Editoriali:"Happy end" i Presidentit

  • 04 August 2018 - 17:35
Editoriali:

Kosova e ka të përcaktuar territorin e vet me Kushtetutë, bazuar në Pakon 'Ahtisari', ndërsa një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e ka konfirmuar legalitetin dhe ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë në këtë hapësirë territoriale, ku përveç Serbisë, me fqinjët e tjerë është bërë tashmë demarkacioni i vijës kufitare. Për shkak se Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, edhe demarkacioni i kufirit me këtë vend mund të marrë kohë, por pavarësisht kësaj, kreu i Republikës sonë çdo ditë del në konferenca shtypi dhe tashmë flet hapur për korrigjim të kufijve. Marrëzia presidenciale nuk ndalet me kaq, por në kundërshtim me Kushtetutën, ai bën propagandë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Të vetmen gjë që nuk po e thotë është se çfarë pritet të marrë Serbia në këtë fazë finale të dialogut. Një pyetje e thjeshtë që mund t'i bëhet presidentit tonë nga gazetarët në konferencat e çuditshme, ku reprizohet refreni i njëjtë politik është: pse e ka marrë me kaq nxitim Hashim Thaçi këtë marrëveshje me Serbinë?! A thua ai është patrioti më i madh shqiptar, që me një të goditur do t'i japë "happy end"-in e shumëpritur një konflikti shumëshekullor me fqinjët agresorë? Apo, presioni i Gjykatës Speciale, ku dyshohet se ai bashkë me ish- krerë të tjerë t UÇK-së, që sot udhëheqin shtetin, mund të jenë në listën e të akuzuarve, gjithnjë duke iu referuar raportit të Dik Martit që e shënjestron Thaçin si kreu i një grupi kriminal?! Puna më e mirë që mund ta bëjë presidenti, nëse vërtet dëshiron t'i shkojë deri në fund "sakrificës" së tij për atdheun, është të japë dorëheqje, pasi së pari të ketë shpallur zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Populli le të votojë se cila parti apo koalicion do ta udhëheqë Kosovën në këtë periudhë dhe nëse njerëzit e duan sërish Hashim Thaçin me kamarillën e tij, klanin "Pronto" e marionetat si Shpend Ahmeti me banditët e tjerë, atëherë le t'u mbetet përgjegjësia morale, politike e historike atyre!

 

(Kosova Sot)