Kush do ta ndalë ndarjen e Kosovës?

  • 07 January 2019 - 16:48
Kush do ta ndalë ndarjen e Kosovës?

Lëvizja "Vetëvendosje" shfrytëzoi fundjavën për të publikuar një sondazh të sajin, ku e nxjerr liderin e vet si më të pëlqyerin për kryeministër, por VV-në të dytën pas Lidhjes Demokratike. Si çdo sondazh tjetër që del nga zyrat partiake, edhe ky nuk mund të jetë aq i besueshëm, por ta zëmë se është pak a shumë siç thotë partia e Albin Kurtit. Një pyetje e thjeshtë që shtrohet është se çka po bën opozita për ta ndalur aventurën presidenciale që mund ta lërë Kosovën pa së paku një të katërtën e territorit të saj? Çështja nuk është më se a e ka seriozisht presidenti me vasalët e tij, sepse një gjë e tillë është e qartë tashmë. Problemi qëndron në pasivitetin opozitar, në heshtjen shoqërore në përgjithësi, që çojnë ujë në mullirin e Hashim Thaçit. Ky i fundit, pasi e ka rrjepur popullin për vite të tëra sundimi bashkë me partnerët e tij kriminalë në fusha të ndryshme, është në hall të madh. Gjykata Speciale pritet ta ftojë edhe despotin kosovar javët e ardhshme, prandaj atij i duhet me çdo kusht të bëjë një marrëveshje me Serbinë në kurriz të integritetit dhe sovranitetit të Republikës, me shpresën se mund t'i shpëtojë përballjes me drejtësinë ndërkombëtare. Në ndihmë po i vjen edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili jo rastësisht e shkarkoi ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, për ta zëvendësuar me Gent Cakën, një person të promovuar nga Baton Haxhiu, mbështetës i flaktë i ndarjes së Kosovës. Sipas ish-ministrit të Jashtëm grek, Kotzias, Bushati u shkarkua sepse ishte kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës. Me pak fjalë, ndarja duket afër, falë marrëzisë politike të presidentit Thaçi, që ende sundon dhe ka ndikim të fortë në strukturat shtetërore. Opozita, që mburret se ka mbështetje te populli, duhet ta dëshmojë se është vërtet në mbrojtje të territorit. Përndryshe, mos të na shesin "dushk për gogla".

 

(Kosova Sot)