'Isa Boletini' në Bruksel

  • 18 December 2018 - 17:23
'Isa Boletini' në Bruksel

Rrjetet sociale dje janë vërshuar me komente kundër Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederika Mogerini, të irrituar nga oferta që i bëri ajo Kosovës, për ta zëvendësuar emërtimin UNMIK me Kosovo dhe me fusnotë, në marrëveshjen CEFTA, e si këmbim të shfuqizohet taksa 100 për qind që e ka goditur Serbinë ekonomikisht. Po dje, i dëgjuam disa politikanë kosovarë, që qarkullojnë prej vitesh sa në një kolltuk ministri, në tjetrin, të kritikonin Brukselin, se po e izolon Kosovën dhe po e neglizhon Republikën tonë. Në fakt, duhet të jemi realistë në këtë pikë, pavarësisht na pëlqen apo jo, sepse euforia e rrjeteve sociale nuk bën që ta mbysë arsyen dhe fuqinë e argumenteve. Janë këta përfaqësues politikë që kanë negociuar në Bruksel dhe kurrë nuk kanë bërë zë, por gjithnjë na kanë mashtruar në Kosovë, pasi janë kthyer prej vizitave. Nuk mund të bëjnë tash befas, si të shfajësuar për procese që kanë vazhduar prej vjetësh dhe në të cilat është investuar shumë prej bashkësisë ndërkombëtare. BE-ja mund të kritikohet për qasjen e ngathët ndaj çështjes kosovare, por përgjegjësia kryesore bie mbi këta që po e drejtojnë shtetin tonë. Janë pikërisht këta që na kanë mbajtur peng, duke e bllokuar Kuvendin me gaz lotsjellës, ndërsa tash hiqen sikur nuk ka ndodhur asgjë! E pra, populli nuk ka harruar ende. Një kryeministër mund të luajë rolin e Isa Boletinit, kur shkon në Bruksel për të folur për MSA-në, marrëveshjen e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, por duhet ta dijë se atje përfaqëson interesin e shtetit dhe nuk është privatisht. Pala kosovare nuk doli as në konferencë për medie, ndërsa Serbisë iu kumtua lajmi se i janë ndarë edhe 100 milionë euro për anëtarësim në BE. Ftohja e marrëdhënieve Prishtinë-Bruksel çon ujë vetën në mullirin e oligarkëve kosovarë, që me politikat 'ad hoc' dhe vendimet e tyre populiste po përpiqen ta ruajnë atë fije popullariteti që mund t'u ketë mbetur. Sundimtarëve të Kosovës nuk u bën përshtypje që papunësia është rritur e varfëria është alarmante. Hezitimi i BE-së është mesazh i heshtur që despotët të bien nga pushteti sa më parë!

 

(Kosova Sot)