Tallje me dialogun

  • 17 December 2018 - 16:47
Tallje me dialogun

Pushteti ua ka zbehur menjëherë entuziazmin qytetarëve të Kosovës, duke nxjerrë një rezolutë për dialogun, e cila jo vetëm që nuk jep zgjidhje për vazhdimin e procesit, por e thellon përçarjen në skenën tonë politike. Ndërkohë, ky vendim i Kuvendit nuk arrin ta ndalë aventurën presidenciale, që dihet botërisht tashmë se synimin kryesor e ka ndarjen e Republikës. Gabimi i parë i rëndë është përfaqësimi opozitar, për të cilin Qeveria shpreson se mund të identifikohet me partinë e Shpend Jahtit. PSD-ja, e udhëhequr nga kryetari i dështuar i Prishtinës, dezertoi nga Lëvizja 'Vetëvendosje', që në zgjedhjet e kaluara doli partia e parë në Kosovë. Duke qenë se PAN-i ishte koalicioni i parë dhe bëri më pas Qeverinë me votat e Behgjet Pacollit, VV-ja dhe LDK-ja mbetën në opozitë, me një shumicë numrash të deputetëve shqiptarë që janë në Kuvend. Legjitimiteti i një delegacioni ku mungojnë LDK-ja dhe VV-ja është zero, sepse përfaqësimi i ofruar nga PSD-ja është thjesht matematikë për pushtet. Sondazhet e bëra tregojnë se, nëse do të mbaheshin zgjedhjet tani, PSD-ja e Ahmetit nuk do ta kapërcente pragun. Bashkëkryesimi i dialogut, siç e thotë rezoluta nga një zëvendëskryeministër dhe një kryetar komune, ia lehtëson edhe më tepër punën presidentit Thaçi në nismën e tij skandaloze dhe të rrezikshme që t'i dhurojë territor Serbisë. Përgjegjësinë për këtë lloj kryesimi duhet ta mbajë edhe vetë kryeministri Haradinaj, i cili po i bën bisht mandatit të tij në procesin më të rëndësishëm aktualisht. Dialogu, përveç legalitetit, kërkon së pari legjitimitet përfaqësues dhe është më se e qartë se me këtë përbërje shumica e qytetarëve të Kosovës nuk janë të përfaqësuar e si rrjedhojë çdo vendim apo marrëveshje nuk e ka miratimin e kosovarëve. Pa ia ndaluar negociatat presidentit që bën shkelje kushtetuese rregullisht dhe pa e marrë timonin e dialogut kryeministri, nuk ka proces serioz. Nga ana tjetër, përfaqësimi opozitar duhet të jetë i barabartë me përfaqësimin qeveritar, për të garantuar ekuilibrat politikë në dialog.

 

(Kosova Sot)