Shumica e kosovarëve, shumë të pakënaqur me pushtetin

  • 04 July 2018 - 17:26
Shumica e kosovarëve, shumë të pakënaqur me pushtetin
Secili hulumtim i opinionit publik, që bëhet në Kosovë, vetëm sa i konfirmon perceptimin dhe bindjen e përgjithshme se me këtë qeverisje skandaloze e të korruptuar perspektiva e vendit është e errësuar dhe shpresa e thyer. Një anketim së fundmi, i kryer nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, nxjerr në pah se papunësia, korrupsioni dhe varfëria vazhdojnë të jenë tri problemet më të mëdha për qytetarët e Kosovës. Pulsi publik tregon një rënie të përgjithshme të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e shumicës së institucioneve kryesore ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në Kosovë. Rënia e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve kryesore pasqyrohet edhe në perceptimet e të anketuarve për drejtimin aktual politik të Kosovës. Më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me orientimin politik, ndërsa vetëm një pakicë, 12 për qind e tyre, kanë thënë se janë të kënaqur me orientimin politik që ka marrë vendi. Anketa nxjerr në pah edhe të dhëna të tjera alarmante. Gati 80 për qind e qytetarëve nuk besojnë në meritokraci kur bëhet fjalë për t'u punësuar në institucione të ndryshme. Shumica e të anketuarve besojnë se lidhjet familjare, ryshfetet, aleancat partiake dhe faktorët e tjerë jomeritorë, janë më të dobishmit për sigurimin e punësimit në sektorin publik, gjë që është plotësisht e vërtetë. Nga ana tjetër, ky hulumtim dëshmon edhe pasivitetin qytetar, të vërejtur tashmë. 43 për qind e të anketuarve besojnë se vota e tyre nuk mund ta ndryshojë situatën dhe vetëm 32 për qind besojnë se vota e tyre ka ndikim. Megjithatë, një pjesë e madhe e qytetarëve janë të gatshëm të dalin në protesta për ta ndryshuar këtë qeverisje, por problem këtu është se nuk ka kush t'i ftojë në protesta. Me këtë opozitë, që rri gjithnjë me njërën këmbë në pushtet, ndryshimi është tepër i vështirë aktualisht.

(Kosova Sot)