Editoriali:Manipulimi i pushtetit me shoqërinë civile - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Manipulimi i pushtetit me shoqërinë civile

Editoriali:Manipulimi i pushtetit me shoqërinë civile

Edhe raporti i radhës i organizatës 'Freedom House' konsideron se korrupsioni në Kosovë mbetet në nivele tepër shqetësuese. Mungesa e sundimit të ligjit dhe demokracia e munguar janë kritikat e përsëritura për vendin tonë, për shkak se politikanët vazhdojnë të jenë mbi drejtësinë dhe e përdorin pushtetin kryesisht për ta zhvatur popullin e nëpërkëmbur. Fakti se i vetmi sektor ku ka pasur përparim të lehtë është shoqëria civile, dëshmon se OJQ-të kanë qenë më shumë aktive, por në anën tjetër cila është dobia e tyre konkrete, përveç shpenzimit të miliona euro fondeve të ndryshme, për të cilat ka fare pak transparencë ose kurrfare. Pushteti përmes dhënies së granteve shumëmilionëshe është duke i blerë e duke i instrumentalizuar edhe të ashtuquajturat organizata të shoqërisë civile, të cilat më tepër janë forma të pastra biznesi privat, sesa janë duke sjellë të mira për shoqërinë tonë. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që agjenda të rëndësishme qeveritare mbështeten hapur nga OJQ-të me ndikim. Nga ana tjetër, historia politike e viteve të fundit ka dëshmuar se protagonistët e shoqërisë civile e kanë shfrytëzuar këtë sektor, për t'u katapultuar nëpër parti, për të ardhur pastaj në nivele të ndryshme të pushtetit, ku kuptohet, përfitimet janë dukshëm më të mëdha e natyrisht, gjithnjë të paligjshme. Rasti i kryetarit aktual të Prishtinës është tipik për keqpërdorimin që i është bërë shoqërisë civile. Qeveritë janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara në blerjen e OJQ-ve përmes formave të ndryshme, e si rrjedhojë edhe efekti i aktivitetit të tyre është larg pritjeve të qytetarëve. Kosovës i duhet një qytetari aktive, e jo një shoqëri civile e politizuar, që përdor veprimtarinë gjoja në dobi të publikut, për realizimin e interesave të ngushta. Nëse shohim ngecjen në luftën kundër korrupsionit është e qartë se përpjekjet e deritashme janë të dështuara. Korrupsioni nuk luftohet as me fushatat e shoqërisë civile, e as me propagandën qeveritare, por me veprimin e vendosur të drejtësisë. Sot, kemi shumë fjalë e pak vepra, prandaj Kosova mbetet një vend me demokraci të pakonsoliduar.  

(Kosova Sot)

11 orë e 17 minuta më parë
10/12/18