Editoriali: Shkapërderdhje qeveritare

  • 05 February 2018 - 17:16
Editoriali: Shkapërderdhje qeveritare

Asnjë qeveri nuk ka qenë më e paqartë në qëndrimet e saj sesa kjo e tashmja. Thuajse në çdo aspekt, anëtarët e ekzekutivit arrijnë të shkaktojnë gjithnjë paqartësi në opinionin publik. Kjo vlen si për çështjet e brendshme, po ashtu edhe për sferën diplomatike. Ndryshe flet ministri i Jashtëm, ndryshe kryeministri, ndryshe ministrja e Integrimeve, ndryshe kryeministri, e kështu me radhë. Nuk ndodh të kalojë java që të mos dëgjojmë për të njëjtën temë dy e më shumë interpretime brenda së njëjtës qeveri. Së fundmi kemi rastin me ambientin. Njëri qeveritar thotë se veturat janë ndotësit më të mëdhenj, ndërsa ministrja përkatëse tregon injorancën e saj, duke pohuar se nuk e ka idenë se kush ndot më shumë. Një tjetër fajëson qytetarët që ngrohen me thëngjill, dikush ia hedh përgjegjësinë termocentraleve të KEK-ut. Mjegull ngrihet edhe në raport me Serbinë. Ministri i Jashtëm thotë se raportet normalizohen me Serbinë edhe pa e njohur Pavarësinë e Kosovës, por krejt ndryshe shprehet zëvendëskryeministri. Mos të flasim pastaj për Demarkacionin apo Gjykatën Speciale. Qeveria është pikë e pesë në të dyja këto çështje, që po e mbajnë peng shtetin. Gjysma janë kundër, gjysma për. Kur konsensusi mungon në radhët e vetë koalicionit, çfarë mund të presim nga partneriteti me opozitën?! Kushedi sa të habitur me këtë rrëmujë qeveritare kosovare janë ndërkombëtarët. Për ambasadorët puna më e zorshme është të raportojnë për qeveritë e tyre, se çfarë qëndrimesh ka Kosova, sidomos në temat e kontuestuara. Kjo anarki institucionale, nëse vazhdon edhe më tutje, rrezikon ta shndërrojë shtetin tonë në një xhungël, ku askush nuk dëshiron të vijë. Qeveritarët duhet ta kuptojnë se aty nuk i përfaqësojnë më interesat dhe qëndrimet e dikurshme partiake, por duhet t'i përmbahen një uniteti shtetëror dhe të respektojnë vendimet që vetë i miratojnë në mbledhjet e tyre. Përndryshe, kësisoj më mirë kjo qeveri të bjerë një orë e më parë! 

(Kosova Sot)