Editoriali:Liderët teatralë - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Liderët teatralë

Editoriali:Liderët teatralë

Liderët kosovarë, edhe pse dështuan gjithnjë në administrimin e pushtetit dhe zhvillimin e vendit, në një aspekt kanë pasur vazhdimisht sukses. Ata kanë arritur ta zhvendosin vëmendjen nga problemet kryesore, shqetësimet e njerëzve, kriza ekonomike e sociale, duke tentuar ta përqendrojnë debatin publik në tema, ku përgjegjësia është shumë më e gjerë. Kësisoj, presidenti në njërën anë me retorikën e tij për korrigjimin e kufijve dhe kryeministri në anën tjetër, me gatishmërinë për luftë nëse ndryshohen kufijtë, ia dolën këto ditë që tërë polemikat t'i orientojnë nga kjo temë. Dihet mirë se pa e ndryshuar Kushtetutën, as që mund të ketë ndryshime territoriale dhe për ta bërë një gjë të tillë, pushteti aktual nuk e ka shumicën në Kuvend. Praktikisht, e tëra zhurma që bëhet për tensione, luftë, konflikt, është propagandë dashakeqe, për të zhvendosur sa më tepër vëmendjen nga dështimet në qeverisjen e vendit. E tëra kjo skenë teatrale, që po shfaqet për kufirin dhe bisedimet me Serbinë, ngjan me tentativën për të shfuqizuar Gjykatën Speciale. Me gjasë liderët tanë të shantazhuar po luajnë skenarin e njëjtë që të demonstrojnë fuqinë e tyre politike, të zbehur tashmë më shumë se asnjëherë më parë. Po të ishin seriozë, liderët së paku një herë të vetme do të dilnin në një konferencë shtypi e të mbanin një qëndrim unik, por asnjëri nuk gjendet kurrë në frekuencën e tjetrit. Njëri flet për luftë, tjetri për korrigjim, tjetri entuziazmohet duke paralajmëruar anëtarësimin në BE e OKB pa cenuar territorin. E keqja është që pavarësisht dallimeve publike në retorikën e tyre, ata janë bashkë në zhvatjen që i bëhet shtetit, pasurisë publike e qytetarëve tanë. Se sa do t'i durojë ky popull i stërvuajtur është një pyetje që shtrohet çdo ditë, sepse me këtë garniturë udhëheqëse, Kosova do ta ketë gjithnjë të errësuar perspektivën e saj. Pra, sa më parë që bien këta sundues nga pushteti, aq më shpejt do t'i hapet një rrugëdalje vendit për të ecur përpara.

 

(Kosova Sot)

12 orë e 30 minuta më parë
17/12/18