Kush do t'i dënojë politikanët e korruptuar të Kosovës?

  • 06 October 2018 - 16:43
Kush do t'i dënojë politikanët e korruptuar të Kosovës?
Apeli në Maqedoni ia ka vërtetuar dënimin, edhe pse modest me vetëm dy vjet burgim, ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, për skandalin e blerjes së veturave të blinduara. Korrupsioni në kohën e regjimit të këtij lideri autoritar, që udhëhoqi qeverinë e shtetit fqinj për një dekadë, si në të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka qenë në përmasa alarmante, megjithatë, drejtësia atje guxoi ta dënojë edhe politikanin më të fuqishëm, duke e nxjerrë kështu edhe jashtë politikës. Por, a mund të nxjerrë mësime drejtësia kosovare nga ky rast dhe shembujt e ngjashëm në rajon? Natyrisht, se duhet t'i shikojë me vëmendje, e pse jo të njihet më nga afër me rastet e 'peshqve të mëdhenj', se si ata bien në rrjetën e prokurorëve dhe nuk kalojnë dot as në sitën e gjykatësve. Në Kroaci drejtësia e dënoi Sanaderin për korrupsion, në Maqedoni e pësoi Gruevski, por në Kosovë, ashtu si në Shqipëri, figurat me profil të lartë politik ende janë imune ndaj drejtësisë. Kontrolli politik i prokurorive dhe gjykatave është shumë më i ashpër në Kosovë dhe në Shqipëri, por nëse në shtetin amë, VETTING-u po ndodh, në vendin tonë nuk lëviz thuajse asgjë. Një prokuror i pavarur, i guximshëm, profesional, nuk do ta kishte të vështirë të nxirrte në bankën e të akuzuarve edhe kryeministrin, ish-kryeministrin, ministrat, ish-ministrat apo edhe vetë presidentin e shtetit, që krye më vete synon ta ndajë Kosovën dhe shkel rregullisht Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Kosova nuk mund të ecë përpara me hipoteka të së kaluarës dhe lidershipi i kalbur në pushtet është shndërruar në një pengesë shumë serioze. Politikanët pasanikë, që hapur vjedhin e shpërdorojnë buxhetin e shtetit, meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor, për korrupsionin, klientelizmin dhe nepotizmin që kanë instaluar në organe shtetërore. Pasojat e keqqeverisjes së tyre do t'i vuajë gjatë populli i Kosovës, por sa më shpejt shkëputemi prej sundimit të egër, aq më shpejt do të ndodhë ndryshimi i duhur. 

(Kosova Sot)