Editoriali:Kosova, drejt zgjedhjeve të parakohshme

  • 09 October 2018 - 17:08
Editoriali:Kosova, drejt zgjedhjeve të parakohshme

Paralajmërimi i presidentit të Republikës për kryeministrin, që vjen nga një parti modeste, është sinjal serioz për Qeverinë kosovare. Përplasja e fortë për dialogun me Serbinë po nxjerr me shpejtësi në sipërfaqe dallimet e theksuara mes krerëve të institucioneve. Mungesa e unitetit në koalicionin në pushtet, që tashmë duket se e ka humbur mbështetjen edhe të sundimtarit kryesor, mund të nxisë një krizë të rëndë politike dhe qytetarët ndoshta edhe para vitit të ri do t'u drejtohen kutive të votimit. Ramush Haradinaj u kujtua me vonesë për takimet sekrete të Thaçit me Vuçiqin ku bëhej pazar për territorin e Kosovës. Pasi presidenti mori timonin e bisedimeve, kryeministri vullnetshëm u deklarua se ka punë më të mençura për të bërë, edhe pse një rezolutë, që ende është në fuqi për dialogun, e obligon pikërisht kreun e ekzekutivit, që të udhëheqë procesin. Sidoqoftë, tash raportet mes presidentit dhe kryeministrit janë përkeqësuar dhe të gjithë në koalicionin qeveritar janë nën ethet e rënies së Qeverisë. Duket se kjo do të jetë "djegia" e radhës që Thaçi do t'ia bëjë Haradinajt, të cilit vështirë se do t'i vijë sërish mundësia që të udhëheqë një Qeveri, pas performancës skandaloze që bëri deri tash. Presidentit autoritar i duhen partnerë të tjerë në Qeveri, për të shtyrë përpara planet e tij të dëmshme, prandaj ditëve në vijim është e pritshme që opozitës me 58 vota t'i bashkëngjiten edhe disa deputetë, për ta votuar një mocion kundër Qeverisë. Me opozitën e përçarë, vazhdimësia e kësaj qeverisjeje të keqe është shumë e mundshme. Por, për arkitektin e gjitha të këqijave në këtë vend, Hashim Thaçin, kjo pak ka rëndësi. Për të vlen mundësia për ta bërë kryeministër një partner që e kontrollon, sepse tashmë e dinë të gjithë se Haradinaj i ka dalë nga kontrolli, edhe pse gjithnjë ka qenë i gatshëm të "sakrifikohet" për ëndrrën e sëmurë kryeministrore!

 

(Kosova Sot)