Si po shkon sektori publik drejt falimentim

  • 11 May 2018 - 17:15
Si po shkon sektori publik drejt falimentim

Kapja e shtetit ka pasoja gjithnjë e më të rënda, ndërsa qytetarët ende nuk e kanë ndier goditjen më të rëndë. Kjo që po ndodh me PTK-në është kronikë e një "vdekjeje" të paralajmëruar. Për fat të keq, hiç më mirë nuk është puna në asnjë kompani publike dhe në përgjithësi në sektorin publik. Vendi është në kolaps total, sepse pushtetarët kanë punuar vetëm për interesin e tyre të ngushtë e jo për shtetin. Interesi publik është shkelur, kurse sot përballja me efektet e krizës do të jetë më e vështirë se asnjëherë. Mund të jetë çështje muajsh kur edhe ndërmarrje të tjera, pas Telekomit, të ballafaqohen me vendimet e Qeverisë për shkurtime, ulje pagash, fondesh etj. Deri tani, politika e inkriminuar, që i ka mbushur bordet e agjencitë, kompanitë e ambasadat, çdo zyrë shtetërore, me militantë, kushërinj, banditë, nuk është ankuar, sepse buxhet kishte në dispozicion, por atë e gllabëruan. Tani, kur e kanë prekur fundin, ankesat do të vijnë duke u shtuar. Por, janë një armatë njerëzish që janë punësuar panevojshëm, kryesisht përmes ndërhyrjeve politike, pa përjashtuar edhe korruptive, të cilët e kanë mbipopulluar sektorin publik. Si rrjedhojë, po shkojmë drejt momentit kur arka boshatiset dhe nuk ka më para për rroga të majme, bonuse e privilegje nga më të ndryshmet. Nëse shteti do ta shtyjë bankrotimin, do të detyrohet të bëjë shkurtime, të ulë pagat, pra me një fjalë të godasë standardin e mijëra njerëzve që në rrethanat kosovare marrin të ardhura të mira. Qeveria duhet të paktën ta thotë të vërtetën për krimin që është bërë me vite të tëra me "PUBLIKEN", duke e trajtuar si një plaçkë elektorale dhe duke e menaxhuar në mënyrën më të keqe të mundshme. Sot udhëheqin analfabetët, militantët, kriminelët që e kanë vendin në burg. Askush të mos e gënjejë veten, sepse falimentimi nuk është ndryshe!

(Kosova Sot)