Ushtria

  • 07 December 2018 - 16:34
Ushtria

Forcat e Sigurisë së Kosovës de-fakto janë ushtria jonë, por jo edhe de-jure. Transformimin e vonuar, që prej vitit 2013, Kuvendi mund ta finalizojë në mesin e këtij muaji. Kundërshtimi i ashpër i Serbisë, që ka provokuar edhe me paralajmërimet për aktivizimin e ushtrisë, nuk është aspak befasues, sepse me ushtrinë e re Republika e Kosovës fiton atributin e munguar në konsolidimin e shtetësisë. Pozicionimi amerikan përmes ambasadorit të ri në Prishtinë, Kosnett, në mbështetje të hapit të natyrshëm, e relativizion qëndrimin e ashpër të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, i cili paralajmëroi shtetin tonë se do të ketë pasoja nëse procedon me hapa të njëanshëm. Kosova aspiron që një ditë të jetë në mesin e Aleancës Veriatlantike, bombat e së cilës mbështetën çlirimin e vendit nga zgjedha serbe dhe nuk ka asnjë interes që t'i dëmtojë këto marrëdhënie. Megjithatë, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës flasin qartë për një vendim që duhet ndërmarrë, çdo gjë është e qartë dhe nuk ka më dilema. Kuptohet se Serbia do të frustrohet sërish, sepse me ushtrinë e re Kosova e brishtë mund të fitojë një dimension të ri të sigurisë dhe të shtetësisë së sulmuar nga Beogradi, nga të gjitha anët. Vendi ynë është me fat që ka një mbështetës si SHBA-ja, që, si çdoherë tjetër, po del si faktor vendimtar. Nga ana tjetër nuk duhet harruar fakti se Kosova është pesë vjet më vonesë në themelimin e ushtrisë, vetëm për shkak të miopisë politike dhe luftës së brendshme për pushtet. Lidershipi do ta shfrytëzojë këtë moment që të mburret, por së pari do të duhej të kërkonte ndjesë për zvarritjen e këtij procesi, ashtu siç duhet të kërkojë falje për proceset e tjera, si liberalizimi i vizave që nuk po bëhet as sivjet. Natyrisht, me formimin e ushtrisë nuk do të zgjidhen një mal hallesh të kosovarëve, por së paku mund të ndihemi pak më të sigurt dhe shtet përnjëmend!

(Kosova Sot)