Kush e prishi dialogun?

  • 12 December 2018 - 16:58
Kush e prishi dialogun?

Kryeministri shpërtheu dje në akuza ndaj shefes së Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederica Mogerini, duke e konsideruar atë si "mbytëse" të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kreu i Qeverisë kosovare kohët e fundit, pasi e ka parë sa serioze është kjo temë, të cilën në fillim gati e injoronte, tash është kujtuar të reagojë, por fajin nuk na e ka askush. Nëse e ka devijuar dikush procesin e bisedimeve, duke e kthyer së mbrapshti, dihet se kush është. Megjithatë, siç thuhet, "kur s'ke ç'i bën gomarit, i bie samarit". Kryeministri ynë nuk mund ta bëjë përgjegjës direkt presidentin kosovar, i cili dihet se ka kontribuar me manovrat e tij për ta sjellë në krye të qeverisë Ramush Haradinajn. Në këtë marrëdhënie tipike interesi personal, ku shtetërorja dhe publikja, kombëtarja dhe morali, kanë humbur çdo vlerë, zhvillohet vetëm një skenar - ai i degradimit të shtetësisë. Ne nuk kemi pse të fajësojmë ndërkombëtarët që njeriu numër një i Republikës është marrë vesh me presidentin e Serbisë për të ndryshuar kufijtë. Fundja, përse duhet të mërziten ata kur presidentit tonë nuk i bën përshtypje një gjë e tillë?! Dialogu, ashtu siç është zhvilluar , me ato marrëveshje që u nënshkruan, pësoi një kthesë radikale para dy vjetësh, për t'u shfaqur muajt e fundit, krejtësisht jashtë parimeve të normalizimit mes dy vendeve. Nëse ka një përgjegjës, ai është Hashim Thaçi, që edhe vetë personalisht e merr përsipër, si të tijën, idenë e rishikimit territorial, pavarësisht se shkëmbimi i territoreve, ndarja etnike, ka qenë një projekt famëkeq i Akademisë së Shkenca të Serbisë dhe qarqeve shoviniste. Se çfarë ka ndodhur në kokën e presidentit me gjasë mund ta japë ndonjë shpjegim edhe Gjykata Speciale, që i rri si hanxhar mbi kokë edhe atij, si plot ish-krerëve të UÇK-së. Do të ishte një skandal i paparë nëse e tërë kjo aventurë që çon në ndarjen e Kosovës të rezultojë e lidhur me shantazhimin e mundshëm nga Tribunali. 

 

(Kosova Sot)