Pazaret territoriale

  • 19 December 2018 - 16:48
Pazaret territoriale

Njerëzit mund të kenë pritur dje që të dalë në konferencë shtypi kryeministri ynë i papërkulur e i palodhshëm, për t'ia bërë të ditur edhe një herë botës se nuk negociohet për territor mes Kosovës dhe Serbisë, por kur bëhet fjalë për presidentin e SHBA-së natyrisht heshtja është reagimi i duhur. Letra e presidentit Donald Trump e ka zbehur grindjen publike tashmë mes Ramush Haradinajt dhe Federika Mogherinit, si pasojë e së cilës Kosova po hedh disa hapa pas në proceset integruese, e sidomos në liberalizimin e vizave. Përmendja e marrëveshjes historike dhe paralajmërimi i një feste me dy presidentët, që po negociojnë prej kohësh tashmë, mund ta ketë lënë pa tekst kreun e Qeverisë kosovare, që në publik shfaqet shumë i zëshëm kundër prekjes së territorit. Megjithatë, mund të jetë edhe e kundërta, që kryeministri nuk mërzitet shumë në fakt, sepse shfajësohet duke thënë se "e bëra timen, nuk kisha si ta pengoja". Si pehlivanë të rryer tashmë, oligarkët e pushtetit në Kosovë bëjnë manovra nga më të ndryshmet. Investimi qindra milionësh, me gjasë i despotit Hashim Thaçi, po i jep frytet konkrete. Këto investime me para të popullit ua kanë hapur derën pazareve territoriale, të iniciuara nga vetë presidenti i Kosovës në partneritet të ngushtë me homologun serb e me ndërmjetësimin e zellshëm të kryeministrit Edi Rama e sejmenëve të tij medialë e biznesorë, që e ndjekin nga pas. Kosova po rrezikon të paguajë një çmim të panevojshëm, të shtrenjtë, por nga ana tjetër mund të kemi tensione dhe destabilitet. Kur dihet se e tëra kjo aventurë e Thaçit ndërlidhet vetëm me shpëtimin e lëkurës së tij nga Specialja, nuk ka si mos të të vijë keq për këtë popull të shtypur, që duhet sërish të paguajë haraç për një lider të mbrapshtë, që po vazhdon të sundojë si një diktator i urryer. 

 

(Kosova Sot)