranishëm ishin Servet Pëllumbi, Gramoz Ruçi, Kastriot Islami. Ky ishte kontakti i parë me drejtuesit e PS-së, unë s’kisha hyrë kurrë në godinën e PS-së. Kur dolëm nga ky takim, Servet Pëllumbi më vuri dorën në qafë dhe u tha kandidatëve të tjerë “Saliun me sa pashë e kemi njeriun e sigurt që na sjell mandatin në Tiranë”. Ndërsa Kastriot Islami tha nëpër dhëmbë, “çfarë mandati do marri ai, ne s’do hyjmë fare në zgjedhje, sepse zgjedhjet nuk do zhvillohen”. Gjatë fushatës vetëm në një takim me elektoratin më erdhi kryetari i PS-së së Librazhdit dhe kryesisht unë punova me krerët e PS në bashki dhe komuna. Në fillim të fushatës më thanë se ke një fond prej 1,5 milionë lekësh të vjetra nga partia për të përballuar fushatën. Nga ky fond unë mora 20 mijë lekë të vjetra, vetëm për të paguar karburantin për 20 ditë fushatë, pjesa tjetër e fondit do jetë andej akoma. Nuk bëhej fjalë në atë kohë që të paguaje njerëz me lekë që të votonin apo që t’i siguroje si komisionerë. Ka pasur një ndryshim esencial mes zgjedhjeve të sotme dhe atyre para 23 vjetëve.

Ju thoni që nuk patët probleme gjatë fushatës, por në Librazhd pati dhunë, cilët ishin kandidatët e PD-së në këtë rreth?

Në Librazhd kandidonte Azem Hajdari, si dhëndër në atë qytet dhe Tomorr Malasi. Kryetari i PS-së së Librazhdit u dhunua gjatë fushatës, unë e fotografova dhe ia dërgova “Zërit të Popullit”.

Në atë kohë pati akuza për përfshirje të SHIK-ut në zgjedhje, patët ju ndikim të SHIK-ut?

E vërteta është se mua më ndiqte nga pas një person gjatë fushatës. Unë e takova dhe i thashë, ik shiko punën tënde se të njoh familjen dhe babain, që e ke njeri të nderuar. Ai ishte një punonjës i SHIK-ut, i cili më tha se kishte marrë urdhër që të qëndronte afër kandidatëve.

Si u zhvillua votimi atë ditë?

Atë ditë, më 26 maj unë vendosa që të mos qëndroja në zonë, sepse fushatën e kisha përfunduar dhe dëgjoja se mund të kishte incidente. Rreth orës 12 më lajmërojnë për t’u paraqitur në PS e Librazhdit që të bëja një deklaratë për t’u tërhequr nga zgjedhjet. Unë nuk u paraqita, për 2-3 orë, ndërkohë që ndiqja raportimet në televizor. Në zonën time komunikoja me telefonat fiks se si ecte votimi. Kudo ku pyesja, më thoshin se isha para me vota. Rreth orës 2 të drekës, shkova në Librazhd, pasi Kastriot Islami kishte telefonuar disa herë. Më dhanë përpara një deklaratë të gatshme që të tërhiqesha nga zgjedhjet sepse po bëheshin presione në të gjithë Shqipërinë. Unë u thashë se unë në zonën time nuk kam probleme, më kërkuat që të sjell mandatin e deputetit në Tiranë dhe atë po bëj. Më thanë se ishte urdhër partie dhe duhej firmosur.

Ju e firmosët atë deklaratë?

