Editoriali:Thaçi&Co, jashtë institucioneve

  • 06 April 2018 - 17:05
Editoriali:Thaçi&Co, jashtë institucioneve

Presidenti autoritar i Kosovës po e shkel vazhdimisht Kushtetutën, por asnjë penalizim nuk ka për të, sepse mekanizmat shtetërorë janë tërësisht të kapur nga mafio-politika përreth tij. Edhe Kuvendi i deputetëve kukulla duket i pafuqishëm që të ndërmarrë diçka në këtë drejtim, për të larguar nga pozitat vendimmarrëse njeriun që më së shumti po u bën dëme shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës. Kosova de-facto është Republikë parlamentare, por sundimtari i vendit e ktheu dhunshëm në Republikë presidenciale, në mënyrë të jashtëligjshme. Presidenti, që duhet të jetë figura unifikuese dhe mbrojtëse e kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial, tani është rreziku më i madh për shtetin. Nxitimi për ta bërë Asociacionin kundërkushtetues është treguesi më i freskët i kësaj aventure presidenciale, që po e çon Kosovën drejt ndarjes definitive. Qeveria është e varur nga votat e Listës Serbe dhe asnjë vendim nuk mund të merret pa mbështetjen e saj, ndërsa urdhrat e udhëzimet jepen direkt nga Beogradi. Kush mund ta besojë se një pushtet që varet e vendoset prej Vuçiqit, njeriut të Milosheviqit, do të punojë në të mirë të shqiptarëve dhe Kosovës?! Dje u mbajt në Prishtinë një tryezë me titull "Finalja e madhe", për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, ku liderët u zotuan se do t'i japin një drejtim këtij procesi, pa qartësuar se deri ku do të shkojnë udhëheqësit kosovarë me lëshimet e tyre të pakufishme. Në fakt, finalja e vërtetë do të qartësohej nëse Thaçi&Co lirojnë shpejt pozitat e tyre dhe njerëz të përgjegjshëm, të pashantazhuar, që nuk kanë detyrime ndaj askujt dhe nuk janë të përfshirë në afera mafio-biznesore, marrin përsipër t'i çojnë proceset përpara, me ligj e Kushtetutë. Me këtë lider në pushtet të bindemi të gjithë se Kosova do të vazhdojë të rrudhet, të fundoset e të jetë e bllokuar, si një vrimë e zezë në rajon. Mundësitë dhe kapacitetet janë shumë të favorshme që të mos ndodhë një katastrofë e tillë, por me një president, kryeparlamentar dhe kryeministër si këta tanët, vendi ynë do të jetë më fatkeqi!

(Kosova Sot)