Urime Ushtria e Kosovës

  • 14 December 2018 - 17:21
Urime Ushtria e Kosovës

Me pesë vjet vonesë, autoritetet kosovare më në fund do ta përmbyllin këtë të premte procedurën ligjore, që e transformon Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Republikës. Në seancën e paralajmëruar për sot, do të votohen projektligjet që mundësojnë zyrtarizimin e Forcave të Armatosura.

Një votim historik, siç e quajti edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, që do të mbahet mend, sepse hap një kapitull të ri për sigurinë në vend e më gjerë. Transformimi i FSK-së është një hap normal, i zvarritur për arsye politike dhe neglizhencës institucionale. Kjo pako ligjore, që votohet sot në Kuvend, ka mundur të votohej edhe disa vjet më herët. Më meritorët nuk janë politikanët grindavecë për këtë ngjarje të madhe, por vetë ushtarët e FSK-së.

Ata janë nderi dhe krenaria jonë shtetërore, sepse me përgatitjen që kanë, me devotshmërinë ndaj organizatës, janë shndërruar në shembullin e institucionit stabil dhe të përgjegjshëm. Të gjitha lëvdatat u shkojnë pikërisht atyre dhe kushto që tenton t'ua rrëmbejë këtë moment do të dalë qesharak.

Njësoj siç bëri dje presidenti, i cili, si një maniak i protagonizmit, vrapoi në kazermën e FSK-së, i veshur gjysmushtarak e gjysmëzyrtar, duke shkaktuar edhe skandal protokollar. Ushtria është e Kosovës dhe nuk është pronë private e askujt, siç mund të provojnë liderë të mbrapshtë ta trajtojnë.

Si rrallëherë, në rastin e FSK-së, kemi parë një përparim të dukshëm, çka zor se e has në sektorët e tjerë. Këta burra e gra, që sot ndihen më mirë se kurrë më parë, na bëjnë edhe ne, popullin, të ndihemi më të fortë, më të sigurt dhe krenarë që e përjetojmë këtë ditë të shënuar. Në aspektin e shtetbërjes, me themelimin e Ushtrisë plotësohet edhe një kriter i rëndësishëm.

Të jesh shtet e të mos kesh Ushtri në të vërtetë nuk je tamam shtet. Le ta shijojmë së bashku krijimin e Ushtrisë sonë, pa ngarkesa politike, por thjesht si një moment që na bën të reflektojmë për shtetin ligjor, paqen, sigurinë dhe demokracinë. Urime!

 

 

(Kosova Sot)