Jo, unë nuk e firmosa, kandidatët e tjerë e firmosën. Nuk e firmosa me mendimin që doja që në këtë përballje para njerëzve, të dija se sa mbështetja dhe sa më donte populli ku unë kisha shërbyer si mjek prej 20 vitesh. Unë punën e kisha si mjek. Mesa mora vesh në darkë, këtë deklaratë nuk e kishte firmosur as Pandeli Majko, i cili ishte kandidat në Korçë. Pastaj më thanë, kot qëndrove në garë sepse ne do të heqim nga puna komisionerët tanë. E vërtetë, u dha urdhri dhe u tërhoqën të gjithë komisionerët e PS-së nga qendrat e votimit dhe të numërimit. Në orën 2 ata u tërhoqën. Komisionerë ishin intelektualë të besuar, inxhinierë, ekonomistë e mësues dhe unë pata një besim të verbër tek ata. Më 27 maj, që në 5 të mëngjesit, mora një ”Zuk” të Komunales dhe dola nga shtëpia për të parë si kisha dalë. Më thanë se në Përrenjas po të djegin fletët e votimit. Zonën e parë që pashë ishte Qukësi. Të parin që takova, takova kryetarin e një qendre votimi, e cila ishte totalisht e djathtë, ishin Blloshmit. Kryetari i qendrës së votimit po kthehej, pasi kishte dorëzuar kutinë e votimit. Ai ishte dhe kryeplak i fshatit dhe kryetar i PD-së, por dhe ish-mësuesi im i klasës së parë. Sali, më thotë, unë jam demokrat. Unë kam qenë mësuesi yt dhe të kam mësuar që të mos gënjesh dhe të mos vjedhësh. Ke fituar aty ku nuk fitohet dhe me diferencë të madhe, je me mbi 70 për qind të votave. Por kujdes se po të prishin fletët e votimit në Përrenjas dhe më përmendi një emër. Ndërsa në fshatin tjetër je lart fare. Në Mokër zihej kryetari i komunës me kryetarin e PD-së, të dy të njohurit e mi. Ata më thanë se ti ke fituar, por meqenëse ti nuk do shkosh në Kuvend, më mirë t’ia japim Rushanit, kandidatit të PD-së. Unë i thashë se do shkoj në Kuvend. Më pas kalova nga qyteti i Përrenjasit dhe më thanë për fenomenin që ndodhte. Kur pyes, më thanë dhe me shaka se: Në qendrën 1, 2, 3, 4 kisha fituar unë, në të katra qendrat kishte fituar Rushani. Por diferenca ishte e madhe. Duke parë këtë mbështetje të njerëzve, unë vendosa ta marr mandatin. Kur hyra në Kuvend, isha anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit dhe pashë se kisha 15% vota më shumë si individ sesa si parti në zonën time. Kështu që vendosa të marr mandatin e deputetit.

Por, duke thyer një vendim të partisë që ju kandidoi..?!

Vendimin e kishte marrë Kastriot Islami, sepse partia nuk ishte mbledhur që të merrte vendim. Vendimi i partisë për të mos hyrë në Kuvend u mor në muajin gusht 1996, në Kongresin Kombëtar të PS-së. Më 30 maj na thirrën në Tiranë në Partinë Socialiste. Në Tiranë ishin bërë ato rrëmujat që dihen tashmë. Ishte hera e parë që hyja në selinë e PS-së. Sa më pa, u çua Kastriot Islami dhe më tha: Po ti çfarë do këtu?! Ti ke marrë mandatin! Unë i thashë që ju më kërkuat të marr mandatin dhe unë e mora. Pata një konflikt të vogël me fjalë. Aty u vendos se do hynim në grevë urie. U çuan disa dhe thanë se ju keni marrë bukë me vete, ne erdhëm me duar në xhepa nga larg. Si do hyjmë kështu në greve urie?! Por u tha se vendimi ishte marrë. Unë nuk qëndrova, sepse si pediatër që isha, kisha dhe fëmijë të shtruar në spital që duhet t’i ndiqja. Unë u ktheva në punë dhe vijova jetën normale. Mandatin e kisha marrë dhe prisja Parlamentin.

Kur u zhvillua seanca e parë?

Parlamenti u mblodh më 1 korrik 1996.

A kishit gjatë kësaj kohe presione nga PS apo njerëzit?

Më vinin veteranë dhe më thoshin që më mirë ta dorëzoja mandatin. Unë i mirëkuptoja. Më datë 1 korrik, ditën që do fillonte seanca e parë, më lajmërojnë se më kishin shkuar në shtëpi dy persona, ishin anëtarë të FRESSH-it, i njihja si fytyrë por jo emrat. Më pyetën a do shkoja në Parlament. I thashë se do shkoja. Nëse shkon, duhet të dorëzosh 20 mijë lekët që ke marrë nga partia për fushatë. Më mërzitën këto fjalë. Pasi mbarova punën në spital, mora një makinë dhe u nisa drejt Tiranës afër Parlamentit. U mor vesh që unë isha afër Parlamentit. Më vjen dikush dhe më thotë që kryetari i Kuvendit, zoti Pjetër Arbnori kërkon t’ju takojë miqësisht. Ishte ora rreth 2 e drekës. Unë e mirëprita ftesën e kryetarit të Kuvendit. Ngjitem lart dhe e gjej Pjetër Arbnorin te korridori dhe siç më thanë më vonë ishte ndër rastet e rralla që ai dilte nga zyra për të pritur dikë, vetëm kur vinin personalitete të huaja. Më dha dorën dhe nuk ma lëshonte, duke më tërhequr brenda në zyrën e tij. I jam mirënjohës për këtë gjest. Kur hymë në zyrë, më tha: “Sali kjo është zyra e Enver Hoxhës. Vetëm fotografitë i kam hequr, asgjë tjetër. Nuk po ta lëshoj dorën pa të thënë një fjalë. Kam dëgjuar që do të hysh në Parlament. Po hyre me mendtë e tua hyr, po hyre me mendtë e ndonjë tjetri, mos u fut”. Më ka bërë përshtypje ai njeri, edhe më vonë ma përsëriti që të mos marr mendimet e atyre që duken shumë të mençur dhe diskutojnë. (E kishte fjalën për ato të PD-së se ata flisnin në atë kohë).

