Republika e Burdushëve

  • 20 November 2018 - 17:03
Republika e Burdushëve

Arrestimi i personazhit të njohur si Burdushi, një mashtrues tipik në emër të mjekësisë popullore, që arriti të bëhet i famshëm edhe falë publicitetit të paguar në medie, ka ngjallur reagime të shumta, sidomos në rrjetet sociale. Ai prej vitesh shfaqet herë si magjistar, herë si mjek profesionist, herë si psikolog, e herë si parashikues fati. Në ambientin tonë të mbytur nga injoranca dhe analfabetizmi funksional, tipa si Burdushi shndërrohen në heronj, ngjashëm me disa protagonistë hoxhallarë, të cilët e tejkalojnë rolin e tyre dhe ndikojnë negativisht te shtresat e ndryshme shoqërore. Të gjitha këto ndodhin nën hundën e autoriteteve shtetërore dhe zakonisht veprimi ligjor është zero. Pak gjasa ka edhe që epilogu i proceseve që nisen të jetë ndëshkimi për abuzuesit me njerëzit me besimin, me hallet, me të sëmurët dhe nevojtarët. Drejtësia është e pafuqishme, për të dënuar mashtruesit në këtë vend. Burdushi është vetëm njëri prej tyre. Ata, mashtruesit e mëdhenj, janë në pushtet, në secilin nivel të pushtetit, në zyrat shtetërore ku vidhet e keqpërdoret paraja publike. Ata që na premtuan rroga njëmijë euro, dyqind mijë vende të reja pune, fonde prej miliarda eurosh e shumë e shumë mrekulli të tjera, janë Burdush e shkuar Burdushit. Nëse duhet dënuar një mashtrues ordiner, duhet të kenë fatin e njëjtë edhe mashtruesit e tjerë. Shteti ynë është në duart e mashtruesve, dallaveraxhinjve, bandave politike. Në rrethana të tilla lulëzojnë tipat si Burdushi. Sa më tepër ky popull keqarsimohet, aq më të rënda janë edhe pasojat, aq më të dëmshëm janë edhe pseudo-humanistët që shfaqen ngado dhe zhvatin njerëzit hallexhinj. Problemi është se si bashkëjeton shoqëria dhe shteti me mashtrimin si mënyrë jetese dhe përfitimi, pa u brengosur askush, pa reaguar askush, pa protestuar askush. Ashtu siç tallen politikanët me qytetarët, njësoj veprojnë edhe shumë mashtrues të tjerë, që keqpërdorin fatin e njerëzve në nevojë. Burdushi është vetëm njëri në armatën e madhe të mashtruesve. 

 

(Kosova Sot)