Editoriali: Privatizimi duhet hetuar

  • 13 November 2017 - 17:14
Editoriali: Privatizimi duhet hetuar

Vendimi i Qeverisë për të pezulluar shitjen e tokave në pronësi shoqërore është i mirëpritur, por i pamjaftueshëm. Qindramijëra hektarë tokë bujqësore, apo edhe sipërfaqe pyjore, janë privatizuar me çmime qesharake. Jo në pak raste, pas privatizimeve aspak transparente, dyshohet se qëndrojnë njerëz të pushtetshëm, të politikës apo nëntokës, të bizneseve të errëta apo familjarë e miq të tyre. Asnjëherë nuk ka pasur hetim serioz të privatizimit kriminal, që e ka dëmtuar jashtëzakonisht ekonominë kosovare.

Falë këtyre politikave të dëmshme të qeverive të kaluara, të zbatuara nga AKM-ja në fillim e pastaj nga AKP-ja, shumë prona tepër të vlefshme u falën dhe ndërruan tërësisht destinimin e tyre. Nga sipërfaqe bujqësore, pati plot raste kur u shndërruan në tokë ndërtimore, pa kurrfarë plani. Sot një pjesë e madhe e sipërfaqes së punueshme është djerrinë, ndërsa aty ku ishte tokë bujqësore është mbushur me objekte, depo etj. Oligarkët ndoqën mundësinë më të shpejtë për të përfituar, ndërsa investimeve në shtimin e prodhimtarisë vendore asnjëherë nuk iu dha kurrfarë përparësie. Si rrjedhojë, edhe pse mund të kishim një shkallë shumë më të lartë të kësaj prodhimtarie, në fakt kemi një deficit tregtar 2.5 miliardë euro. Kjo situatë nuk është e rastësishme, por është skenar i organizuar mirë i mafio-politikës me mafio-biznesin.

Grupacioneve që dyshohen për lidhjet kriminale, ryshfetet dhe kontrabandën, nuk u ka konvenuar forcimi i prodhuesve vendorë dhe liberalizimi i tregut. Ata kanë monopolizuar gjithçka, ndërsa interesave shumëmilionëshe nuk u ka rezistuar asnjë qeveri, asnjë parti, asnjë lider. Pra, pas vendimit për pezullimin e shitjes së tokave, Qeveria, nëse e ka seriozisht aksionin e saj, duhet të kërkojë hetime të privatizimeve të dyshimta, të hetojë AKP-në, të hetojë pasuritë e anëtarëve të tyre, sepse ka dyshime serioze për një krim të rëndë ekonomik, ku e kanë hisen e tyre të përfitimit edhe vetë politikanët. A do të guxojë kjo qeveri e mbipopulluar ta bëjë transparent procesin e mjegulluar të privatizimit mbetet të shihet. Një ditë, gjithsesi e vërteta do të dalë në shesh, pavarësisht se kujt i dhemb!

(Kosova Sot)