Editoriali:Dje protestuan kundër kapjes së shtetit, sot pjesë e saj!

  • 11 March 2018 - 17:17
Editoriali:Dje protestuan kundër kapjes së shtetit, sot pjesë e saj!

Cilado parti që vjen nga opozita në Qeveri, jo vetëm që nuk do ta shkapë shtetin, por do ta forcojë atë. Kjo vlen si për nivelin qendror, ashtu edhe për atë lokal, ku shembulli më skandaloz është Prishtina, me kryetarin aktual, që është vënë tërësisht në shërbim të klaneve kriminale e mafioze. Kur edhe "Vetëvendosje: u bë pjesë e kapjes, çfarë mund të themi për partitë e tjera…Për Partinë Demokratike nuk kemi çfarë të shtojmë më, sepse dihet, ky subjekt është varrmihësi i institucioneve, duke qenë pjesë e çdo Qeverie të paspavarësisë. Partitë e tjera, që dje protestonin bashkë kundër kapjes së shtetit, sot ngjyejnë në të njëjtën pjatë me PDK-në, të cilën deri dje e akuzonin rëndë. Pushteti i shuan mëritë e kundërshtarëve, sepse i bashkon rreth të njëjtit qëllim-LEKUT! Kësisoj, me një opozitë pikë e pesë, me një pushtet të pangopur për pasurim të jashtëligjshëm, Kosova po rrëshqet në periudhën më të errët të saj. Pushtetarët e sotëm, edhe pse nganjëherë deklarohen se do ta shkapin shtetin, në fakt, asnjë veprim të vetëm nuk e ndërmarrin për ta realizuar një gjë të tillë. Nuk ka dikaster shtetëror, kompani publike, agjenci të pavarur, bord, ambasadë,konsullatë, universitet,që nuk është nën dirigjimin e grupeve mafiopolitike, të cilat veprojnë nën direktivat e oligarkëve aktualë. Edhe pse hajnitë tashmë janë të hapura, bartësit e pozitave drejtuese në institucione janë të paprekshëm për sa kohë u shërbejnë besnikërisht urdhërdhënësve të tyre-liderëve që ndajnë fitimet kriminale nga abuzimi me pushtetin e pakufishëm që kanë. Kudo ka vjedhje, ndërsa, për fat të keq, heshtjes institucionale i shkon për shtat edhe një heshtje e përgjithshme qytetare. Njerëzit duket se e kanë humbur shpresën, sepse e panë se të gjitha partitë pa përjashtim, synimin kryesor e kanë pasurimin e krerëve dhe klientelave të tyre, por jo rritjen e mirëqenies së popullit dhe zhvillimin e Kosovës. 

(Kosova Sot)