Ushtria u bë, tash ta pastrojmë shtetin nga bandat!

  • 15 December 2018 - 17:01
Ushtria u bë, tash ta pastrojmë shtetin nga bandat!

Formimi i Ushtrisë së Kosovës ua ka ngjallur një fije shpresë qytetarëve të vendit se mund të bëhet më mirë, por kuptohet se transformimi i FSK-së nuk i zgjidh telashet e popullit. Fatmirësisht, që prej fillimit, aftësimi, forcimi, përgatitja e trupave ushtarake është bërë nën mbikëqyrjen e rreptë të KFOR-it e si rrjedhojë, ky institucion, që deri dje qe organizatë civile, është shembull për shtyllat e tjera të shtetit. Kjo nuk e përjashton mundësinë që ashtu, siç e kanë degraduar Ekzekutivin, Gjyqësorin dhe Legjislativin, njësoj t'ia bëjnë edhe Ushtrisë së Republikës. Po të ishte për oligarkët tanë, radhët e FSK-së, sot Ushtri e Kosovës, do të mbusheshin me militantë e kushërinj, me gjithfarë individësh të papërgjegjshëm, ashtu siç ka ndodhur në sektorin publik në nivelin qendror e lokal, në ministri e komuna, në agjenci e ambasada, në kompani publike e organe të tjera të pavarura të shtetit. Ushtria, pa dyshim, është storie suksesi, por më së paku kanë merita oligarkët që dje turreshin të përvetësonin ngjarjen, të privatizonin momentin historik. Ushtria, është institucioni prej të cilit duhen nxjerrë mësime konkrete. Sektorët e tjerë janë si mos më keq. Shikojeni drejtësinë që prodhon padrejtësi, Qeverinë që majmet mbi varfërinë e kosovarëve apo Kuvendin që është zhytur në luks mbi djersën e popullit. E premtja ishte ditë festive, edhe pse shija e festës ishte e zbehtë. Njerëzit aq shumë janë lodhur nga regjimi i egër, saqë nuk kanë fuqi as të kremtojnë një ditë të tillë. Pa e pastruar shtetin nga politikanët banditë, është vështirë të shohim perspektivë të qartë. Kosova ka nevojë për një ndryshim thelbësor politik. Formimi i Ushtrisë, mes mbështetjes pa rezervë të SHBA-së dhe skepticizmit evropian, na ka dhënë edhe një atribut shtetëror të çmuar. Tani është koha që të dëshmojmë vullnet të vërtetë për përparim. Pa i pastruar radhët, s'kemi çfarë të tregojmë. Nuk duhet të rrimë e të presim se kush do të jetë i ftuari i radhës në Hagë, por të marrim fatin e shtetit në duart tona. Ta çlirojmë Republikën nga bandat!

 

(Kosova Sot)