Editoriali:Policët meritojnë më shumë

  • 08 May 2018 - 17:05
Editoriali:Policët meritojnë më shumë

Pas një kërkimi disaditor, trupat e policëve që humbën jetën pasi ranë me veturën e tyre në lumë, në Kaçanik, janë gjetur, ndërsa dhimbja është e madhe për këtë ngjarje tragjike, që thuhet të jetë aksident, edhe pse nuk ka pasur hetime për rastin. Përkushtimi i ekipeve të shpë- timit dhe plot vullnetarëve që iu bashkëngjitën kërkimeve të vështira në një terren të mundimshëm, vlen të theksohet duke dëshmuar gatishmërinë e njerëzve në këtë vend dhe humanizmin e madh. Por, çështja që shtrohet për dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës është se çfarë garanton shteti pas humbjes së jetëve të tyre?! Krerët e Republikës kanë shprehur ngushëllime, ndonjëri ka dalë edhe në terren për ta parë nga afër aksionin e kërkimit, megjithatë legjislacioni në fuqi dhe institucionet tona, fare pak bëjnë për t'u ardhur në ndihmë familjeve të viktimave. Edhe pse profesioni i policit është ndër më të vështirët, më të rrezikuarit, policët nuk kanë fare sigurim shëndetësor. Në fakt, pjesa dërrmuese e popullatës, pavarësisht se ku punon, nuk ka sigurime shëndetësore. Pas shumë zvarritjesh, në këtë drejtim pritet të ketë zhvillime, por edhe më tutje kosovarët mbesin të pasiguruar. Jo vetëm kaq, por edhe të pasigurt në punën që bëjnë, në vendin ku jetojnë. Gati dy dekada pas përfundimit të luftës dhe një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, është e pafalshme, që së paku sektorët më të rrezikuar të mos kenë një mbrojtje dhe garanci më të fortë ligjore. Policët që u ndanë nga jeta në mënyrë tragjike, mbanin familjet me rrogën e tyre dhe kjo humbje do të jetë vështirë e përballueshme. Shteti ynë ka fare pak ose aspak mekanizma të dobishëm, për të reaguar si duhet në raste të tilla. Institucionet duhet t'i kushtojnë vëmendje më të madhe Policisë së Shtetit, sepse shumëçka varet prej performancës së tyre. Vetëm atëherë ka kuptim, që liderët të dërgojnë mesazhe ngushëllimi!

 

(Kosova Sot)