Editoriali:Terri

  • 24 November 2018 - 17:06
Editoriali:Terri

Ende pa u gëzuar mirë me vendosjen e masës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, jemi hidhëruar me aplikimin e reduktimeve të ashpra në furnizimin me energji elektrike nga ana e KEDS-it dhe KESCO-s. Shqetësimi i vetëm nuk është vetëm terri me orë të tëra, por edhe faturat që do të na vijnë në fund të muajit, që mund të fryhen, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Ndër produktet që i marrim nga Serbia është edhe energjia elektrike, që në këtë rast mund të tarifohet dyfish më shtrenjtë. E, kush e pëson në fund? Kuptohet, qytetari i varfër dhe i pambrojtur, i shkelur gjithmonë nga pushteti. Kryeministri u shfaq i nervozuar në rrjetet sociale, por kush na garanton se faturat nuk do të shtrenjtohen sërish, për shkak të dështimit të Qeverisë për të stabilizuar situatën energjetike. Pronarët e rrjetit të distribucionit, vetëm me humbje nuk punojnë, pavarësisht sa prodhon KEK-u. Rikthimi i reduktimeve të gjata të energjisë elektrike na rikujton se brenga më e madhe që kanë bizneset dhe populli, mbetet e paadresuar me seriozitet nga ana e Qeverisë. Në njërën anë kemi kolaps energjetik dhe paralajmërime për shtrenjtim të energjisë, ndërsa në anën tjetër edhe projekti i reklamuar me pompozitet të lartë nga qeveritarët, për ndërtimin e Termocentralit të ri "Kosova e Re", është në prag të dështimit. Dy partnerët e rëndësishëm financiarë, Banka Botërore dhe BERZH-i, janë tërhequr nga projekti duke vënë në pikëpyetje financimin e investimit mbi 1 miliard euro. Qeveria po hesht, ndërsa një dështim i radhës i projektit të stërzgjatur që një dekadë do ta godiste vendin tonë edhe më fort në pikën më të ndjeshme-energjinë. Nuk është e rastësishme që edhe investitorët e huaj po largohen, sepse mungesa e energjisë tregon joseriozitet në kushtet e të bërit biznes. As ky ekzekutiv nuk po dëshmon rezultate, veçanërisht në sektorin energjetik, prandaj perspektiva mbetet e errësuar për sa kohë na qeverisin politikanë të padijshëm, populistë dhe të korruptuar.

 

(Kosova Sot)