Editoriali:Përse nuk hyni të gjithë në qeveri?!

  • 09 April 2018 - 17:04
Editoriali:Përse nuk hyni të gjithë në qeveri?!

Me një qeveri të pakicës, Kosova po synon dëshpërueshëm të zërë hapin evropian, ndërsa në krye të shtetit janë bandat politike, më të uritura se kurrë për ta zhvatur këtë vend e këtë popull të shtypur. Pushteti i egër dhe i korruptuar nuk është fatkeqësia e vetme e Republikës. Me një opozitë pikë e pesë, që ende nuk ka iniciuar as veprimin më normal - një mocion mosbesimi ndaj qeverisë pa numra, shpresat për një ndryshim pozitiv janë venitur thuajse krejtësisht. Në këto rrethana dramatike, kur radhët në dyert e ambasadave janë të stërzgjatura, ku njerëzit presin të marrin një vizë që të ikin një orë e më parë nga Kosova, politikanët janë bërë më arrogantë se kurrë dhe ua kanë kthyer shpinën njerëzve që i zgjodhën. Jetët e tyre janë bërë edhe më luksoze, ndërsa të shumicës së qytetarëve janë mjerim i madh. Pushteti është në shërbim të mafisë, klientelave, klaneve 'Pronto' dhe 'Coca Cola Zero', ndërsa për popullatën e shumëvuajtur as që mendon dikush. Derisa njerëzit do ta durojnë këtë regjim despotik, ku demokracia mbetet një fjalë e huaj, situata as që mund të përmirësohet. Partitë opozitare, nëse vërtet synojnë të bëjnë një ndryshim, e kanë rastin ta dëshmojnë një gjë të tillë. Ato ose duhet ta rrëzojnë qeverinë 'Haradinaj', që ka dështuar tashmë, ose duhet t'i bashkëngjiten asaj. Pra, të gjitha partitë, që mezi presin që të marrin nga një hise pushteti që ta zhvatin këtë vend, le të bëhen së bashku e ta dimë se nuk e kanë aspak seriozisht kur flasin për qeverisje të mirë, shtetndërtim e transparencë. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafundësisht, sepse durimit po i vjen fundi. Zgjidhja e vetme që po u mbetet qytetarëve të lodhur nga këto qeverisje të korruptuara është të dalin e t'i mbushin rrugët e sheshet, duke kërkuar largimin e pushtetarëve të korruptuar në të gjitha nivelet. Një reagim i tillë ndoshta do t'i kthjellonte gjërat pak.

(Kosova Sot)