Editoriali: Referendum për dialogun

  • 04 June 2018 - 17:09
Editoriali: Referendum për dialogun

Edhe pse Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e kishte marrë miratimin e nevojshëm në Kuvend, ajo ishte rezultat i negocimit të presidentit aktual, në atë kohë kryeministër i vendit. Të gjitha marrëveshjet mbajnë vulën e tij, ndërsa shumica as që zbatohen. Sidomos ato që kanë efekte ekonomike dhe Kosova humb miliona euro si rrjedhojë e moszbatimit të tyre. Dialogu në Bruksel e ka futur shtetin tonë në një rrugë të pakrye dhe me rreziqe për sovranitetin e integritetin territorial. Kreu i Republikës mund të mburret se është njeri i vendimeve të mëdha, por njëkohësisht ai është autor i hapave të gabuar. Krye më vete, ai ka tejkaluar edhe pakon e Ahtisarit, e cila gjithashtu qe një kompromis i vështirë për Kosovën. Ndërsa ka disa javë që Hashim Thaçi flet vetëm për një kompromis të ri, pa e zbërthyer se për çfarë bëhet fjalë. Mjafton të kujtojmë Asociacionin antikushtetuese, për ta kuptuar se cili është pra ky kompromis individual i presidentit të shtetit tonë. Serbët e Kosovës janë duke këmbëngulur për një autonomi territoriale, domethënë, shtet brenda shtetit, prandaj kjo fazë përmbyllëse e dialogut nuk do të duhej assesi t'i lihej në duart e tij, politikanit, që me lidershipin e tij e degradoi shtetin e demokracinë, ndërsa tash po e bosnjëzon Republikën. Duke e pasur mbi kokë Gjykatën Speciale, motivi i presidentit për të nënshkruar çdo gjë që i paraqitet në tavolinën e bisedimeve, është më i fortë se kurrë. Kosova, në fund të fundit, nuk është Republikë Presidenciale, por parlamentare, ku kryeministri është pozita kryesore ekzekutive. E ashtuquajtura platformë për dialogun e propozuar nga Qeveria, që ia jep timonin presidentit, është vetëm një ikje nga përgjegjësia e kryeministrit aktual, që sa ishte në opozitë sulmonte ashpër Thaçin për gabimet në dialog e tash i shpreh mbështetje. Sidoqoftë, për një vendim final në fund do të duhej pyetur sovrani. Një referendum është zgjidhja më e mirë, që populli ta thotë nëse e pranon kompromisin e radhës apo është kundër!

(Kosova Sot)