Republika, në anarki!

  • 01 December 2018 - 17:09
Republika, në anarki!

Edhe një javë po e lëmë pas, në anarki të plotë shtetërore, pa kurrfarë koordinimi politik, pa asnjë pajtim për çështjet e mbetura pezull, me qeverisje kaotike dhe jotransparente në maksimum. Si për t'ia vënë kapakun këtyre ditëve të mbushura me patriotizëm fals dhe me retorikë boshe politike, kryetari sharlatan i Mitrovicës, e "shpalli" bashkimin e qytetit e tash i paska mbetur Kuvendit ta vulosë aktin solemn! Më shtet shakaxhi se ky i yni, vështirë të gjesh në botë. Mund t'ia bëjmë "share" një spoti të Qeverisë "Haradinaj" për Kosovën, anembanë rrjeteve sociale, por edhe ata e dinë fare mirë se imazhi i vërtetë i Republikës nuk mbulohet me një reklamë mashtruese dhe fatkeqësisht edhe me gabime. Për më keq, edhe aspak transparente në shpenzimet e bëra për realizimin e saj. Ngjashëm si në të kaluarën, kur për një fushatë promovimi të shtetit u dhanë 6 milionë euro, që nuk dihet kurrë se në cilët xhepa realisht përfunduan! Por, kjo është Kosova jonë me një shoqëri të varfër, e një elitë pushtetare të zhytur në luks dhe korrupsion. Ata na sundojnë, sepse populli i varfëruar është kaq i lodhur, saqë nuk po gjen forca as të dalë të protestojë kundër regjimit të egër. Jemi duke e mbyllur edhe një vit në geto, si të vetmit që presim ende me orë, ditë, javë e muaj të tëra para dyerve të ambasadave perëndimore. Jemi të vetmit, që edhe pse kemi rrogat më të ulëta në Evropë, i kemi çmimet më të shtrenjta. Investime e huaja direkte janë përgjysmuar gati dhe ky është treguesi i qeverisjes së këtij pushteti zhvatës. Kjo është reklama e vërtetë për Kosovën, sado që të mundohemi të shfrytëzojmë disa artiste me origjinë nga vendi ynë, por që tashmë përfaqësojnë vlera të tjera në botë. Ku janë njerëzit tanë sot dhe çfarë perspektive kanë nën sundimin e kësaj oligarkie të tmerrshme? Kjo është çështja!

 

(Kosova Sot)