Fatura e turpshme e dialogut

  • 25 December 2018 - 17:12
Fatura e turpshme e dialogut

Kur është fjala te angazhimet shtetërore, që janë thjesht punë e saj, Qeveria aktuale është gjithnjë dorëlirë dhe nuk kursehet. Kështu, edhe dje vendimi për të ndarë 300 mijë euro për ekipin negociator kaloi me shpejtësi dhe pa kurrfarë diskutimi. Miliona janë gllabëruar deri tash nga ky proces, ndërsa në përfundim të tij ajo që ka "fituar" Kosova është një libër lavdërues për presidentin, i cili e ka futur dialogun me Serbinë, në një brazdë tepër të rrezikshme. Të gjithë anëtarët e ekipit negociator kanë pozita zyrtare dhe paguhen për punën që bëjnë, prandaj është abuzive që të marrin ekstra pagesa për bisedimet me Serbinë. Gjithë ato vite, delegacionet kosovare u shëtitën poshtë e lart, duke shpenzuar fonde të konsiderueshme. Asnjëherë nuk është bërë një auditim i këtyre parave publike, ashtu siç kurrë nuk është bërë një analizë e thellë e rezultateve të dialogut. Zyrtarët kosovarë udhëtojnë me biznes-klasë, rrinë në hotele luksoze me pesë yje dhe bëjnë jetë sheikësh, edhe kur janë në "krye" të detyrës. Nëse qeveria 'Haradinaj' i thotë vetes se është transparente, është mirë t'i bëjë publike të gjitha faturat e dialogut, për ta parë populli se si kanë "vuajtur" më herët Edita Tahiri me anëtarët e tjerë të delegacionit kosovar dhe si do të "vuajë" ekipi i tashëm me Fatmir Limajn e Shpend Ahmetin në krye. Është me rëndësi të ketë transparencë maksimale, jo thjesht për përmbajtjen e bisedave, gjë që nuk është bërë kurrë, por edhe në aspektin buxhetor. Pushtetarët tanë nuk mund ta lëshojnë as këtë rast, për të abuzuar me fondet publike, në emër të përkushtimit për dialogun. Është karakteristikë e kësaj qeverie vendimmarrja arrogante në dëm të buxhetit, që zakonisht përfundon xhepave të klientelës politike. Edhe 300 mijë euro, që me siguri janë sa për "nxehje", e shtojnë faturën e trashë të ekzekutivit. Aq më tepër bëhet e turpshme kjo praktikë kur dihet se presidenti është përkujdesur për finalen e dialogut dhe ekipi i duhet sa për sy e faqe. 

 

(Kosova Sot)