Editoriali:Ku mbetën qindra mijëra vende të reja pune?!

  • 05 October 2018 - 17:28
Editoriali:Ku mbetën qindra mijëra vende të reja pune?!

Raporti i rregullt ekonomik i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor ka nxjerrë në pah të dhëna që do të duhej ta shqetësonin Qeverinë kosovare, edhe pse me këtë përbërje ekzekutivi ynë vështirë se do të reflektojë pozitivisht. Të gjithë këta që janë sot në pushtet, përfaqësues të partive të ndryshme, gjatë fushatës elektorale, premtuan qindra mijëra vende të reja pune dhe zhvillim të shpejtë ekonomik. Treguesit e BB-së, janë objektivë dhe e nxjerrin në shesh të vërtetën, të cilën pushteti gjithnjë synon ta fshehë, sepse ka të bëjë me dështimin skandaloz edhe të kësaj qeverisjeje. Kështu, pavarësisht propagandës se Kosova po i hap dyert për investitorët e huaj, gjatë këtij viti investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie. Asnjë kompani serioze nuk mund të bëjë biznes në Kosovë nëse nuk ua jep "tallin" oligarkëve që udhëheqin institucionet. Nuk është e rastësishme që këta liderë, të cilët sundojnë me egërsi, janë bërë më të pasur se sheikët. Ata kanë prona ngado, shtëpi në lagjet më të shtrenjta në Kosovë dhe jashtë saj, aksione në biznese, ndërsa përmes emrave fiktivë bëjnë transaksione të dyshimta që në rrethana normale do të duhej të ishin objekt hetimesh i Prokurorisë së Shtetit. E ndërsa oligarkia politike palos milionat, papunësia është në nivele alarmante dhe punësimi është ngadalësuar. Në vitin që jemi punësimi është më i dobët se në vitin 2017. Mijëra njerëz i bashkohen fuqisë punëtore çdo vit, por fare pak ka hapësirë punësimi për ta, sepse biznesi është në vështirësi dhe shteti është në kolaps nga numri i madh i të punësuarve, shpesh pa kurrfarë nevoje. Ndërkohë, deficiti fiskal po rritet si rrjedhojë e investimeve në asfalt, aty ku vidhet më së lehti, dhe rritjes së shpenzimeve në mbrojtjen sociale. Qeveria mund të mburret me ritmin e rritjes ekonomike, por qartazi është i pamjaftueshëm për të zbutur krizën ekonomike dhe për të hapur vende të reja pune, sepse nuk ka vizion për zhvillim, ka shumë korrupsion dhe thjesht u intereson vetëm xhirollogaria personale!

 

 

(Kosova Sot)