Çfarë ndodhi seancën e parë?

Hyra në Parlament. Unë nuk thashë asnjëherë që përfaqësoj Partinë Socialiste dhe nuk mora, deri sot që flasim, asnjë teserë tjetër partie dhe nuk pata asnjë avantazh edhe megjithëse më thanë që të më jepnin avantazhe. Meksi donte të më jepte një shtëpi me kredi. Nuk e mora dhe i thashë që kam shtëpi në Librazhd. Nuk fitova asgjë, përveç dy rrugëve që bëra në zonën ku fitova. Unë kam mendimin se jo vetëm unë, por asnjë deputet i PD-së që ishte aty në atë Parlament nuk ishte klientelist, shumica ishin idealistë. Deputetët e kohës sime, të vetmen gjë që bënin, kapnin ndonjë ministër për krahu, unë kapja Boden dhe i kërkoja ndonjë rrugë në fshat ose ndonjë çerdhe. Nuk kishte tendera atëherë.

Çfarë qëndrimi mbajte në Parlament?

Në radhë të parë nuk votova qeverinë. Ishte vota kundër Berishës për President. Votoja marrëveshje dhe konventa ndërkombëtare. Sot ka deputetë që kanë tre legjislatura dhe s’kanë propozuar asnjë ligj. Unë kam bërë tre ligje;ligjin e Stomatologjisë, ligjin e Traktatit të Organeve dhe ligjin e Farmacisë, një pjesë. Janë ligje që nuk kanë lëvizur edhe sot. Unë kam qenë kryetari i Komisionit të Shëndetësisë. Gjë tjetër s’kisha ç’të bëja. Bëra një gjë që e di Shaqir Vukaj, që u bë më pas ministër, që mbajta Librazhdin që nuk u hapën depot e ushtrisë në Librazhd, derisa më thanë ik se do vijnë dy makina për të shpërthyer depot.

Çfarë reaksioni pati nga PS, pasi keni thënë që ju ka hequr Kastriot Islami?

Shiko, unë hyra në Parlament. Vendim partie për të mos hyrë nuk kishte. Ishte thënë verbalisht dhe aq. Vërtet unë konkurrova si deputet i PS-së, por nuk ia quaj për nder PS-së mandatin, sepse komisionerët e PS u larguan nga qendrat e votimit. Normalisht, votat i fitova pa komisionerët e PS-së. Kështu që unë deputet në atë kohë quaj që kam qenë i drejtpërdrejt nga populli, deputet i pavarur. Pati edhe nga ata që thoshin, mos hyr në Parlament, por pjesa më e madhe më përkrahu. Kur erdha këtu në Parlament më thanë që dikush shqetësonte familjen time, një grup të rinjsh nga Belshi.

Gjatë kohës që ju ishit në seancë, ata…

Më kujtohet se erdhi disa herë Kastriot Islami në Librazhd për të më hequr teserën e partisë. Ata të organizatës nuk donin që unë të çregjistrohesha nga partia. Më në fund më thanë që s’kemi çfarë të të bëjmë, do të çregjistrojmë. Pastaj shkroi Kastriot Islami artikujt e gushtit te “Koha Jonë” kundër meje. Ndërsa vendimi që Partia Socialiste nuk njeh deputetët e zgjedhur në 26 maj dhe nuk njeh zgjedhjet e majit ishte tre muaj më vonë, në muajin gusht kur u mblodh Kongresi i PS-së. Është e shkruar në nen dhe një nga vendimet ishte përjashtimi i Sali Rexhepit nga partia.

