Llogaridhënie! Ndëshkim! Konfiskim!

  • 10 December 2018 - 17:16
Llogaridhënie! Ndëshkim! Konfiskim!

Tërë rajoni është ngritur në protesta kundër qeverive të korruptuara, padrejtësive, përkeqësimit të jetesës, për shkak të abuzimeve të pushtetit, ndërsa në Kosovë populli ende është duke soditur. Heshtjen mbarëkombëtare e ka prishur këtë fundjavë ambasadori i porsaardhur i SHBA-së, Philip Kosnett, i cili theksoi qartë se ka ardhur koha që të ketë llogaridhënie dhe shkelësit e ligjit duhet të përfundojnë në burg. Ai ka folur prerë dhe ka dërguar mesazhe të forta te të gjithë, te institucionet që duhet të zbatojnë ligjin, te politikanët që abuzojnë me pozitat zyrtare dhe te shoqëria që nuk duhet të rrijë më tutje pasive. Porosia e ambasadorit amerikan, që njerëzit të shikojnë përtej interesave personale dhe të kërkojnë me ngulm drejtësinë dhe llogaridhënien, është shumë ë mirëpritur në këtë moment të vështirë që po kalon vendi. Është koha e fundit që askush të mos ndihet mbi ligjin, qoftë ky edhe zyrtari më i lartë. Është çasti i volitshëm për të bërë VETTING në politikë dhe në drejtësi së pari, por edhe në sektorët e tjerë. Si ka mundësi që brenda natës disa kosovarë bëhen milionerë pa punuar kurrë në jetën e tyre?! Si është e mundshme që një grusht njerëzish, burra e gra, me të ardhura mesatare, sa për të jetuar në mënyrë modeste, janë zhytur në luks?! Si munden disa kompani anonime të përfitojnë miliona nga buxheti i shtetit pa kurrfarë përvoje, ekspertize?! Si e ka degraduar edhe moralin e familjes dhe shoqërisë mania për para dhe pushtet, duke keqpërdorur fondet publike?! Të gjitha këtyre pyetjeve shteti duhet t'u japë përgjigje ligjore, konkrete, me veprime të rrepta. Siç tha ambasadori amerikan, llogaridhënie do të thotë shkelësit e ligjit në burg; konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, si dhe afate konkrete kohore për ndryshim. Ka ardhur koha që premtimi për llogaridhënie të bëhet realitet!

 

(Kosova Sot)