Editoriali: Gjuha shqipe në Maqedoni

  • 12 January 2018 - 16:55
Editoriali: Gjuha shqipe në Maqedoni

Pas shumë vjetësh përpjekje, më në fund shqiptarët në Maqedoni kanë arritur të avancojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Kjo është një arritje e politikës shqiptare dhe një shembull se si me një unitet veprimi kërkesat që synojnë përmirësimin e pozitës së popullatës mund të kenë sukses. Me votimin në favor të ligjit, nga ana e Kuvendit të Maqedonisë, është zbatuar edhe një pjesë e rëndë- sishme e Marrëveshjes së Ohrit. Pushteti maqedonas e kishte diskriminuar vazhdimisht popullsinë shqiptare, sidomos në këtë aspekt të përdorimit të gjuhëve zyrtare. Nëse bëjmë një krahasim me Kosovën, Maqedonia ka qenë dukshëm prapa. Serbët, por edhe komunitetet e tjera, ndonëse në raport me shumicën përbëjnë pakica të vogla etnike, i kanë të gjitha të drejtat e garantuara me ligj e Kushtetutë, përfshirë edhe përdorimin e gjuhës zyrtare sipas kombësisë së cilës i përkasin. Për shqiptarët në Maqedoni kjo është një ngjarje historike. Sipas dispozitave të ligjit të miratuar, gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në Qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Trajtim të njëjtë do të ketë edhe në Kuvend, përfshirë edhe kryesuesin e seancave, nëse është shqiptar, por edhe në të gjitha organet e tjera të pushtetit qendror, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, komisionet. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si "gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës". Ajo do të zbatohet edhe në të gjitha tabelat udhëzuese të institucioneve shtetërore dhe në komunat ku gjuha shqipe përdoret mbi 20 për qind të popullatës së përgjithshme. Gjuha shqipe do të përdoret edhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve të nivelit qendror, krahas atyre në pushtetin lokal, ku gjithashtu gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës. Sa u përket uniformave të policisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe. Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të dekretohet edhe nga presidenti Gjorge Ivanov, i cili ka shprehur rezerva ndaj përmbajtjes së tij, por kthimi prapa në Kuvend mund të nxisë tensione të panevojshme, prandaj ai do të duhej ta finalizonte pa hapur debate të reja.

(Kosova Sot)