Pse i ka zënë gjumi studentët kosovarë?

  • 13 December 2018 - 17:00
Pse i ka zënë gjumi studentët kosovarë?

Revolta studentore në Shqipëri po zgjerohet përditë e më shumë, ndërsa Qeveria "Rama" është vënë përballë një presioni të jashtëzakonshëm. Instalimi i një regjimi të egër dhe një oligarkie zhvatëse e ka vështirësuar shumë jetesën e shqiptarëve. Një sondazh i Gallupit tregon se shumica e tyre do të emigronin, nëse u vjen një mundësi e tillë. Studentët përfaqësojnë vlimin e madh popullor dhe jo thjesht, disa kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsimin e lartë në Shqipëri. Si rrjedhojë, pushteti ndihet i dërrmuar përballë turmës studentore, që vështirë se mund të manipulohet, siç do të dëshironin oligarkët e politikës. Studentët po bëjnë atë që hezituan ta ndërmarrin politikanët, mediet e shoqëria civile. Të kapura nga grupet e interesit, asnjëra palë nuk bëri diçka derisa studentët një ditë vendosën të dalin në rrugë. Edhe pse reagimi kosovar është i mjerueshëm, nuk do të thotë se gjendja te ne është më e mirë. Studentët ballafaqohen me vështirësi të ndryshme, ndërsa diploma e tyre rezulton gati e pavlerë në tregun e punës. 60 për qind e të rinjve kosovarë janë të papunë, ndërsa ata që punojnë, shumica nuk kanë as kontrata të rregullta. Sistemi i devalvuar arsimor nuk garanton cilësi në mësimdhënie, ndërsa kryerja e një fakulteti është bërë formal, sepse të gjesh një punë duhet të kesh një lidhje me pushtetin. Mbi të gjitha, situata e rëndë sociale po i detyron studentët tanë të bëjnë punë nga më të rëndomtat, pavarësisht se mund të kenë kryer edhe dy mastera. Në Kosovë, meritokracia nuk vlen fare, ndërsa mafio-oligarkët përcaktojnë politikat e punësimit. Ka shumë arsye që studentët tanë, të paktën në shenjë solidarizimi me studentët vëllezër shqiptarë, të organizojnë një protestë, duke kërkuar ndryshime rrënjësore në arsim, depolitizim të universitetit dhe largimin e të korruptuarve nga pushteti. Studentët mund ta iniciojnë ndryshimin e madh, por së pari duhet të lirohen nga ngarkesat politike!

 

(Kosova Sot)