Atëherë pa pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese që PS-ja e kishte ankimuar në lidhje me tri kandidatura të PD-së në zgjedhjet e 1992-it, nëse ata ishin deputetët me sigël partie dhe duhet t’i bindeshin vendimit të partisë. Ju penalizonte edhe ju ky vendim, pra, mandati i përkiste partisë dhe jo juve?

Kjo nuk është përmendur asnjëherë. Madje, edhe diçka tjetër. Më ka thënë vetë Pjetër Arbnori që: “Sali, edhe këta do të vijnë vetë pas disa kohësh, s’kanë ku të shkojnë dhe në fakt erdhën. Sepse në atë herë fituam 5 mandate. Fitova unë në Librazhd, Luan Shaollari në Gjamsh, Ilir Meta në Skrapar, Erion Braçe në Berat dhe një Hamit Gjoni në Memaliaj. Hynë edhe 5 me listë emërore, Et’hem Ruka, Luan Hajdaraga, Emerlinda Meksi, Musa Ulqini.

Sa qëndruan?

Deri në 1997-n. Erdhën më vonë, por erdhën në Parlament. Unë hyra më përpara.

Ata nuk u quajtën tradhtarë?

Jo, vetëm unë u quajta.

Si e shikon ballafaqimin me situatën e sotme? A duhet t’i binden vendimit të partisë deputetët e listës apo duhet ta konsiderojnë mandatin si individual?

Jemi 23 vite pas. Gjërat nuk janë njësoj asnjëherë. Megjithatë, unë e ndjek jetën politike dhe mendoj se janë dy gjëra: Është ndryshe të rrish në rresht, sepse të rrish në rresht është dhunë. Edhe unë nuk hyj nga ata që rreshtohem,por respektoj që të rrish në radhë. Të rrish në radhë është ndryshe se sa të rrish në rresht. Pra, po e them me fjalë pak. Nëse Myslym Murrizi në Lushnje apo Ylli Shehu në Kamzë kanë marrë vota dhe janë të bindur që votat e marra i plotësojnë si deputetë, hallall u qoftë, le të shkojnë në Parlament. Por nuk mund të jetë i tillë Ligoraq Karamelo në Korçë, se e di që nuk ka marrë vota. Këtu fillon problemi moral. Ata në Parlament do të mbajnë qëndrimin e votuesve që i kanë votuar, apo do votojnë ato gjëra që nuk i autorizon PD. Pra, kjo është diferenca sot. Në fund të fundit, çdo njeri paguan qiranë e mendjes së vet. Ata kanë bërë mend të shkojnë apo qëndrimi aty është shumë i rëndësishëm.

Në kohën tuaj ka qenë maxhoritar dhe përballej kokë më kokë dhe sot është prej dëshirës dhe vullnetit të kryetarit për të qenë në listë. Këta sot duhet t’ia dinë për nder kryetarit?

Këtu është ajo pjesa morale…?! Te pjesa morale hyn edhe një gjë tjetër. Ata njerëz që mund të kenë qenë të fundit listë, në fushatë mund të kenë paguar, ka kontribuar, pra ai ka zënë radhën, që të mos rrijë në rresht, për poste të tjera.

Pra, edhe partia i është borxhli atij? Në një farë mënyrë edhe për votat që ka marrë fituese sepse nuk i ka të gjitha vetë, i ka edhe nga personat e tjerë në listë.

Sigurisht, ata që kanë qenë në tre vendet e para mund të mos kenë pasur votat që i kanë pasur ata tëvendeve të 4-t apo të 5-të. Mund të ketë marrë në Pogradec djali i Fahri Balliut në Mokër. Por një profesoreshë nga Tirana dhe del deputete në Korçë, nuk ka asnjë kontribut që të marrë atje vota, votat i kanë sjellë të tjerët në listë. Por sot, Parlamenti, pavarësisht nga diplomat që kanë, është në një nivel shumë të ulët. Por dua t’ju kujtoj një shprehje filozofike të Kuranit: “Mos u ruaj nga i shkolluari, as nga i pashkolluari. Të kesh frikë gjysmë të shkolluarin”. Dhe shumica e këtyre janë gjysmë të shkolluar. Në kohën time kishte profesorë shkencash nëParlament, i vetmi me shkollë të mesme ishte i ndjeri Sabri Godo dhe mençurinë e Godos e njohin të gjithë shqiptarët.

(Kosova Sot)