Editoriali:Matrapazët në krye të shtetit - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Matrapazët në krye të shtetit

Editoriali:Matrapazët në krye të shtetit

Kosova po kalon momentet më të vështira që nga përfundimi i luftës. Asnjëherë gjatë këtyre viteve nuk ka pasur njerëz më të papërgjegjshëm në krye të institucioneve. Fatkeqësisht të ligjtë e këtij vendi janë bërë bashkë e nuk kanë ndërmend të ndalen në paudhësitë e tyre. Pasi e kanë stërlodhur këtë popull, po ndërmarrin hapa të tjerë më të rrezikshëm, siç është cenimi i territorit. Presidenti tashmë del hapur dhe askush nuk mund të befasohet nëse së shpejti do të nxjerrë në publik edhe ndonjë marrëveshje zyrtare që ai sipas të gjitha gjasave duhet ta ketë nënshkruar, përderisa flet me kaq siguri për një temë të ndjeshme, që prek shumë interesa. Kjo shkelje kaq flagrante e Kushtetutës së shtetit tonë nuk mund të kalojë në heshtje, por duhet që secili shkelës të përballet me forcën e ligjit. Kreu i Republikës është bërë kësisoj kërcënues për paqen dhe sigurinë, ndërsa me polemikat e tij po nxit gjithashtu tensione edhe përtej Kosovës. Ndërkohë, në anën tjetër, kryeministri pohon përditë se "nuk di gjë" as për "ndarjen", as për Asociacionin, as për atë, as për këtë. Me liderë të tillë, që u shmangen përgjegjësive të tyre ligjore e kushtetuese, apo i tejkalojnë dhe abuzojnë me kompetencat që kanë, Kosova ka hyrë në një fazë të errët të historisë, duke rrezikuar kështu të dalë sërish më e rrudhur. U bë marrëveshja me Maqedoninë, 2500 hektarë përfunduan në shtetin fqinj. Kaloi demarkacioni me Malin e Zi, mbi 8000 hektarë të tjerë mbetën jashtë kufijve të Kosovës. Po kur të ndodhë demarkacioni me Serbinë?! Kosova është e vogël që të durojë humbje të tilla, për shkak se ka një lidership të papërgjegjshëm në krye të saj. Sikur njerëzit, shpesh të mashtruar, ta dinin se sa të pasur janë bërë këta pushtetarë me familjarët, miqtë, bizneset e tyre, duke zhvatur pasurinë dhe paranë publike, sigurisht që sheshet do të mbusheshin me popullin e zemëruar. Me gjasë, nuk është e largët dita kur durimit do t'i vijë fundi.

 

(Kosova Sot)

11 orë e 31 minuta më parë
17/12/18