Duan të ikin të gjithë

  • 01 November 2018 - 17:22
Duan të ikin të gjithë

Mijëra njerëz kishin mbushur dje Prizrenin në pritje të një vendi pune të premtuar në Gjermani. Shumica e fuqisë punëtore në Kosovë mezi prêt t'ia mbathë një orë e më parë në drejtim të një shteti më të përparuar të Bashkimit Evropian, që të ketë një jetë më të mirë, një të ardhme për fëmijët, drejtësi dhe barazi, mirëqenie dhe siguri, shëndet dhe perspektivë. Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës, përfaqësuesit e sovranit debatonin më kot duke akuzuar njëri-tjetrin, duke sharë e duke fyer e kuptohet, në fund, duke mos gjetur asnjë zgjidhje. Deputetët që flisnin dje në seancën parlamentare është dashur t'i bënin vetes një pyetje të thjeshtë: Përse të gjithë duan të ikin nga ky vend? Përgjigjja dihet. Sepse politika e ka degraduar thellësisht Kosovën, e ka rrënuar shpresën se një ditë do të bëhet mirë dhe do të ketë të ardhme në këtë vend. Është e pafalshme se çfarë kanë bërë këto parti të inkriminuara, se çfarë regjimi të egër kanë instaluar këta liderë të pangopshëm dhe definitivisht të urryer tashmë nga populli. Por, nuk ka mbetur më një fije shpresë për të ndryshuar diçka, sepse kapja e shtetit është në përmasa alarmante dhe kudo përballesh me padrejtësi, me shkelje,me mospërfillje, me injorim. E, në rrethana të tilla, askush nuk dëshiron të shndërrohet në viktimën e radhës të sistemit, por ia mësyn andej nga ka gjasa se do të bëhet më mirë. Kosova është në një udhëkryq të madh dhe, për fat të keq, politika vazhdon të jetë e papërmirësueshme, korruptive dhe fyese ndaj qytetarëve të Kosovës. Është koha për ndryshim, por asnjëherë nuk ka qenë më vështirë për të ndryshuar këtë mentalitet dhe për t'i ndalur njerëzit që të ikin. Askush nuk e kishte imagjinuar se vetë këta liderë do ta dëmtonin këtë popull kaq rëndë!

(Kosova Sot)