Të përçarë rreth taksës

  • 08 January 2019 - 17:21
Të përçarë rreth taksës

Presidenti sërish e ka sfiduar Qeverinë "Haradinaj", duke paralajmëruar tërheqjen e taksës 100 për qind, që u është vendosur fundvitin e kaluar Serbisë dhe Bosnjës, dy vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Reagimi i vobektë qeveritar, përmes një postimi në rrjete sociale të një zëvendësministri të parëndësishëm, tregon se situata mbetet serioze në raportet mes krerëve të shtetit. Të martën, Ekipi negociator i Qeverisë gjendet në Bruksel, për të diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, por zyrtarët e BE-së e ritheksuan se bisedimet në nivelin e lartë politik zhvillohen mes presidentëve. Kësisoj, autoritetet kosovare kanë hyrë sërish në një rrugë pa krye dhe pa unitet, duke shfaqur një joseriozitet shqetësues. Kjo anarki politike dhe institucionale favorizon vetëm Hashim Thaçin, që në këtë mënyrë hedh hapa të tjerë në drejtim të jetësimit të idesë së tij për pazaret territoriale me Aleksandër Vuçiqin. Me politikanë të tillë, që çdo vendim që e marrin, së pari shohin koston elektorale e pastaj diku në fund të listës rendisin edhe interesin publik, vështirë është të shohë Kosova ndonjë rezultat të hairit. Secili prej liderëve kalkulon për interesa të ngushta, sidomos kur gjithnjë e më tepër ndihet era e zgjedhjeve të parakohshme. Ramush Haradinajt i vetmi atribut pozitiv në qeverisjen e deritashme i ka mbetur taksa ndaj Serbisë dhe nëse nuk e mban dot deri në fund, atëherë do të humbasë pikë. Por, në anën tjetër, ai gjendet mes dy zjarresh, sepse Thaçi mund ta shkarkojë, për t'u dëshmuar si lojtar kyç në jetën politike dhe parapolitike. Gjithsesi, për qytetarët kosovarë, një politikë e tillë shtetërore, jounike dhe e shkapërderdhur, është e frikshme për të ardhmen e vendit. Duke hyrë në një proces me shumë të panjohura, Kosova, falë presidentit manipulues, ka rihapur pavarësinë dhe integritetin e saj territorial. Kjo është e pafalshme, ndërsa reagimi i zbehtë opozitar dhe shoqëror e bën edhe më të dyshimtë finalen e dialogut me Serbinë.

 

(Kosova Sot)