Kosova, peng i monstrumëve politikë

  • 06 December 2018 - 17:05
Kosova, peng i monstrumëve politikë

Nuk jemi as vendi i parë, as i fundit që kemi rënë në duart e matrapazëve politikë, të individëve me sjellje tipike kriminale dhe klaneve mafioze që dirigjojnë gjithçka, përfshirë drejtësinë e kapur. Të gjendur në një udhëkryq të rrezikshëm, qytetarët e Kosovës më nuk kanë nga t'ia mbajnë, ndërsa pushtetarët vazhdojnë ta rrënojnë atë pak stabilitet që u arrit me shumë mund që nga shpallja e pavarësisë. Duket se kupola shtetërore e ka marrë peng Republikën dhe çdo vendim që e merr e ndërlidh me fatin personal të tyre, me gjasë me frikën se mund t'i thonë fund luksit e të kenë punë me Gjykatën Speciale. Ndryshe nuk shpjegohet kjo mënyrë e të udhëhequrit të vendit. Argumenti më i freskët është paralajmërimi i NATO-s se mund të ketë pasoja për Kosovën, nëse procedohet formimi i Ushtrisë pa partneritetin e deritashëm. Dy ditë më herët, Bashkimi Evropian na e ktheu sërish shpinën në rastin e liberalizimit të vizave. Çka po ndodh pra kështu?! Cili është qëllimi i këtij lidershipi që ka vendosur t'i shkojë më tej këtij donikshotizmi të paparë? Kosova e lirë dhe e pavarur nuk mund të ishte pa mbështetjen e SHBA-së dhe partnerëve perëndimorë dhe çdo hap përpara nuk mund të hidhet në izolim ose bazuar në kapriçot e një kryeministri që vepron krye më vete apo presidenti që nxjerr territorin në pazar. Tensionimi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n dëshmon se sa poshtë ka rënë qeverisja në Republikën e Kosovës, duke shkelur kështu mbi interesin e qytetarëve që po mbesin në izolim e mjerim, në papunësi e mungesë zhvillimi. Ashtu siç tentuan ta zhbëjnë Gjykatën Speciale, që përbën një kërcënim për mafio-oligarkët, ngjashëm po veprojnë tash me Ushtrinë, marrëveshjet etj. Kosova po rrëshqet në anarki dhe nëse nuk i jepet fund aventurës shtetërore, pasojat mund të jenë të paparashikueshme.

 

(Kosova Sot)