Editoriali: Kjo politikë e pamoralshme

  • 11 November 2017 - 16:56
Editoriali: Kjo politikë e pamoralshme

Koalicionet e balotazhit janë edhe një tregues i radhës, i amoralitetit të politikës kosovare. Ata që deri dje janë sharë e kacafytur mes tyre, sot kanë lidhur "besë" për qeverisjen e ardhshme. Është e qartë se këtu nuk bëhet fjalë për asnjë parim qeverisës, por vetëm për pazare të ulëta që synojnë pushtet me çdo kush e me çdo çmim. Asnjërës parti nuk kemi pse t'i besojmë, sepse që të gjitha, pa përjashtim, kur është puna te synimet për pushtet, janë në gjendje të shkelin mbi programin që kanë, të harrojnë deklaratat e zëshme kundër rivalëve e të krijojnë partneritete që ua shtojnë gjasat për të fituar zgjedhjet. Raundi i dytë, megjithatë, do të duhej të ishte sërish i qytetarëve, sepse vetëm ata mund ta bëjnë ndryshimin e madh. Sovrani mund t'u japë fund oligarkëve komunalë në balotazh, për të dërguar mesazhin e fuqishëm për secilin politikan, që përmes mashtrimeve synon të qeverisë. Edhe pse ka ende plot shembuj të votës klienteliste, familjare, një pjesë e madhe e elektoratit tashmë po mbushet mend, që të mos e japë kot votën. Politikanët demagogë, të korruptuar, të dështuar në qeverisje, nuk duhet të mbështeten më, për t'u hapur rrugën figurave të reja, që premtojnë zhvillim dhe ngritje të mirëqenies për qytetarët. Nëse sërish i votoni ata që në kurrizin tuaj u pasuruan, punësuan tërë farefisin, miqtë e partiakët, atëherë demokracia do të pësojë një goditje të rëndë. Për t'i dhënë një frymëmarrje shpresëdhënëse sistemit tonë demokratik, duhet të kemi sa më shpesh ndryshime pozitive dhe udhëheqësit e konsumuar, mashtrues, të marrin ndëshkimin te kutia e votimit. Në fakt, ndëshkimi i duhur është kur vepron drejtësia, ua heton pasuritë dhe lidhjet kriminale, ua konfiskohet asetet e fituara me vepra të paligjshme, por sistemi aktual mbetet i kapur nga maifo-oligarkët. Si rrjedhojë, fuqia e vetme, që mund t'i lëvizë proceset, është vota e lirë! 

(Kosova Sot)