Argatët e Serbisë në Kosovë - Editoriali - Kosova Sot
Argatët e Serbisë në Kosovë

Argatët e Serbisë në Kosovë

Nuk mund ta gjesh edhe një shtet tjetër si Kosova në historinë më të re, e cila doli nga një luftë e përgjakshme me Serbinë, por kjo e fundit të jetë importuesja më e madhe e mallrave të saj në Kosovë. Pasojat e kësaj lufte ishin të tmerrshme deri në përmasat e gjenocidit serb, por kjo nuk i pengon kompanitë oligarkike që ta bëjnë argatin e Serbisë në Kosovë. Këto kompani, e madje edhe qytetarët që konsumojnë me zell këto produkte serbe, kanë harruar shpejt se çfarë ka bërë Serbia fashiste në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999. Për fat të keq, Kosova është bërë parajsë për kompanitë nga Serbia që eksportojnë mallra të dyshimta dhe të rrezikshme për qytetarët, pa pasur kush t'i thotë stop këtij fenomeni. Popujt që kanë kaluar nëpër situata të ngjashme si Kosova dhe kanë përjetuar masakra të panumërta si vendi ynë, nuk kanë mundur ta kalojnë lehtë atë që ka ndodhur. Janë shembujt e shumtë se si janë sjellë hebrenjtë ndaj gjermanëve pas holokaustit që kanë përjetuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Oligarkët e bizneseve e pushtetarët e këtij vendi, e besa edhe shumë qytetarë, po sillen ndaj Serbisë sikur ky vend të kishte pasur sjellje miqësore e jo armiqësore dhe sikur të mos kishte pasur fare luftë shkatërrimtare në Kosovë. Si mund të harrohet aq shpejt gjenocidi serb ndaj Kosovës, masakrat dhe dëmet dhjetëra miliardëshe që ka shkaktuar Serbia milosheviqiane gjatë luftës së fundit, për të mos përmendur të tjerat në histori? Si mund të harrohet golgota e rreth 1 milion shqiptarëve që u përzunë nga shtëpitë e tyre me dhunë, pasuar edhe me vrasje, djegie e shkatërrime të ekonomisë së tyre? Sjellja e Serbisë së sotme postmilosheviqiane vazhdon të jetë armiqësore ndaj Kosovës, pothuajse e njëjta siç ka qenë para dhe gjatë lufte. Asnjëherë nuk pati një kërkimfalje nga krerët e shtetit serb për ato që kanë bërë gjatë luftës në Kosovë, por vazhdojnë ta pengojnë Kosovën në rrugën e saj me njëmijë mënyra. Kosova vazhdon të rrisë punësimin e qytetarëve serbë në Serbi me paratë e kosovarëve, t'i mbajë në këmbë fabrikat e shumta, të cilat zhvillohen në saje të blerjes së qindra miliona euro në vit të produkteve serbe. Kosovarët për fat të keq kanë pushtetarët më jopatriotë që kanë pasur ndonjëherë dhe për fat të keq edhe kompanitë që me sjelljen e mallrave serbe kryejnë argatin e Serbisë në Kosovë.

(Kosova Sot)

14 orë e 0 minuta më parë
15/12/18