Editoriali: A e keni parë diku opozitën?!

  • 06 January 2018 - 17:05
Editoriali: A e keni parë diku opozitën?!

Që nga trazirat e marsit të vitit 2004, Kosova nuk ka kaluar në momente më të rënda sesa sot. Asnjëherë vendi nuk ka pasur në krye një lidership të tillë të kompromentuar, shantazhues, që është në gjendje të sakrifikojë tërë popullin për të shpëtuar veten! Kurrë më parë, shteti ynë nuk ka pasur një Qeveri më skandaloze, që çdo ditë e më shumë prodhon afera, shkel ligjin, abuzon me pushtetin, tregon arrogancë dhe injorancë. Institucionet nuk ishin në asnjë periudhë më jofunksionale se që janë sot. Edhe pse kemi Kushtetutë, ligje, rregullore, mekanizma që e mbikëqyrin zbatimin e tyre, organe të drejtësisë formalisht të pavarura, anarkia mbizotëron në shtetin tonë, në prag të 10-vjetorit të pavarësisë. Në rrethana të tilla alarmante, një opozitë serioze do të ngrihej në këmbë për ta shpëtuar Republikën, por çuditërisht ka pllakosur heshtja edhe në kampin opozitar. Më e keqja është se një pjesë e saj po i bashkëngjitet lojës së treshes famëkeqe që udhëheq Kosovën, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, çka të shtyn të dyshosh në orientimin politik të propaganduar për shtet të së drejtës, luftë kundër krimit dhe korrupsionit. Partitë e opozitës e kanë përparësinë se janë secila prej tyre më të forta se çdonjëri nga subjektet e koalicionit në pushtet. Megjithatë, duket se kjo është e pamjaftueshme për të parë një aksion të fuqishëm dhe të besueshëm opozitar. Lëvizja "Vetëvendosje", që iu bashkua thesit të shpuar politik të partive të inkriminuara kosovare, tani është e zënë me luftën e brendshme për pushtet, ndërsa në anën tjetër, Lidhja Demokratike mrizon, si gjithnjë. Partitë në Qeveri po e shpërdorojnë në maksimum pushtetin, por nuk ka kush që t'u thotë STOP. Në mungesë të reagimit opozitar, u mbetet vetë qytetarëve të organizohen që t'i bëjnë ballë të keqes së madhe që mund ta kthejë Kosovën vite prapa. Për fat të keq, as shoqëri civile më nuk ka mbetur, sepse edhe ajo është shitur te politika. Aktivizimi qytetar mbetet shpresa e vetme, për t'ua ndalur turrin sundimtarëve të vendit.

(Kosova Sot)