Nga jahti i Devollëve, në folenë e Thaçit

  • 21 December 2018 - 17:35
Nga jahti i Devollëve, në folenë e Thaçit

 Ekipi negociator, i bashkëkryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, është hedhur shpejt në aksion, me takime intensive, paralajmërime për ligj, strategji, plan veprimi,etj, etj.

Pavarësisht se këtij ekipi i mungon krejtësisht legjitimiteti, ata shfaqen shumë kompetentë për misionin që e kanë marrë nga Kuvendi, edhe pse pa mbështetjen e opozitës. PSD-ja, natyrisht, nuk mund të konsiderohet opozitë, sepse e para ka pushtetin në kryeqytet dhe flirton hapur prej kohësh me Qeverinë qendrore. Në fakt, Partia Socialdemokrate me njërën këmbë është në Qeverinë "Haradinaj", me tjetrën në ekipin e Fatmir Limajt. Por, sa mund të pritet sukses nga një politikan mashtrues si Shpend Ahmeti, që fluturon sa nga njëri subjekt, në tjetrin?!

Performanca në krye të Prishtinës, një qytet gjithnjë e më kaotik, me ndotje alarmante dhe pamje të shëmtuar, është dëshpëruese. Kryeqyteti nuk mund ta kishte menduar se do ta kishte një kryetar kaq të papërgjegjshëm dhe jopunëtor. Nuk është e rastësishme se sondazhet e nxjerrin partinë e tij me një autobus votues, nën kuotën e pragut për të hyrë në Kuvend. Pak mbi këtë prag gjendet partia tjetër, edhe ajo socialdemokrate, që udhëhiqet nga numri dy i Qeverisë ose e thënë më saktë, njëri nga numrat dy. Pra, është e qartë se kryesimi i dialogut, sado i drejtë dhe kushtetues të jetë, nga politikanë që përfaqësojnë pakicën shqiptare, nuk ka fuqi bindëse për asgjë.

Duke e ditur të kaluarën politike, veçmas të Ahmetit dhe devollizimin e tij me skandalin e jahtit, është fare e pritshme sjellja e tij në favor të despotit Thaçi. Si një ish-student i Harvardit, siç preferon të mburret shpesh, kryetari i dështuar Ahmeti, ka për detyrë ta zhvillojë deri në fund skemën lehtësuese administrative dhe ligjore për finalizimin e dialogut, kuptohet, sipas shijes së Hashim Thaçit. Dhe, për atë që nuk e ka kuptuar ende, kjo shije do t'i djegë shumë popullit dhe brezave të tërë. Aventurës së tij për ndarjen e Republikës, fatkeqësisht, i janë bashkangjitur edhe disa mercenarë të politikës, të katapultuar në pozita, duke e rrezikuar seriozisht stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Prandaj, së paku shoqëria nuk duhet të heshtë!

(Kosova Sot)