2020

  • 04 December 2018 - 16:41
2020

Nuk është as për Krishtlindje, as për Vitin e Ri, as në Ditën e Pavarësisë, as për Bajram, as për 1 Maj, as për Ditën e Evropës , as për Ditën e Çlirimit….Nuk është as viti 2018, as viti 2019. Por, ndoshta viti 2020. Mund ta imagjinojnë se cili do të jetë lajmi nga Brukseli, pas dy vjetësh, nëse në pushtet i kemi ende oligarkët, komandantët e shndërruar në milionerë, pacifistët e korruptuar, haraçvënësit dhe imoralët, dallkaukët dhe matrapazët. BE-ja duhet të kritikohet që po na lë në izolim, por mos të harrojmë asnjëherë se përgjegjësia kryesore bie mbi pushtetarët kosovarë. Këta të fundit na kanë mashtruar dhe vazhdojnë të na mashtrojnë, ndërsa sundojnë pa kurrfarë pengese. Në kulmin e dështimit të shtetit, qeveritarët kanë vendosur të shfaqen më populistë se kurrë, që të zhvendosin vëmendjen e publikut nga temat më shqetësuese, por ndëshkimi është i menjëhershëm. Liberalizimi i shumëpritur i vizave as që ka hyrë në axhendën e Këshillit Evropian, ndërsa Komisionari Hahn, pasi shprehur zhgënjimin e Brukselit për vendimet e fundit të Qeverisë, na dëshpëroi të gjithëve duke përmendur si afat potencial për lëvizjen e lirë vitin 2020! A ka më keq për këtë popull, që duhet të vazhdojë të presë dhe të nënçmohet për më keq në dyert e ambasadave perëndimore?! Normalisht, ky duhet të ishte fundi i durimit për njerëzit e Kosovës. Ekonomia po bie me shpejtësi, papunësia po rëndohet, varfëria është ekstreme, njerëzit nuk kanë strehë, mezi ia dalin nga muaji në muaj. Perspektiva është e zymtë, ndërsa një grusht pushtetarësh të korruptuar, që vendosin për fatin tonë, jetojnë në luks. Pushtetarët shtyhen me njëri- tjetrin se kush ka paluar më tepër miliona. Ditën na mashtrojnë e natën harbohen mbi kurrizin e kosovarëve të nëpërkëmbur. Fundi i durimit është ky. Nuk duhet pritur viti 2020!

 

(Kosova Sot)