Shumë zhurmë për asgjë

  • 23 November 2018 - 17:09
Shumë zhurmë për asgjë

 Kuvendi ka debatuar në mungesë të protagonistit të dështimeve diplomatike dhe të kryetarit të Kuvendit, që ka filluar të prezantohet edhe një herë si lider i koalicionit qeveritar. Por, i tërë ky debat parlamentar, i vonuar, njëkohësisht ka qenë fare i padobishëm, sepse përveç akuzave, polemikave, fjalimeve politike, refreneve të njohura tashmë në legjislativin tonë, nuk ka nxjerrë në dritë asgjë tjetër. Dështimi i radhës me Interpolin është skandali më i madh i këtij viti, kur Kosova e ka vënë në pikëpyetje shtetësinë e vet, për shkak të pushtetarëve të papërgjegjshëm. Nuk është aspak e sinqertë as Qeveria me kryeministrin, sepse po të ishin të tillë, do të kërkonin urgjentisht shkarkimin e presidentit dhe largimin e Pacollit nga Qeveria. Por, ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, sepse më i ëmbël se gjithçka është pushteti. Mashtrime janë të tjerat, se jo gjoja janë duke punuar për popullin. Një pushtet që punën e parë që e bën është t'ia rrisë vetes rrogat në tërë këtë skamje që e ka pllakosur vendin, është i destinuar të dështojë dhe ta degradojë edhe më tepër gjendjen edhe ashtu tepër të rëndë. Gjithsesi, është kjo klasë politike që na ka sjellë në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë, ku është duke u diskutuar territori, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Është ky president që ka devijuar nga Kushtetuta dhe ligji, nga aspekti kombëtar dhe integriteti personal, për të hyrë në një rrugë pa krye, që mund ta fundosë shtetësinë e Kosovës. Por, a është në gjendje ky Parlament ta ndalë aventurën presidenciale? Edhe seanca e djeshme dëshmoi se përgjigjja është JO e madhe. Prandaj, nevojitet një përfaqësim tjetër, dinjitoz i interesave shtetërore e nacionale, një klasë politike që në rend të parë vendos shtetin e jo pushtetin. Nuk është pa faj as opozita, sepse aksioni i saj politik është e mefshtë, anemik, jokreativ dhe pa guxim. Si i tillë, i bëhet partner pushtetit në degradimin e shtetësisë.

(Kosova Sot)