Editoriali:Shkelësit e Kushtetutës, në krye të shtetit

  • 10 April 2018 - 17:12
Editoriali:Shkelësit e Kushtetutës, në krye të shtetit

Si çdo përvjetor, edhe këtë 9 prill u shënua Dita e Kushtetutës, aktit themelor politiko-juridik të shtetit. Për të më së shumti flasin shkelësit e mëdhenj të saj. Politikanët e nivelit të lartë, gjatë këtij dhjetëvjeçari, e kanë goditur rëndë kushtetuetshmërinë e Republikës, sovranitetin dhe integritetin territorial. Rastet më të freskëta janë miratimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që e dëmton territorialisht Kosovën, duke ia marrë mbi tetë mijë hektarë dhe dëbimi i gjashtë shtetasve turq, në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese. Shembuj të tjerë ka plot. Asociacioni është një marrëveshje e nënshkruar nga presidenti aktual, të cilën Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar si antikushtetuese. Megjithatë, Qeveria aktuale ka proceduar me themelimin e këtij mekanizmi që përbën shkelje flagrante të Kushtetutës sonë. Pushtetarët që bëjnë propagandë për demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut, janë keqpërdoruesit kryesorë. Kushtetuta garanton barazi para ligjit dhe mbrojtje ndaj çdo lloj diskriminimi, por shumica e qytetarëve janë gjithnjë të nëpërkëmbur në sfera të ndryshme, nga shërbimet publike e deri te përballja me drejtësinë e inkriminuar, ku e drejta shitet e blihet si në pazar. Kushtetuta garanton ekonominë e tregut të lirë dhe konkurrencën e ndershme e ligjore, por askush nuk guxon t'ia ndalojë monopolin oligarkëve të inkriminuar Devolli që kontrollojnë homologimin e veturave e plot biznese të tjera. Në bazë të Kushtetutës, pushtetet janë të pavarura, por në praktikë, ekzekutivi sundon legjislativin, e të dyja së bashku, e dirigjojnë gjyqësorin. Problemi me Kosovën nuk është thjesht dykuptimësia në nene të caktuara të Kushtetutës, por në mungesën e vullnetit politik për zbatimin e saj. Kjo Kushtetutë nuk është parë si garanci për demokracinë, por si adresë për krijimin e problemeve artificiale, me zgjidhjen e kurdisur të të cilave kanë përfituar oligarkët e politikës e biznesit. Një praktikë e tillë do të vazhdojë, derisa në krye të vendit të jenë shkelësit e hapur të kushtetuetshmërisë. 

(Kosova Sot)