Mashtrimet e pashembullta me liberalizimin

  • 03 December 2018 - 17:09
Mashtrimet e pashembullta me liberalizimin

Komisioneri evropian për Dialog dhe Zgjerim, Johannes Hahn, pritet të qëndrojë sot në Prishtinë, por qëllimi i vizitës së tij nuk lidhet me shqetësimin kryesor të kosovarëve- liberalizimin e bllokuar të vizave. Hahn po vjen për të biseduar me krerët shtetërorë në lidhje me taksën doganore prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës. Komisioneri evropian pritet të përsërisë qëndrimin e BE-së, që t'u bëjë thirrje autoriteteve kosovare në tërheqjen e masave dhe të paraqesë nevojën që të përqendrohen në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe në bashkëpunimin rajonal, por asnjë fjalë nuk raportohet se do të jetë për lëvizjen e lirë që po u mohohet qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nxitimi evropian për të adresuar me urgjencë një temë që ka prekur interesat biznesore të Serbisë dhe hezitimi për të trajtuar seriozisht izolimin e vendit tonë, e tregon hapur qasjen diskriminuese të Brukselit karshi Kosovës. Por, këtu përgjegjësinë nuk mund t'ua lëmë vetëm zyrtarëve të BEsë, sepse së pari llogari duhet të kërkojmë nga të zgjedhurit tanë që tallen me popullin. Ka disa vjet që zyrtarët kosovarë na mashtrojnë rregullisht se do të hiqen vizat sot, nesër, pasnesër, në fund të vitit, për Krishtlindje, për Bajram, por ja që nuk ndodhi. Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në tërë Evropën sa i përket lëvizjes pa viza në hapësirën e Shëngenit. Nëse do të kishim pasur një qeverisje më të përgjegjshme, sigurisht që nuk do të kishte zgjatur kaq shumë ky izolim. Qeveria mund të vendosë taksa edhe njëmijë për qind, por nuk mund ta zhvendosë vëmendjen nga ky dështim skandaloz. E udhës është që këta qeveritarë të japin dorëheqje, sepse kanë dështuar rëndë në një temë që është dashur të tejkalohet prej disa vjetësh. Arsyeja e vërtetë dihet se është korrupsioni dhe inkriminimi i shtetit, prandaj këta që janë në pushtet, e nuk janë të zotë ta çojnë Kosovën përpara, duhet të hapin rrugën për ata që kanë dijeni e guxim, moral dhe përkushtim, ndershmëri dhe nuk e mashtrojnë popullin e tyre.

 

(Kosova Sot)